Vajtimet 1

Vajtim për qytetin e rrënuar

a Alef

Ah, sa e vetmuar mbeti qyteza

dikur shumë e populluar!

Mbeti e ve madhështorja ndër kombe,

princesha e krahinave u nënshtrua.

Bet

Bërtet e qan gjatë natës

me lot për faqe,

nuk gjendet asnjë ngushëllues

ndër të gjithë dashnorët e saj.

E tradhtuan të gjithë miqtë

e iu bënë armiq.

Gimel

U shpërngul Juda

me pikëllim e skllavërim të rëndë.

Zuri vend ndër kombe,

por nuk gjen prehje.

Të gjithë përndjekësit e kanë shkapërcyer

nëpër ngushtica.

Dalet

Duke vajtuar janë udhët e Sionit,

se nuk ka kush vjen për festa.

Të gjitha portat i janë rrënuar,

priftërinjtë i rënkojnë,

vashat janë në zi,

se i ra fat i hidhur.

He

Hakërruesit e saj u bënë kryeprijës,

armiqtë e saj janë të sigurt,

se Zoti e pikëlloi prej shkeljeve të shumta,

fëmijët iu bënë robër para armikut.

Vau

Vezullimi iku i tëri

prej bijës së Sionit.

Prijësit i janë bërë si drerë

që nuk gjejnë kullotë.

Ikin pa fuqi prej përndjekësve.

Zain

Zë e kujton Jerusalemi,

në ditët e pikëllimit e të përendjes,

të gjitha begatitë e qëmoçme.

Kur popullsia i ra në dorë armikut,

pa i dalë zot askush,

gërgasësit e panë

e u zgërdhinë me shuarjen e tij.

Het

Hidhur mëkatoi Jerusalemi,

prandaj u bë ndyrësirë.

E përçmojnë ata që e nderonin,

se ia panë lakuriqësinë.

Edhe ai vetë rënkon e spërdridhet.

Tet

Tërë papastërti e bëri tunikën

pa u kujtuar për të ardhmen.

U plandos me tmerr

pa asnjë ngushëllim.

«Shikoje, o Zot, pikëllimin tim,

se armiku im u madhërua».

Jod

10 Ja, gërgasësi e ka shtrirë dorën

mbi të gjitha begatitë e tij.

Pa kombet tek hynin në shenjtërore,

ata që pate urdhëruar

të mos hynin në bashkësinë tënde.

Kaf

11 Krejt popullsia e tij rënkon

duke lypur bukë.

Japin gjënë më të shtrenjtë për ushqim,

që t’u kthehet fryma.

Shiko, o Zot, e vërej

sa jam poshtëruar.

Lamed

12 Lojë qenka për të gjithë që kaloni udhës?!

Vëreni e shikoni,

nëse ka brengë si brenga ime,

që më ra mua,

që ma lëshoi Zoti,

kur u ndez zemërimi i tij.

Mem

13 Ma lëshoi zjarrin prej së larti,

e ngërtheu në eshtrat e mia.

Më hodhi rrjetën këmbëve,

më ktheu përmbys.

Më bëri të shkretë,

leckë të përmuajshmesh përngaherë.

Nun

14 Në zgjedhë m’u lidhën shkeljet,

u thurën me dorën e tij.

Më rëndojnë në qafë,

më është mekur fuqia.

Zoti më la në dorën e tyre

e nuk mund t’u bëj ballë.

Samek

15 Sojin e trimave të mi e

e përmbysi Zoti mes meje.

Ai më caktoi një kohë

për të m’i shtypur të rinjtë.

Në tork e shtrydhi Zoti

virgjëreshën, bijën e Judës.

Ain

16 Ajo është arsyeja pse qaj.

Sytë më derdhin lot,

se m’u largua ngushëlluesi,

ai që ma përtërin shpirtin.

Bijtë e mi u shkretuan,

se armiku ngadhënjeu.

Fe

17 Shtrin duart Sioni,

por nuk ka ngushëllues për të.

Zoti  dha urdhër për Jakobin

të rrethohej me armiq.

Jerusalemi u bë leckë të përmuajshmesh mes tyre.

Cade

18 Cenova fjalën e tij,

prandaj i drejtë është Zoti.

Dëgjomëni, o popuj të gjithë,

shikojeni brengën time!

Vashëzat e djelmoshat e mi

shkuan në robëri.

Kof

19 Kërkova dashnorët e mi,

por më mashtruan.

Priftërinjtë e pleqtë e mi

në qytet u vranë,

tek lypnin të hanin

për të përtërirë frymën.

Resh

20 Rënkimin tim shikoje, o Zot!

M’u pështjelluan zorrët,

më dridhet zemra në kraharor,

se u tregova kryeneç.

Përjashta është shpata shfarosëse,

në shtëpi, si të ketë hyrë vdekja.

Sin

21 Shëmimin tim e dëgjojnë,

por s’gjendet ngushëllues për mua.

Tërë armiqtë e dëgjuan rënkimin tim,

u gëzuan, se ti e ke shkaktuar.

Sille ditën që pate shpallur

e do të bëhen si unë.

Tau

22 Të dalë para teje tërë ligësia e tyre,

vepro me ta siç veprove me mua,

për shkak të tërë shkeljeve të mia,

se të shumta janë rënkimet e mia

e po më lëshon zemra.


 a1.0 Kapitujt 1, 2, 3 dhe 4 quhen akrostik. Çdo strofë e tyre fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik. Në kap. 3 e njëjta shkronjë përsëritet tri herë rradhazi dhe pastaj vijohet me pasardhësen.