Ndëshkimet e Perëndisë
Alef
1 Ah, Zoti e nxiu bijën e Sionit
me zemërimin e vet.
E plandosi nga qielli në tokë
bukurinë e Izraelit.
Nuk iu kujtua shtroja e këmbëve
në ditën e zemërimit të vet.
Bet
2 Banishtat e Jakobit i përpiu Zoti,
të tëra pa mëshirë.
I shkatërroi me zemërim
fortesat e bijës së Judës,
shembi përtokë e fëlliqi
mbretërinë e krerët e saj.
Gimel
3 Goditi me furinë e zemërimit të vet
fuqinë e Izraelit.
E rrudhi të djathtën e vet përballë armikut,
ndezi te Jakobi diçka si zjarr flakërues,
që përpin rreth e rrotull.
Dalet
4 Dora e djathtë e tij porsi ngucësi,
si armiku e ndehu harkun.
Ata që na i kënaqnin sytë, i vrau
në tendën e bijës së Sionit.
E zbrazi tërbimin porsi zjarr.
He
5 Hasëm u duk se u bë Zoti,
e përpiu Izraelin,
ia përpiu të gjitha ndërtesat,
ia rrënoi fortesat,
shtoi vajtimin e ankimin
te bija e Judës.
Vau
6 Vathën ia dhunoi, sikurse kopshtin,
ia rrënoi vendtakimin.
Zoti e fshiu në Sion festën e të shtunën,
poshtëroi mbretin e priftin
me zemërim të furishëm.
Zain
7 Zoti e braktisi altarin e vet,
hoqi dorë nga shenjtërorja e vet,
i la në dorë të armiqve
muret e godinave së saj.
Në tempullin e Zotit dhanë kushtrimin
si në ditën e festës.
Het
8 Hollësisht e mendoi Zoti
rrënimin e mureve të bijës së Sionit:
e mati me pe
e s’hoqi dorë nga rrënimi.
Bëri të vajtueshëm ledhin e murin,
njëherësh ata u shembën.
Tet
9 Toka i përpiu dyert e saj,
shulat ia shkatërroi e ia copëtoi.
Mbreti i saj dhe princat mbetën ndër kombe,
nuk kanë më udhëzime,
deri edhe profetët s’kanë ku të gjejnë
asnjë vegim prej Zotit.
Jod
10 Janë ulur përtokë të heshtur
pleqtë e bijës së Sionit.
Kanë mbuluar kokën me pluhur
e janë veshur me grathore.
Kanë ulur kryet përtokë
vashat e Jerusalemit.
Kaf
11 Kroi i lotëve m’i shteroi sytë,
m’u pështjelluan zorrët,
mëlçia m’u zbraz përtokë
prej thyerjes së bijës së popullit tim,
se u mekën foshnja e ferishtja
në sheshin e qytetit.
Lamed
12 Nënave të veta u thoshin:
«Ku është drithi? Po vera?»,
tek flashkeshin si të lënduar
nëpër sheshet e qytetit
e jepnin shpirt në prehrin e nënave.
Mem
13 Me çfarë të të krahasoj? Me çfarë përngjan,
o bijë e Jerusalemit?
Me çfarë të të përafroj për të të ngushëlluar,
o vashë, bijë e Sionit?
Se i madh sa deti është rrënimi yt,
prandaj kush mund të të shërojë?
Nun
14 Ngatërrueshëm e mashtrueshëm
veguan për ty profetët e tu.
Nuk e zbuluan fajësinë tënde,
që të ta kthenin begatinë,
por panë për ty kumte të rreme e mashtruese.
Samek
15 Sëra e kalimtarëve përplas duart për ty,
fërshëllejnë e tundin kokën
për bijën e Jerusalemit:
pse, ky është qyteti për të cilin thoshin:
«Bukuria e përsosur,
ngazëllimi i mbarë dheut!»?
Fe
16 Fërshëllejnë e kërcëllijnë dhëmbët,
hapin gojën kundër teje armiqtë e tu
e thonë: «E përlamë!
Këtë ditë prisnim,
ia arritëm dhe e pamë!».
Ain
17 Atë që e kishte vendosur,
e bëri Zoti,
e mbajti fjalën e vet
që e kishte dhënë si urdhër kaherë.
Rrënoi pa mëshirë,
e gëzoi armikun,
ngasësit i dha fuqi.
Cade
18 Curril le të derdhen lotët ditë e natë,
le ta thërrasë Zotin zemra jote,
o muri i bijës së Sionit.
Mos pusho e të mos prehet
bebja e syrit tënd.
Kof
19 Këndellu, klith natën,
natën kur fillon ndërresa,
zbraze zemrën si ujë
para fytyrës së Zotit.
Ngriji duart drejt tij
që të marrin frymë fëmijët e tu,
ata që i mundon uria
në krye të çdo rruge.
Resh
20 Ruajna, o Zot, e shiko!
Me kë u solle kështu?
A duhet të përpijnë gratë pjellën e vet,
fëmijët plot shëndet?
A duhet të vriten në shenjtëroren e Zotit
priftërinjtë e profetët?
Sin
21 Shtrihen përtokë rrugëve të rinj e pleq,
vashat e djelmoshat i këputi shpata.
Vrave ditën e zemërimit tënd,
there pa mëshirë.
Tau
22 Ti i mblodhe tmerruesit e mi përreth
si për festë.
Në ditën e zemërimit të Zotit
askush nuk mbeti gjallë.
Ata që kisha lindur e mëkuar
armiku i shfarosi.