Ndëshkimi i Sionit
Alef
1 Ari u zymtua,
u tjetërsua ari i pastër.
U përhapën gurët e shenjtë
në krye të çdo rruge.
Bet
2 Bijtë e çmuar të Sionit,
që peshohen me ar,
seç i panë si enë balte,
vepër e duarve të poçarit!
Gimel
3 Gati janë edhe çakejtë t’u japin gji
e t’i mëkojnë të vegjlit e vet,
por bija e popullit tim u egërsua
si struci në shkretëtirë.
Dalet
4 Deri edhe foshnjës prej etjes
i ngjitet gjuha pas qiellze.
Fëmijët lypin bukë,
por s’ka kush t’ua japë.
He
5 Humbin udhës
ata që hanin mirë.
Ata që visheshin me purpur
rrëmojnë në mbeturina.
Vau
6 Vërtet u shtua faji i bijës së popullit tim,
më shumë se mëkati i Sodomës,
që u përmbys njëherësh
pa i vënë dorë askush.
Zain
7 Zotërinjtë e saj shkëlqenin më shumë se bora,
ishin më të bardhë se qumështi,
e kishin trupin më të kuq se koralet,
pamjen si të safirit.
Het
8 Hijen e kanë më të zezë se thëngjillin,
nuk njihen rrugës.
U është ngjitur lëkura në eshtra,
u është tharë si druri.
Tet
9 Të therurit prej shpatës janë më mirë
se të vdekurit nga uria
që fishken se u mungojnë
prodhimet e tokës.
Jod
10 Janë bërë ushqim për ta,
kur u rrënua bija e popullit tim,
fëmijët që gratë e dhimbshme
me duart e veta i gatuan.
Kaf
11 Krejt zemërimin e vet e zbrazi Zoti,
e derdhi furinë e vet.
I vuri zjarrin Sionit,
e përpiu me themel.
Lamed
12 Lehtë nuk e besojnë mbretërit e tokës
as banorët e botës,
se ngucësi e armiku
i kapërcyen portat e Jerusalemit,
Mem
13 me mëkatet e profetëve
e me ligësitë e priftërinjve
që derdhën mes tij gjak të pafajshëm.
Nun
14 Ngarendnin udhëve verbërisht,
fëlliqur me gjak,
aq sa as petkat nuk ua preknin dot.
Samek
15 «Sprapsuni! Ndyrësi!», u bërtitnin.
«Sprapsuni! Sprapsuni! Mos prekni!».
Prandaj, ikën e u endën, aq sa ndër kombe thanë:
«Nuk duhet të qëndrojnë më gjatë!».
Fe
16 Fytyra e Zotit i përzuri,
ai nuk ua hedh më sytë,
priftërinjtë nuk u nderuan,
pleqtë nuk u përfillën.
Ain
17 Amullia i zuri sytë tanë,
duke këqyrur më kot për ndihmë.
Këqyrnim për ndonjë komb
që s’na shpëtonte dot.
Cade
18 Cytnin hapat tanë,
që të mos ecnim shesheve tona.
Na u afrua fundi! Na u sosën ditët,
se na erdhi fundi.
Kof
19 Këmbëshpejtë ishin përndjekësit tanë,
më të shpejtë se shqiponjat në qiell.
Nëpër male na ndoqën,
pritë na vunë në shkretëtirë.
Resh
20 Ra në gropat e tyre i vajosuri i Zotit,
ai që na mbushte me frymë,
ai për të cilin thoshim:
«Nën hijen e tij do të jetojmë ndër kombe».
Sin
21 Sa jetojnë në tokën e Ucit,
të gëzojnë e të ngazëllejnë me bijën e Edomit,
por kupa do të kalojë edhe nga ti,
do të dehesh e do të dalësh cullak.
Tau
22 T’u shlye dënimi, bija e Sionit,
ai nuk do ta zgjasë mërgimin tënd,
por do ta ndëshkojë fajësinë tënde,
o bijë e Edomit,
do t’i zbulojë mëkatet e tua.