Luka

Luka 24

Ditën e parë pas së shtunës, herët në mëngjes, gratë erdhën te varri me vajrat erëmirë që kishin përgatitur. Ato e gjetën gurin të rrokullisur nga varri, u futën brenda, por nuk e gjetën trupin e Zotit Jezu. Ndërsa ishin të hutuara nga kjo gjë, papritur u shfaqën përbri tyre dy burra me rroba vezulluese. Gratë i zuri frika e ranë me fytyrë përdhe, por burrat u thanë: «Përse e kërkoni të gjallin ndër të vdekurit? Ai nuk është këtu. Është ngjallur. Kujtohuni se çfarë ju tha kur ishte në Galile, sesi Biri i njeriut duhej t’u dorëzohej mëkatarëve, të kryqëzohej e të tretën ditë të ngjallej». Ato kujtuan fjalët e tij dhe kur u kthyen nga varri, u treguan gjithçka të njëmbëdhjetëve e të gjithë të tjerëve. 10 Ishin Maria Magdalena, Joana, Maria nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që rrinin me to. Ato ua treguan këto gjëra apostujve, 11 por atyre iu dukën të pakuptimta këto fjalë e nuk u besuan.

12 Megjithatë Pjetri u ngrit e vrapoi te varri. U përkul e shikoi brenda. Ai pa vetëm pëlhurat e u kthye në shtëpi i mrekulluar për çfarë kishte ndodhur.

Rrugës për Emaus

(Mk 16.12-13)

13 Në të njëjtën ditë, dy prej tyre po shkonin në një fshat me emrin Emaus që është rreth njëmbëdhjetë kilometra nga Jerusalemi. 14 Ata po flisnin me njëri-tjetrin rreth të gjitha gjërave që kishin ndodhur. 15 Ndërsa flisnin e bisedonin, Jezui iu afrua dhe eci bashkë me ta, 16 por diçka i pengonte ta njihnin. 17 Ai u tha: «Për çfarë po bisedonit me njëri-tjetrin duke ecur?». Ata u ndalën të trishtuar. 18 Atëherë njëri prej tyre, që quhej Kleopa, iu përgjigj: «A je ti i vetmi i huaj në Jerusalem që nuk e di çfarë ka ndodhur aty këto ditë?». 19 Ai i pyeti: «Çfarë?». Ata i thanë: «Gjërat rreth Jezuit të Nazaretit që ishte profet i fuqishëm me vepra e me fjalë para Perëndisë e para gjithë njerëzve 20 dhe sesi kryepriftërinjtë dhe krerët tanë e dorëzuan që të dënohej me vdekje dhe e kryqëzuan. 21 Ne shpresonim se ai do ta shpengonte Izraelin, por u bënë tri ditë që kur kanë ndodhur këto gjëra. 22 Disa gra nga grupi ynë na kanë çuditur. Ato ishin sot në mëngjes herët te varri 23 dhe, pasi nuk e gjetën aty trupin e tij, erdhën e na thanë se u janë shfaqur engjëj që u kanë thënë se ai është gjallë. 24 Disa nga ata që ishin me ne shkuan te varri dhe e gjetën ashtu siç u kishin thënë gratë, por atë nuk e panë».

25 Atëherë ai u tha: «O të pamend e të ngadaltë për të besuar çfarë kanë thënë të gjithë profetët! 26 A nuk duhej që Krishti të vuante këto gjëra e pastaj të hynte në lavdinë e tij?». 27 Pastaj ai u shtjelloi të gjitha Shkrimet që flisnin për të, duke filluar nga Moisiu deri te të gjithë profetët.

28 Kur iu afruan fshatit ku po shkonin, Jezui eci përpara, sikur donte të vazhdonte, 29 por ata iu lutën shumë e i thanë: «Rri me ne, se po vjen mbrëmja e dita gati mbaroi». Atëherë ai shkoi e ndenji me ta. 30 Kur ishte në tryezë me ta, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu e ua dha atyre. 31 Atëherë atyre iu hapën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej tyre. 32 Ata i thanë njëri-tjetrit: «A nuk na digjte zemra kur na fliste gjatë udhës e kur na çelte Shkrimet?». 33 Në atë çast u ngritën e shkuan në Jerusalem, ku gjetën të njëmbëdhjetët e të tjerët që ishin me ta e që po rrinin së bashku. 34 Ata thoshin: «Zoti është ngjallur me të vërtetë dhe i është shfaqur Simonit». 35 Atëherë dy dishepujt u treguan çfarë kishte ndodhur gjatë udhës dhe sesi u ishte bërë i njohur në thyerjen e bukës.

Jezui u shfaqet dishepujve

(Mt 28.16-20; Mk 16.14-18; Gjn 20.19-23; Vp 1.6-8)

36 Ndërsa po flisnin për këto gjëra, Jezui qëndroi mes tyre e u tha: «Paqja me ju!». 37 Ata u trembën e i zuri frika duke menduar se po shihnin një shpirt. 38 Por ai u tha: «Përse keni frikë e përse lindin dyshime në zemrat tuaja? 39 Shikojini duart e mia e këmbët e mia. Jam unë. Prekmëni e shikoni. Shpirti nuk ka mish e kocka siç shihni se kam unë». 40 Dhe, pasi tha këto, u tregoi duart e këmbët. 41 Ndërsa ata ende nuk po besonin nga gëzimi dhe çuditeshin, Jezui u tha: «A keni ndonjë gjë për të ngrënë?». 42 Ata i dhanë një copë peshk të pjekurth43 Ai e mori dhe e hëngri në praninë e tyre.

44 Atëherë u tha: «Këto fjalë jua thashë kur isha ende me ju: gjithçka që është shkruar për mua në ligjin e Moisiut, te Profetët e te Psalmet, duhet të përmbushet». 45 Pastaj ua hapi mendjet që të kuptonin Shkrimet 46 e u tha: «Është shkruar se Krishti duhet të vuajë e të ngjallet prej të vdekurve të tretën ditë 47 dhe të gjitha kombeve do t’u shpallet pendimi e falja e mëkateve, duke filluar nga Jerusalemi. 48 Ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave. 49 Ja, unë po ju dërgoj premtimin e Atit tim, prandaj rrini këtu në qytet derisa të visheni me pushtet nga lart».

Ngritja në qiell

(Mk 16.19-20; Vp 1.9-11)

50 Pastaj u priu deri në Betani, ngriti duart e i bekoi. 51 Ndërsa po i bekonte, u largua prej tyre e u mor në qiell. 52 Ata e adhuruan e u kthyen me gëzim të madh në Jerusalem 53 ku rrinin pareshtur në tempull dhe bekonin Perëndinë.


 th24.42 dorëshk. të tjera edhe: dhe hoje mjalti

Luka 23

Te Pilati

(Mt 27.1-2, 11-14; Mk 15.1-5; Gjn 18.28-38)

Atëherë tërë turma e tyre u ngrit, e çuan Jezuin te Pilati dhe filluan ta padisnin kështu: «E zumë këtë njeri duke e nxjerrë popullin tonë nga udha. Ai ndalon t’i paguhen taksat Cezarit, e quan veten Krisht e thotë se është mbret». Atëherë Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». Atëherë Pilati u tha kryepriftërinjve e turmave: «Nuk gjej asnjë faj te ky njeri». Por ata ngulnin këmbë e thoshin: «Ai e ngre popullin në këmbë duke mësuar njerëzit nëpër tërë Judenë, që nga Galilea deri këtu».

Te Herodi

Kur e dëgjoi këtë, Pilati pyeti nëse ky njeri ishte galileas. Si mori vesh se Jezui vinte nga krahina që qeverisej prej Herodit, e dërgoi tek ai, meqenëse Herodi gjendej në Jerusalem ato ditë. Kur e pa Jezuin, Herodi u gëzua shumë. Ai kishte shumë kohë që donte ta shihte, sepse kishte dëgjuar për Jezuin e shpresonte ta shihte duke bërë ndonjë shenjë. Ai e pyeti gjatë, por Jezui nuk iu përgjigj. 10 Aty ishin edhe kryepriftërinjtë e shkruesit, të cilët e padisnin plot zemërim. 11 Edhe Herodi me ushtarët e vet e tallën dhe e përqeshën Jezuin. Pastaj i hodhën mbi supe një veshje të shndritshme dhe e dërguan te Pilati. 12 Atë ditë Herodi e Pilati u bënë miq me njëri-tjetrin, sepse më parë kishin qenë në armiqësi.

Dënimi me vdekje

(Mt 27.15-26; Mk 15.6-15; Gjn 18.39—19.16)

13 Atëherë Pilati thirri kryepriftërinjtë, krerët dhe popullin 14 e u tha: «Më keni sjellë këtë njeri e më thoni se ai e nxjerr popullin nga udha. Ja, unë e hetova para syve tuaj, por nuk e gjeta te ky njeri fajin për të cilin e padisni 15 dhe as Herodi, sepse ai e ktheu te ne. Ky nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen. 16-17 Prandaj do ta ndëshkoj e do ta lirojs». 18 Atëherë ata bërtitën të gjithë së bashku: «Vrite këtë e na liro Barabën». 19 Barabën e kishin futur në burg për një kryengritje që kishte ndodhur në qytet dhe për vrasje. 20 Pilati, që dëshironte ta lironte Jezuin, iu drejtua përsëri atyre, 21 por ata bërtisnin e thoshin: «Kryqëzoje, kryqëzoje!». 22 Për të tretën herë ai u tha: «Përse, ç’të keqe ka bërë? Nuk kam gjetur tek ai asnjë faj për ta dënuar me vdekje, prandaj do ta ndëshkoj e do ta liroj». 23 Por ata ngulnin këmbë dhe kërkonin me britma të mëdha që të kryqëzohej. Ulërimat e tyre bëheshin gjithnjë e më të forta. 24 Atëherë Pilati vendosi t’u plotësohej kërkesa. 25 Liroi njeriun që kishin kërkuar, atë që ishte futur në burg për kryengritje e vrasje, dhe u dorëzoi Jezuin, siç dëshironin ata.

Kryqëzimi

(Mt 27.32-44; Mk 15.21-32; Gjn 19.17-27)

26 Ndërsa po e çonin për ta kryqëzuar, morën njëfarë Simoni nga Kirena, i cili po vinte nga ara dhe i ngarkuan kryqin që ta mbartte pas Jezuit. 27 Një turmë e madhe njerëzish shkonin pas tij. Mes tyre ishin edhe disa gra që rrihnin kraharorin e qanin për të, 28 por Jezui u kthye drejt tyre e u tha: «Bija të Jerusalemit, mos qani për mua, por qani për veten dhe për fëmijët tuaj. 29 Po vijnë ditët në të cilat do të thuhet: “Lum shterpat, lum ato që nuk lindën kurrë dhe gjinjtë që nuk mëkuan!”.

30 Atëherë do të fillojnë t’u thonë maleve:

“Bini mbi ne”

dhe kodrave:

“Na mbuloni!”.

31 Dhe nëse bëjnë kështu me drurin e njomë, çfarë do të ndodhë me të thatin?».

32 Ata sollën edhe dy keqbërës të tjerë për t’i kryqëzuar bashkë me Jezuin. 33 Kur arritën te vendi që quhej: «Kafka», kryqëzuan aty Jezuin dhe të dy keqbërësit, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij.

34 Pastaj Jezui tha: «Atë, fali, se nuk dinë çfarë bëjnësh».

Dhe ata hodhën short për të ndarë rrobat e tij.

35 Populli rrinte aty e shikonte, ndërsa krerët e përqeshnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi. Nëse ai është Krishti i Perëndisë, i Zgjedhuri, le ta shpëtojë veten». 36 Edhe ushtarët e përqeshnin. Ata erdhën, i sollën uthull 37 e i thanë: «Nëse je mbreti i judenjve, shpëto veten!». 38 Mbi të gjendej ky mbishkrimt: «Ky është mbreti i judenjve».

39 Njëri nga keqbërësit e varur në kryq e fyente duke i thënë: «A nuk je ti Krishti? Shpëto veten dhe ne!». 40 Por tjetri e qortoi e i tha: «A nuk e druan Perëndinë, ti që po vuan të njëjtin dënim si ai? 41 Ne jemi dënuar me të drejtë, se po marrim ndëshkimin e merituar për ato që kemi bërë, ndërsa ky nuk ka bërë asnjë të keqe». 42 Pastaj tha: «Jezu, kujtohu për mua kur të shkosh në mbretërinë tënde». 43 Jezui iu përgjigj: «Me të vërtetë po të them, sot ti do të jesh me mua në parajsë».

Vdekja

(Mt 27.45-46; Mk 15.33-41; Gjn 19.28-30)

44 Aty nga mesdita, errësira mbuloi gjithë tokën deri në orën tre pasdite. 45 Dielli u zu e veli i tempullit u gris më dysh. 46 Atëherë Jezui thirri me zë të lartë e tha: «Atë, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim». Pasi tha këto, dha shpirt.

47 Kur pa çfarë kishte ndodhur, kryeqindësi përlëvdoi Perëndinë e tha: «Me të vërtetë ky njeri ishte i drejtë».

48 Të gjitha turmat që ishin mbledhur aty për të parë këtë ngjarje, panë se çfarë ndodhi e u kthyen duke rrahur kraharorin. 49 Ndërsa të gjithë të njohurit e tij, bashkë me gratë që e kishin ndjekur që nga Galilea, rrinin në njëfarë largësie dhe shikonin këto gjëra.

Varrimi

(Mt 27.57-61; Mk 15.42-47; Gjn 19.38-42)

50 Aty ishte një njeri i mirë e i drejtë me emrin Jozef. Ai ishte anëtar i sinedrit, 51 por nuk e kishte miratuar vendimin dhe veprimin e të tjerëve. Jozefi ishte nga Arimateja, një qytet i Judesë, dhe priste mbretërinë e Perëndisë. 52 Ai shkoi te Pilati dhe i kërkoi trupin e Jezuit. 53 Atëherë e zbriti nga kryqi, e mbështolli me një pëlhurë prej liri dhe e vendosi në një varr të hapur në shkëmb, ku nuk ishte vënë ende askush.

54 Ishte e premte, duke u gdhirë e shtunë. 55 Gratë, që kishin ardhur nga Galilea me Jezuin, e ndoqën pas Jozefin. Ato e panë varrin dhe sesi ishte vendosur trupi i Jezuit. 56 Pastaj u kthyen dhe përgatitën vajra erëmirë e mirrë.

Ngjallja

(Mt 28.1-10; Mk 16.1-8; Gjn 20.1-10)

Të shtunën pushuan sipas ligjit.


 s23.16 dorëshk. të tjera edhe: 17 Pilati ishte i detyruar të lironte dikë për ta, me rastin e çdo feste

 sh23.34 dorëshkr. të tjera nuk e përmbajnë këtë pjesë të rreshtit

 t23.38 dorëshk. të tjera edhe: me shkronja greke, latine dhe hebraike

Luka 22

Vendimi për ta kapur

(Mt 26.1-5, 14-16; Mk 14.1-2, 10-11; Gjn 11.45-53)

Ndërkaq po afrohej festa e Bukëve të ndorme që quhet Pashkë. Kryepriftërinjtë dhe shkruesit po kërkonin sesi ta vrisnin Jezuin, por kishin frikë nga populli. Atëherë Satani hyri te Juda që quhej Iskariot e që ishte njëri prej të dymbëdhjetëve. Ky shkoi për t’u marrë vesh me kryepriftërinjtë dhe rojat sesi mund t’ua dorëzonte Jezuin. Ata u gëzuan shumë e ranë në një mendje për t’i dhënë para. Kështu Juda pranoi dhe kërkonte rastin që t’ua dorëzonte pa qenë e pranishme turma.

Përgatitja e Darkës së Pashkës

(Mt 26.17-25; Mk 14.12-21; Gjn 13.21-30)

Kur erdhi dita e festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, Jezui dërgoi Pjetrin e Gjonin e u tha: «Shkoni e bëni përgatitjet që të hamë Pashkën». Ata e pyetën: «Ku dëshiron ta përgatisim?». 10 Jezui u tha: «Dëgjoni, kur të hyni në qytet do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Shkojini pas deri te shtëpia ku do të hyjë ai 11 e i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi na ka dërguar të të pyesim: ku është dhoma e pritjes ku mund të ha Pashkën me dishepujt e mi?”. 12 Në katin e sipërm ai do t’ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty shtrojeni darkën».

13 Ata shkuan, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.

Darka e Zotit

(Mt 26.26-30; Mk 14.22-26; 1Ko 11.23-25)

14 Kur erdhi koha, Jezui u ul për të ngrënë bashkë me apostujt. 15 Ai u tha: «Sa shumë kam dëshiruar ta ha këtë Pashkë me ju para se të vuaj, 16 sepse po ju them, nuk do të ha më nga kjo Pashkë, derisa ajo të përmbushet në mbretërinë e Perëndisë».

17 Pastaj mori kupën, tha lutjen e falënderimit e tha: «Merreni e ndajeni këtë mes jush. 18 Unë po ju them se që tani nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, derisa të vijë mbretëria e Perëndisë».

19 Pastaj mori bukën, tha lutjen e falënderimit, e theu, ua dha dishepujve e tha: «Ky është trupi im që jepet për ju. Bëjeni këtë në përkujtimin tim».

20 Po ashtu, pas darkës, bëri edhe me kupën e tha: «Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim që derdhet për ju. 21 Por ja, dora e atij që po më tradhton është me mua në tryezë. 22 Biri i njeriut po shkon sikurse është caktuar, por mjerë ai njeri që e tradhton». 23 Atëherë ata filluan të pyesnin njëri-tjetrin se cili prej tyre do ta bënte këtë gjë.

Kush është më i madhi

24 Mes dishepujve lindi një grindje se kush prej tyre duhej të quhej më i madhi. 25 Por Jezui u tha: «Mbretërit e kombeve sundojnë mbi ta dhe ata që kanë pushtet mbi ta quhen bamirës. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu. Përkundrazi, më i madhi ndër ju duhet të bëhet si më i vogli dhe udhëheqësi si shërbëtori. 27 Kush është më i madh, ai që është në tryezë apo ai që shërben? A nuk është ai që rri në tryezë? Por unë jam mes jush si ai që shërben.

28 Ju jeni ata që keni qëndruar me mua në tundimet e mia 29 dhe unë po ju lë juve në dorë mbretërinë, ashtu si ma la mua Ati im, 30 që ju të mund të hani e të pini në tryezën e mbretërisë sime. Ju do të uleni në frone për të gjykuar dymbëdhjetë fiset e Izraelit».

Parathënia e mohimit të Pjetrit

(Mt 26.31-35; Mk 14.27-31; Gjn 13.36-38)

31 «Simon, Simon, ja, Satani kërkoi t’ju kalojë nëpër shoshë porsi grurin, 32 por unë jam lutur për ty që të mos shterojë besimi yt. Dhe ti, kur të kthehesh, forcoji vëllezërit e tu». 33 Pjetri i tha: «Zot, unë jam gati të vij me ty në burg e në vdekje». 34 Por Jezui iu përgjigj: «Pjetër, unë po të them se sot nuk do të ketë kënduar ende gjeli para se ti të mohosh tri herë që më njeh».

Para, trastë dhe shpatë

35 Pastaj Jezui u tha: «Kur ju dërgova pa para, pa trastë e pa sandale, a ju mungoi gjë?». Ata i thanë: «Asgjë». 36 Atëherë ai u tha: «Por tani, kush ka para, le t’i marrë me vete. Po ashtu edhe kush ka trastë. Dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë gunën e vet e të blejë një shpatë. 37 Unë po ju them se në mua duhet të përmbushet çka është shkruar: u radhit me të paudhët. Se çfarë është thënë për mua po përmbushet». 38 Ata i thanë: «Zot, ja, këtu janë dy shpata». Ai u përgjigj: «Është mjaft».

Lutja në malin e Ullinjve

(Mt 26.36-46; Mk 14.32-42)

39 Jezui doli e shkoi në malin e Ullinjve, siç e kishte zakon, dhe dishepujt shkuan pas tij. 40 Kur arriti atje, u tha dishepujve: «Lutuni që të mos bini në tundim». 41 Pastaj u largua prej tyre sa një e hedhur guri, ra në gjunjë e u lut 42 kështu: «Atë, nëse do, largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, u bëftë jo vullneti im, por i yti!». 43 Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli e i dha forcë. 44 Kur e zuri ankthi i vdekjes, u lut edhe më fort. Atëherë djersa e tij u bë si pika gjaku që binin në tokër45 Si u ngrit nga lutja, erdhi te dishepujt e i gjeti duke fjetur nga trishtimi. 46 Atëherë u tha: «Përse po flini? Ngrihuni e lutuni që të mos bini në tundim».

Tradhtia dhe arrestimi

(Mt 26.47-56; Mk 14.43-50; Gjn 18.3-11)

47 Ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi një turmë së cilës i printe njëri nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë. Ai iu afrua Jezuit për ta puthur, 48 por Jezui i tha: «Judë, me puthje po e tradhton Birin e njeriut?». 49 Kur panë se çfarë po ndodhte, ata që ishin rreth tij i thanë: «Zot, a t’u biem me shpata?». 50 Atëherë njëri prej tyre goditi shërbëtorin e kryepriftit dhe i preu veshin e djathtë, 51 por Jezui tha: «Mjaft me kaq!». Pastaj ia preku veshin dhe e shëroi.

52 Jezui u tha kryepriftërinjve, rojave të tempullit e pleqve që kishin ardhur për të: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 53 Unë isha çdo ditë me ju në tempull e nuk më kapët, por ky është çasti juaj dhe pushteti i errësirës».

Mohimi i Pjetrit

(Mt 26.57-58, 69-75; Mk 14.53-54, 66-72; Gjn 18.12-18, 25-27)

54 Atëherë e kapën Jezuin, e morën dhe e çuan në shtëpinë e kryepriftit, ndërsa Pjetri e ndoqi nga larg. 55 Aty kishin ndezur një zjarr në mes të oborrit, ishin ulur së bashku dhe Pjetri ishte mes tyre. 56 Kur një shërbëtore e pa Pjetrin të ulur pranë zjarrit, ia nguli sytë e tha: «Edhe ky njeri ishte me të». 57 Por Pjetri e mohoi e tha: «Grua, unë nuk e njoh atë». 58 Pak më vonë dikush tjetër e pa Pjetrin e tha: «Edhe ti je një nga ata». Por Pjetri tha: «Nuk jam, o njeri». 59 Pas rreth një ore, edhe një tjetër nguli këmbë e tha: «Është e vërtetë që edhe ky ishte me të, sepse është galileas». 60 Por Pjetri tha: «O njeri, nuk e di për çfarë po flet». Atë çast, ndërsa ai po fliste, këndoi gjeli.

61 Atëherë Zoti u kthye dhe vështroi Pjetrin. Pjetrit iu kujtuan fjalët e Zotit kur i kishte thënë: «Sot, para se të këndojë gjeli, ti do të më mohosh tri herë». 62 Pastaj doli përjashta e qau me hidhërim.

Tallja

(Mt 26.67-68; Mk 14.65)

63 Njerëzit që e ruanin Jezuin e tallnin dhe e rrihnin. 64 Ata ia lidhën sytë dhe e pyesnin: «Gjejerr kush të goditi?». 65 Dhe e fyenin me shumë fjalë të tjera.

Para sinedrit

(Mt 26.59-66; Mk 14.55-64; Gjn 18.19-24)

66 Kur u bë ditë, u mblodhën pleqësia e popullit, kryepriftërinjtë e shkruesit, dhe e çuan Jezuin në sinedrin e tyre 67 e i thanë: «Nëse je Krishti, na e thuaj».

Por Jezui u tha: «Po t’jua them, nuk do të më besoni, 68 dhe po t’ju pyes, nuk do të më përgjigjeni, 69 por që tani Biri i njeriut do të ulet në të djathtën e Perëndisë së pushtetshëm». 70 Atëherë të gjithë thanë: «A je ti, pra, Biri i Perëndisë?». Dhe Jezui u tha: «Ju po e thoni. Unë jam». 71 Dhe ata thanë: «Për çfarë dëshmie tjetër kemi nevojë? E dëgjuam vetë nga goja e tij».


 r22.43-44 dorëshk. të tjera nuk i përmbajnë rr. 43-44

 rr22.64 ose: Profetizo

Luka 21

Dhurata e vejushës

(Mk 12.41-44)

Jezui ngriti sytë dhe pa të pasurit tek hidhnin dhuratat e tyre në thesar. Ai pa edhe një vejushë të varfër që hodhi dy monedha të vogla bakri e tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër ka hedhur më shumë se ata të gjithë, sepse ata hodhën nga tepricat e tyre te dhuratat e thesarit, ndërsa ajo dha nga varfëria e saj gjithçka që kishte për të jetuar».

Parathënia e shkatërrimit të tempullit

(Mt 24.1-2; Mk 13.1-2)

Kur disa po flisnin për tempullin, sesi ishte i stolisur me gurë të bukur dhe i zbukuruar me dhurata kushtuar Perëndisë, Jezui tha: «Do të vijnë ditë kur, nga këto që po shihni, nuk do të mbesë gur mbi gur pa u rrëzuar».

Shenjat dhe përndjekjet

(Mt 24.3-14; Mk 13.3-13)

Atëherë e pyetën Jezuin: «Mësues, kur do të ndodhin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja se ato po ndodhin?». Ai tha: «Hapni sytë se mos ju mashtrojnë, sepse do të vijnë shumë veta në emrin tim e do të thonë: “Jam unë” ose: “U afrua koha”. Mos shkoni pas tyre. Kur të dëgjoni për luftra e trazira, mos u tmerroni, sepse këto gjëra duhet të ndodhin më parë, por prapë fundi nuk do të vijë menjëherë».

10 Pastaj u tha: «Një komb do të ngrihet kundër një kombi dhe një mbretëri kundër një mbretërie. 11 Do të bien tërmete të mëdha e në disa vende do të ketë zi buke e murtaja. Do të ketë edhe dukuri të frikshme e shenja të mëdha nga qielli, 12 por para se të ndodhin të gjitha këto, do t’ju kapin e do t’ju përndjekin. Do t’ju dorëzojnë nëpër sinagoga e nëpër burgje dhe do t’ju çojnë para mbretërve e qeveritarëve për shkak të emrit tim. 13 Kështu do të mund të dëshmoni. 14 Jini të vendosur e mos u parapërgatitni për vetëmbrojtjen tuaj, 15 sepse unë do t’ju jap zotësinë për të folur dhe një urti të tillë saqë askush nga kundërshtarët tuaj nuk do t’i bëjë ballë e nuk do ta kundërshtojë dot. 16 Deri edhe prindërit e vëllezërit, të afërmit e miqtë do t’ju tradhtojnë e do të vrasin disa prej jush. 17 Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, 18 por asnjë fije floku nuk do t’ju bjerë nga koka. 19 Me qëndresën tuaj do të fitoni shpirtrat tuaj».

Paralajmërimi i shkatërrimit të Jerusalemit

(Mt 24.15-21; Mk 13.14-19)

20 «Kur ta shihni Jerusalemin të rrethuar nga ushtritë, atëherë dijeni se shkretimi i tij është afër. 21 Kështu, ata që janë në Jude të arratisen maleve, ata që janë në Jerusalem të dalin jashtë tij dhe ata që janë nëpër fshatra të mos hyjnë në Jerusalem, 22 sepse këto janë ditët e shpagimit, në të cilat do të plotësohet çfarë është shkruar. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëkojnë fëmijë në ato ditë, se do të bjerë mjerim i madh mbi tokë dhe zemërim kundër këtij populli! 24 Ata do të bien nga tehu i shpatës e do të bëhen robër ndër të gjithë kombet dhe Jerusalemi do të shkelet nga kombet, derisa t’u mbarojë koha kombeve».

Ardhja e Birit të njeriut

(Mt 24.29-31; Mk 13.24-27)

25 «Do të ketë shenja në diell, në hënë e në yje. Në tokë kombet do t’i zërë tmerri e ankthi nga buçima e detit dhe e valëve. 26 Njerëzit për pak sa nuk do të vdesin nga frika dhe nga pritja e asaj që është duke rënë mbi botën, sepse pushtetet qiellore do të tranden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me pushtet e me lavdi të madhe. 28 Kur të fillojnë të ndodhin këto gjëra, ngrihuni e ngrijeni kokën, se shpengimi juaj është afër».

Mësimi nga fiku

(Mt 24.32-35; Mk 13.28-31)

29 Pastaj Jezui u tregoi një shëmbëlltyrë: «Shikoni fikun e të gjitha pemët. 30 Sapo të shihni se kanë nxjerrë sytha, ju e dini se po afrohet vera. 31 Kështu edhe ju, kur të shihni se po ndodhin këto gjëra, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Me të vërtetë po ju them se kjo brezni nuk do të kalojë pa ndodhur të gjitha këto gjëra. 33 Qielli e toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë».

Jini syçelët

34 «Ruhuni që të mos ju rëndohen zemrat nëpër shfrenitë, dehjet dhe ankthet e kësaj jete e të mos ju kapë në befasi ajo ditë, 35 si të ishte një kurth. Ajo do të bjerë mbi të gjithë ata që jetojnë në mbarë faqen e dheut. 36 Prandaj jini të vëmendshëm gjatë gjithë kohës e lutuni që të mund t’u ikni të gjitha këtyre gjërave që do të ndodhin e që të mund të qëndroni para Birit të njeriut».

37 Gjatë ditës Jezui mësonte njerëzit në tempull, ndërsa natën e kalonte në një vend që quhej mali i Ullinjve. 38 Gjithë populli zgjohej herët në mëngjes për të dëgjuar Jezuin në tempull.

Luka 20

Pushteti i Jezuit

(Mt 21.23-27; Mk 11.27-33)

Një ditë, kur Jezui po mësonte njerëzit në tempull e po u shpallte të gjithëve ungjillin, erdhën kryepriftërinjtë, shkruesit dhe pleqtë e i thanë: «Na thuaj, me ç’pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet?». Jezui u tha: «Edhe unë kam një pyetje për ju: më thoni, pagëzimi i Gjonit vinte prej qiellit apo prej njerëzve?». Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. Po të themi “prej njerëzve”, populli do të na vrasë me gurë, sepse është i bindur se Gjoni ishte profet». Prandaj iu përgjigjën: «Nuk e dimë prej nga vinte». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç’pushtet i bëj këto gjëra».

Vreshti dhe vreshtarët

(Mt 21.33-46; Mk 12.1-12)

Jezui filloi t’i tregonte popullit këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri mbolli një vresht, ua dha disa vreshtarëve me qira e u largua në një vend të huaj për një kohë të gjatë. 10 Kur erdhi koha e të vjelave, dërgoi një shërbëtor te vreshtarët që t’i jepnin pjesën e tij nga prodhimi i vreshtit, por vreshtarët e rrahën dhe e nisën duarzbrazët. 11 Pastaj dërgoi një shërbëtor tjetër. Edhe atë e rrahën, e shanë dhe e nisën duarzbrazët. 12 Përsëri dërgoi një të tretë, por edhe këtë e plagosën dhe e dëbuan. 13 Atëherë i zoti i vreshtit tha: “Çfarë të bëj? Do të dërgoj birin tim të dashur, se ndoshta për të do të kenë respekt”. 14 Por kur e panë të birin, vreshtarët i thanë njëri-tjetrit: “Ky është trashëgimtari. Ta vrasim e kështu trashëgimia bëhet e jona”. 15 Pastaj e dëbuan nga vreshti dhe e vranë.

Çfarë do t’u bëjë atyre i zoti i vreshtit? 16 Ai do të vijë e do t’i vrasë ata vreshtarë e do t’ua japë vreshtin të tjerëve». Kur e dëgjuan këtë gjë, njerëzit thanë: «Larg qoftë!». 17 Por Jezui hodhi sytë drejt tyre e tha: «Çfarë do të thotë ky Shkrim:

guri që ndërtuesit e hodhën tej,

u bë guri i qoshes?

18 Kushdo që bie mbi atë gur, do të bëhet copë dhe, nëse ai gur bie mbi ndonjërin, do ta copëtojë».

19 Shkruesit dhe kryepriftërinjtë e kuptuan që Jezui e kishte thënë këtë shëmbëlltyrë kundër tyre, prandaj donin ta kapnin që në atë çast, por kishin frikë nga populli.

Taksa e Cezarit

(Mt 22.15-22; Mk 12.13-17)

20 Dhe filluan ta vëzhgonin me kujdes Jezuin, prandaj i vunë spiunë që shtireshin sikur ishin njerëz të drejtë, me qëllim që ta zinin gabim në ndonjë fjalë dhe t’ia dorëzonin parisë e pushtetit të qeveritarit. 21 Ata e pyetën: «Mësues, ne e dimë se flet e mëson drejt dhe nuk ndikohesh nga njeri, por u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë. 22 A është e lejueshme t’i paguajmë taksa Cezarit apo jo?». 23 Por Jezui e kuptoi dinakërinë e tyre e u thap24 «Më tregoni një monedhë. Figurën dhe mbishkrimin e kujt mban kjo monedhë?». Ata i thanë: «Të Cezarit». 25 Jezui u tha: «Atëherë, jepini Cezarit ç’është e Cezarit dhe Perëndisë ç’është e Perëndisë».

26 Kështu, ata nuk mundën ta zinin në fjalë para popullit dhe, të mrekulluar me përgjigjen e tij, heshtën.

Çështja e ngjalljes

(Mt 22.23-33; Mk 12.18-27)

27 Atëherë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, 28 prandaj e pyetën: «Mësues, Moisiu na ka lënë të shkruar: nëse një njeriu i vdes vëllai dhe lë pas gruan pa fëmijë, ky duhet të martohet me gruan e ve për t’i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 29 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua e vdiq pa lënë fëmijë. 30 I dytiq 31 e pastaj i treti u martuan me gruan e tij dhe që të shtatë nuk lanë fëmijë kur vdiqën. 32 Në fund vdiq edhe gruaja. 33 Pas ngjalljes, gruaja e kujt do të jetë ajo, meqenëse të shtatë e patën për grua?». 34 Jezui u tha: «Bijtë e kësaj bote martohen e martojnë, 35 por ata që janë vlerësuar të denjë t’i përkasin botës tjetër e të arrijnë ngjalljen prej të vdekurve, as martohen, as martojnë. 36 Ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, meqenëse janë bij të ngjalljes. 37 Edhe Moisiu e ka treguar se të vdekurit do të ngjallen kur, te shkurrja, e quan Zotin, Perëndi të Abrahamit, Perëndi të Isakut e Perëndi të Jakobit. 38 Pra, ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për Perëndinë». 39 Atëherë disa nga farisenjtë i thanë: «Mësues, fole mirë». 40 Dhe nuk guxonin ta pyesnin më.

Biri i Davidit

(Mt 22.41-46; Mk 12.35-37)

41 Pastaj Jezui u tha: «Si mund të thonë se Krishti është Biri i Davidit? 42 Davidi vetë thotë në librin e Psalmeve:

i tha Zoti, Zotit tim:

ulu në të djathtën time,

43 derisa t’i vë armiqtë e tu

si shtrojë e këmbëve të tua.

44 Nëse Davidi e quan Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».

Qortimi për shkruesit

(Mt 23.1-36; Mk 12.38-40; Lk 11.37-54)

45 Kur gjithë populli po dëgjonte, Jezui u tha dishepujve të vet: 46 «Ruhuni nga shkruesit, të cilëve u pëlqen të shëtisin me veshje të gjata e dëshirojnë t’i përshëndesin nëpër sheshe, të zënë vendet e para nëpër sinagoga dhe vendet e nderit nëpër festa. 47 Ata përlajnë gjithçka nga shtëpitë e vejushave e thonë lutje të gjata për t’u dukur. Kështu, ata do të marrin një dënim më të rëndë».


 p20.23 dorëshk. të tjera edhe: Përse më tundoni?

 q20.30 dorëshk. të tjera edhe: e mori për grua dhe vdiq pa lënë fëmijë

Luka 19

Jezui dhe Zakeu

Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t’ia kthej katërfish». Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.

10 Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».

Dhjetë monedhat

(Mt 25.14-30)

11 Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. 12 Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. 13 Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. 14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t’i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. 15 Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. 16 Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. 17 Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. 18 Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. 19 Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. 20 Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, 21 se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. 22 Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? 23 Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. 24 Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. 25 Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. 26 Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka. 27 Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».

Hyrja në Jerusalem

(Mt 21.1-11; Mk 11.1-11; Gjn 12.12-19)

28 Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. 29 Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve 30 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. 31 Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». 32 Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. 33 Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 34 Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».

35 Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 36 Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. 37 Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. 38 Ata thoshin:

«Bekuar qoftë mbreti

që vjen në emër të Zotit!

Paqe në qiell

e lavdi në lartësitë e qiejve!».

39 Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». 40 Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».

41 Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të 42 e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. 43 Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».

Pastrimi i tempullit

(Mt 21.12-17; Mk 11.15-19; Gjn 2.13-22)

45 Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. 46 Dhe u tha: «Është shkruar:

shtëpia ime

është shtëpi lutjeje,

por ju e keni bërë shpellë kusarësh».

47 Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, 48 por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.

Luka 18

Vejusha dhe gjykatësi

Pastaj Jezui u tha një shëmbëlltyrë për t’u treguar se duhet të luten gjithmonë, pa hequr dorë.

Ai u tha: «Në një qytet ishte një gjykatës që nuk e druante Perëndinë e as kishte respekt për njerëzit. Në atë qytet gjendej edhe një vejushë që shkonte tek ai e i thoshte: “Më jep të drejtë para kundërshtarit tim!”. Për njëfarë kohe ai nuk donte, por pastaj tha me vete: “Edhe pse nuk e druaj Perëndinë e as kam respekt për njerëzit, meqë kjo vejushë po më shqetëson, do t’ia jap të drejtën, se përndryshe, duke ardhur pareshtur, do të më bëjë ta humb durimin”».

E Zoti tha: «Dëgjoni çfarë thotë gjykatësi i padrejtë. Po Perëndia, a nuk do të vendosë drejtësi për të zgjedhurit e tij që e thërrasin ditë e natë? A do të vonohet t’i ndihmojë? Unë po ju them se ai do të vendosë shpejt drejtësi. Por prapëseprapë, kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë ende besim në tokë?».

Fariseu dhe tagrambledhësi

Edhe disave që e mbanin veten si të drejtë dhe përçmonin të tjerët, Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: 10 «Dy njerëz shkuan për t’u lutur në tempull. Njëri ishte farise, tjetri tagrambledhës. 11 Fariseu rrinte në këmbë e lutej duke thënë me vete: “Perëndi, unë të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, vjedhës, i padrejtë, burrë që bën tradhti bashkëshortore apo si ky tagrambledhës. 12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe jap të dhjetën e gjithë të ardhurave të mia”. 13 Ndërsa tagrambledhësi që rrinte larg e nuk guxonte as të ngrinte sytë drejt qiellit, godiste gjoksin e thoshte: “Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin!”.

14 Unë po ju them: ky njeri e jo fariseu u kthye në shtëpi i bërë i drejtë nga Perëndia. Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet dhe kush e përul vetveten, do të lartësohet».

Bekimi i fëmijëve

(Mt 19.13-15; Mk 10.13-16)

15 Disa njerëz sillnin foshnjat te Jezui, që ai t’i prekte, por kur i shihnin, dishepujt i ndalonin. 16 Atëherë Jezui i thirri fëmijët pranë vetes e tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, sepse mbretëria e Perëndisë u përket atyre që janë si ata. 17 Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të».

Njeriu i pasur

(Mt 19.16-30; Mk 10.17-31)

18 Një nga krerët e judenjve e pyeti: «Mësues i mirë, ç’duhet të bëj që të trashëgoj jetën e amshuar?». 19 Jezui i tha: «Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç Perëndisë. 20 Ti i njeh urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh, mos bëj dëshmi të rreme, ndero atin tënd e nënën tënde!». 21 Atëherë ai i tha: «Të gjitha këto i kam bërë që nga rinia ime». 22 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Të mungon vetëm një gjë: shit gjithçka që ke, jepua të varfërve e do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e më ndiq!». 23 Por kur i dëgjoi këto, ai u trishtua, se ishte shumë i pasur.

24 Jezui pa se ai u trishtua, prandaj tha: «Sa e vështirë është për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Është më e lehtë të kalojë një deve nëpër vrimën e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë». 26 Ata që po e dëgjonin e pyetën: «Po atëherë, kush do të mund të shpëtohet?». 27 Jezui u përgjigj: «Ajo që është e pamundur për njerëzit, është e mundur për Perëndinë».

28 Atëherë Pjetri i tha: «Ja, ne lamë gjithçka kishim dhe erdhëm pas teje». 29 Dhe Jezui u përgjigj: «Me të vërtetë po ju them se askush nga ata që kanë lënë shtëpi a grua, vëllezër a fëmijë për shkakun e mbretërisë së Perëndisë, 30 nuk do të mbetet pa marrë shumë më tepër në këtë kohë dhe do të marrë jetën e amshuar në botën tjetër».

Paralajmërimi sërish i Pashkës

(Mt 20.17-19; Mk 10.32-34)

31 Jezui i mori mënjanë të dymbëdhjetët e u tha: «Po shkojmë në Jerusalem dhe gjithçka që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushet. 32 Ai do t’u dorëzohet kombeve që do ta tallin, do ta shajnë e do ta pështyjnë 33 dhe, pasi ta kenë fshikulluar, do ta vrasin, por ditën e tretë ai do të ngjallet». 34 Ata nuk kuptuan asgjë, sepse ajo që u tha Jezui ishte e fshehtë për ta dhe nuk e morën vesh çfarë tha.

Shërimi i lypësit të verbër

(Mt 20.29-34; Mk 10.46-52)

35 Ndërsa Jezui po i afrohej Jerikosë, një i verbër rrinte ulur ndanë udhës e lypte. 36 Kur dëgjoi se po kalonte një turmë, pyeti se çfarë po ndodhte. 37 Ata i thanë: «Po kalon Jezui i Nazaretit». 38 Atëherë ai thirri me zë të lartë: «Jezu, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 39 Ata që ecnin përpara e urdhëruan të heshtte, por ai thirri edhe më fort: «Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!». 40 Jezui ndaloi e urdhëroi t’i sillnin të verbrin. Kur ai u afrua, Jezui e pyeti: 41 «Çfarë dëshiron të bëj për ty?». Ai i tha: «Zot, dua të shoh përsëri!». 42 Dhe Jezui i tha: «Shih përsëri! Besimi yt të shpëtoi». 43 Atij iu kthye menjëherë shikimi e shkoi pas Jezuit, duke përlëvduar Perëndinë. Të gjithë ata që e panë, lavdëruan Perëndinë.

Luka 17

Shkaktar për mëkat

(Mt 18.6-7, 21-22; Mk 9.42)

Jezui u tha dishepujve të vet: «Është e pamundur të mos vijnë pengesat, por mjerë kush i shkakton! Për të do të ishte më mirë të lidhte në qafë një mokër e të hidhej në det, sesa t’u bëhej pengesë këtyre të vegjëlve. Kini kujdes!

Nëse vëllai yt mëkaton, qortoje. Nëse pendohet, fale. Nëse mëkaton kundër teje shtatë herë në ditë e shtatë herë kthehet e të thotë “pendohem”, fale».

Atëherë apostujt i thanë Zotit: «Na e shto besimin!». Dhe Zoti u tha: «Po të kishit besim sa fara e sinapit, do t’i thoshit këtij mani “shkulu që këtu e mbillu në det” dhe ai do t’ju bindej.

Cili nga ju po të kishte një shërbëtor që plugon ose ruan dhentë, do t’i thoshte atij kur të kthehej nga ara: “Eja menjëherë e ulu në tryezë”? A nuk do t’i thoshte: “Ma bëj gati darkën, përvish mëngët e më shërbe që të ha e të pi unë e pastaj mund të hash e të pish edhe ti”? Mos vallë e falënderon shërbëtorin, sepse bëri detyrën?nj 10 Kështu edhe ju, kur të bëni çfarë keni për detyrë, thoni: “Jemi shërbëtorë të padobishëm. Kemi bërë detyrën”».

Pastrimi i dhjetë të lebrosurve

11 Kur po shkonte drejt Jerusalemit, Jezui kaloi përmes Samarisë e Galilesë. 12 Si hyri në një fshat, iu afruan dhjetë të lebrosur. Ata rrinin larg 13 e thërrisnin: «Jezu, mësues, ki mëshirë për ne!». 14 Jezui i pa e u tha: «Shkoni e paraqituni te priftërinjtë». Dhe ndërsa po shkonin, u pastruan. 15 Pastaj njëri prej tyre, kur pa se ishte pastruar, u kthye e përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë. 16 Ai ra përmbys para këmbëve të Jezuit dhe e falënderoi. Ai ishte samaritan. 17 Atëherë Jezui pyeti: «A nuk ishin dhjetë ata që u pastruan? Po nëntë të tjerët, ku janë? 18 Nuk u gjet asnjë prej tyre që të kthehej e t’i jepte lavdi Perëndisë përveç këtij të huaji?». 19 Pastaj i tha atij: «Ngrihu e shko. Besimi yt të shpëtoi».

Ardhja e mbretërisë

(Mt 24.23-28, 37-41)

20 Një herë, kur farisenjtë e pyetën Jezuin se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, Jezui u përgjigj: «Mbretëria e Perëndisë nuk vjen me bujë. 21 Nuk do të thonë: “Ja ku është këtu!” apo: “Ja atje!”. Sepse Mbretëria e Perëndisë është brenda jush».

22 Jezui u tha dishepujve: «Po vijnë ditë në të cilat do të dëshironi të shihni njërën nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Atëherë do t’ju thonë: “Ja ku është atje!” apo: “Ja këtu!”. Mos shkoni atje e mos i ndiqni! 24 Sikurse vetëtima shkëlqen nga qielli dhe e ndriçon atë nga njëri skaj në tjetrin, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij. 25 Por më parë ai duhet të vuajë shumë dhe nuk do të pranohet nga kjo brezni.

26 Dhe sikurse ndodhi në ditët e Noeut, kështu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut. 27 Në atë kohë njerëzit hanin e pinin, martoheshin e martonin deri ditën kur Noeu hyri në arkë e pastaj erdhi përmbytja e përmbyti gjithçka.

28 Sikurse ndodhi edhe në ditët e Lotit, njerëzit hanin e pinin, blinin e shisnin, mbillnin e ndërtonin, 29 por ditën kur Loti u largua nga Sodoma, ra zjarr e squfur nga qielli e i vrau të gjithë, 30 kështu do të ndodhë atë ditë kur do të shfaqet Biri i njeriut. 31 Nëse atë ditë dikush do të ndodhet mbi çati, por do t’i ketë gjërat e veta në shtëpi, të mos zbresë për t’i marrë. Dhe nëse dikush do të ndodhet në arë, as ai të mos kthehet. 32 Kujtoni gruan e Lotit!

33 Kush mundohet ta ruajë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe ai që do ta humbasë jetën e vet, do ta shpëtojë atë. 34 Unë po ju them: atë natë, prej dy vetave që do të jenë në të njëjtin shtrat, njëri do të merret e tjetri do të lihet. 35-36 Prej dy grave që do të jenë te mulliri për të bluar, njëra do të merret e tjetra do të liheto».

37 Pastaj e pyetën: «Po ku, o Zot?». Ai u tha: «Ku është kufoma, mblidhen edhe skifterët».


 nj17.9 dorëshk. të tjera edhe: Mendoj se jo

 o17.35 dorëshk. të tjera edhe: 36 Ndër dy veta që do të gjenden në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet

Luka 16

Shërbëtori i pandershëm

Pastaj Jezui u tha dishepujve të vet: «Një i kamur kishte për kujdestar të pasurisë një njeri, të cilin e paditi se i shpërdoronte pasurinë. Atëherë ai e thirri e i tha: “Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për punën tënde, se nuk mund të jesh më kujdestar i pasurisë”. Kujdestari tha me vete: “Zotëria im do të ma heqë kujdestarinë. Ç’të bëj? Të gërmoj nuk kam fuqi, të lyp kam turp. E di se çfarë do të bëj që kur të më heqin si kujdestar, njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre”. Kështu i thirri një nga një huamarrësit e zotërisë së vet e i tha të parit: “Sa i detyrohesh zotërisë tim?”. Ai i tha: “Njëqind masa vaj”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën, ulu menjëherë e shkruaj pesëdhjetë”. Pastaj pyeti një tjetër: “Po ti, sa i detyrohesh?”. Ai u përgjigj: “Njëqind masa drithë”. Kujdestari i tha: “Ja, merre shkresën e shkruaj tetëdhjetë”. Dhe zotëria i tij e lavdëroi kujdestarin e pandershëm, se kishte vepruar me zgjuarsi.

Bijtë e kësaj bote janë më të zgjuar se bijtë e dritës në marrëdhënie me njëri-tjetrin.

Dhe unë po ju them: bëni miq me anë të pasurive të padrejta, që pasi të mbarojë pasuria, t’ju pranojnë në banesat e tyre të amshuara. 10 Kush është besnik në pak, është besnik edhe në shumë e kush është i pandershëm në pak, është i pandershëm edhe në shumë. 11 Nëse nuk keni qenë besnikë në pasuritë e pandershme, kush do t’jua besojë pasuritë e vërteta? 12 Dhe nëse nuk keni qenë besnikë në atë që i përket dikujt tjetër, kush do t’jua japë atë që është juaja?

13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».

Ligji dhe mbretëria

(Mt 11.12-13)

14 Farisenjtë, që janë lakmitarë parash, dëgjonin gjithçka dhe e përqeshnin Jezuin. 15 Atëherë ai u tha: «Ju jeni ata që para njerëzve shfaqeni si të drejtë, por Perëndia i njeh zemrat tuaja. Megjithatë, ajo që është e madhërishme për njerëzit, për Perëndinë është fundërrinë.

16 Ligji e profetët ishin deri te Gjoni. Pastaj u shpall ungjilli i mbretërisë së Perëndisë dhe të gjithë mundohen ta fitojnë atë me përpjekje të mëdhan17 Megjithatë, është më e lehtë që të kalojnë qielli e toka, sesa t’i hiqet ligjit qoftë edhe një pikë.

18 Kushdo që e ndan gruan e vet e martohet me një tjetër, bën tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».

Lazari dhe pasaniku

19 «Ishte një njeri i pasur që vishej me rroba purpuri e liri të çmueshëm e jetonte çdo ditë në kamje. 20 Te dera e tij rrinte një i varfër me emrin Lazar. Ai ishte i mbuluar me plagë 21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut. Edhe qentë vinin e i lëpinin plagët. 22 I varfri vdiq dhe engjëjt e çuan të rrinte me Abrahamin. Edhe pasaniku vdiq e u varros. 23 Në skëterrë, ku po vuante torturat, ngriti sytë e pa diku larg Abrahamin me Lazarin përbri. 24 Atëherë tha me zë të lartë: “Atë Abraham, ki mëshirë për mua e dërgoje Lazarin ta ngjyejë gishtin në ujë e të më freskojë gjuhën, se këto flakë po më mundojnë”. 25 Por Abrahami i tha: “Biri im, kujtohu se ti i more të mirat e tua gjatë jetës sate, ndërsa Lazari mori të këqijat. Tani ky gëzon këtu, ndërsa ti vuan. 26 Pastaj, midis jush e nesh është caktuar një hendek i madh, në mënyrë që ata që do të donin të kalonin që këndej te ju, të mos munden dhe askush nuk mund të kalojë që andej te ne”. 27 Pasaniku i tha: “Atëherë, o atë, po të lutem ta dërgosh te shtëpia e tim eti, 28 se kam pesë vëllezër. Le t’i paralajmërojë që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh”. 29 Abrahami u përgjigj: “Kanë Moisiun e profetët. Ata duhet të dëgjojnë”. 30 Ai tha: “Jo, atë Abraham, por nëse shkon dikush nga të vdekurit, do të pendohen”. 31 Abrahami i tha: “Nëse nuk dëgjojnë Moisiun e profetët, atëherë nuk do të binden edhe sikur dikush të ngjallet prej të vdekurve”».


 n16.16 ose: të gjithë përpiqen të hyjnë me forcë

Luka 15

Delja e humbur

(Mt 18.12-14)

Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët po i afroheshin Jezuit për ta dëgjuar. Farisenjtë dhe shkruesit murmurisnin e thoshin: «Ky pranuaka mëkatarët e ha me ta». Atëherë Jezui u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Cili nga ju, nëse ka njëqind dele e njëra prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në shkretëtirë për të kërkuar atë që ka humbur, derisa ta gjejë? Dhe, kur e gjen, e ngarkon mbi shpatulla i gëzuar. Pasi kthehet në shtëpi, mbledh miqtë e vet e të afërmit e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta delen që më kishte humbur”. Unë po ju them se kështu ndodh edhe në qiell. Aty ka më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë që nuk kanë nevojë të pendohen».

Monedha e humbur

«Ose, përsëri, nëse një grua ka dhjetë monedha argjendi dhe njëra i humb, a nuk shkon e ndez një kandil për të ndriçuar shtëpinë, që të kërkojë me kujdes derisa ta gjejë? E pasi e ka gjetur, thërret shoqet e saj e fqinjat e u thotë: “Gëzohuni me mua, se e gjeta monedhën që më kishte humbur”. 10 Unë po ju them: kështu gëzohen edhe engjëjt e Perëndisë për një mëkatar që pendohet».

Djali plëngprishës

11 Pastaj Jezui tha: «Një njeri kishte dy djem. 12 Më i vogli i tha të atit: “Atë, ma jep pjesën e pasurisë që më takon”. Kështu i ati ua ndau pasurinë djemve.

13 Pas pak ditësh më vonë djali i vogël mblodhi gjithçka kishte e shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje. 14 Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë. 15 Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat. 16 Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte. 17 Si erdhi në vete, tha: “Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë e u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie. 18 Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t’i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. 19 Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu”.

20 Kështu u nis e shkoi tek i ati. Por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi. 21 Atëherë i biri i tha: “Atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt”. 22 Por i ati u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë. 23 Merrni viçin e majmë e thereni. Le të hamë e të bëjmë festë, 24 se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin.

25 Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. 26 Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. 27 Ai iu përgjigj: “Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. 28 Atëherë ai u zemërua e nuk pranoi të hynte. I ati doli përjashta për t’iu lutur, 29 por ai iu përgjigj: “Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi. 30 Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. 31 Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja. 32 Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”».

Luka 14

Shërimi i të sëmurit me hidropizi

Një të shtunë Jezui shkoi për të ngrënë në shtëpinë e njërit prej kryetarëve të farisenjve dhe ata po e vëzhgonin me kujdes. Përballë Jezuit gjendej një njeri që vuante nga hidropizia. Jezui i pyeti mësuesit e ligjit dhe farisenjtë: «A lejohet të shërosh ditën e shtunë, apo jo?». Por ata heshtën. Atëherë Jezui e preku të sëmurin, e shëroi dhe e lejoi të shkonte. Pastaj u tha atyre: «Kush është ai që, po t’i binte fëmijam apo kau në pus ditën e shtunë, nuk do ta nxirrte menjëherë?». Ata nuk mundën t’i përgjigjeshin.

Mësimi për mikpritjen

Jezui vuri re sesi të ftuarit zgjidhnin vendet e nderit dhe u tregoi një shëmbëlltyrë: «Kur të ftojnë në dasmë, mos u ul në vendin e nderit, se ndoshta është i ftuar ndokush më i nderuar se ti dhe ai që ju ka ftuar të dyve mund të vijë e të të thotë: “Lërja këtë vend këtij”. Dhe atëherë, i turpëruar, do të zësh vendin e fundit. 10 Por kur të të ftojnë, shko e ulu në vendin e fundit, që kur të vijë ai që të ka ftuar, të të thotë: “Mik, eja më lart!”. E kështu do të jesh i nderuar nga të gjithë ata që janë në tryezë me ty. 11 Sepse kush e lartëson vetveten, do të përulet, e kush e përul vetveten, do të lartësohet».

12 Atij që e kishte ftuar, Jezui i tha: «Kur të shtrosh një drekë a një darkë, mos fto miqtë e tu, vëllezërit, të afërmit e tu apo fqinjët e pasur, duke shpresuar se edhe ata do të të ftojnë e kështu do të shpërblehesh. 13 Përkundrazi, kur të shtrosh një gosti, fto njerëz të varfër, të kërrusur, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, se ata nuk do të kenë me çfarë të të shpërblejnë, por ti do ta marrësh shpërblimin në ngjalljen e të drejtëve».

Të ftuarit në gosti

(Mt 22.1-10)

15 Njëri nga të ftuarit, pasi kishte dëgjuar gjithçka, i tha Jezuit: «Lum kush ha bukë në mbretërinë e Perëndisë!». 16 Por Jezui i tha: «Dikush shtroi një darkë të madhe e thirri shumë veta. 17 Kur erdhi koha e darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t’u thoshte atyre që kishte ftuar: “Ejani, se çdo gjë është gati”. 18 Por të gjithë, njëri pas tjetrit, filluan të gjenin shkaqe për të mos shkuar. I pari i tha: “Kam blerë një copë tokë e më duhet të dal e ta shoh. Të lutem më ndje!”. 19 Dikush tjetër tha: “Unë kam blerë pesë pendë qe e po shkoj t’i provoj. Të lutem më ndje!”. 20 Dikush tjetër tha: “Sapo jam martuar, prandaj nuk mund të vij”. 21 E kështu shërbëtori u kthye dhe e njoftoi të zotin për të gjitha. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua e i tha shërbëtorit të vet: “Dil menjëherë në sheshet e në rrugët e qytetit e sill këtu të varfrit, të kërrusurit, të verbrit e të çalët”. 22 Dhe shërbëtori i tha: “Zotëri, bëmë siç urdhërove dhe ka prapë vend”. 23 Atëherë i zoti i tha shërbëtorit: “Dil nëpër rrugë e shtigje dhe detyroji njerëzit të hyjnë brenda, që të mbushet shtëpia ime”. 24 Unë po ju them: asnjë nga ata që ishin të ftuar nuk do ta shijojë darkën time».

Të ndjekësh Jezuin

(Mt 10.37-38)

25 Jezuin po e ndiqnin turma të mëdha, por ai u kthye e u tha: 26 «Kush vjen pas meje dhe nuk e urren të atin e të ëmën, gruan e fëmijët, vëllezërit e motrat, madje edhe vetë jetën e tij, nuk mund të jetë dishepulli im. 27 Kush nuk e mbart kryqin e vet për të ardhur pas meje, nuk mund të jetë dishepulli im.

28 Kush nga ju, nëse dëshiron të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të bëjë llogaritë për të parë a ka sa i duhen për ta mbaruar? 29 Përndryshe, nëse i ka hedhur themelet e nuk është në gjendje ta përfundojë, ata që e shohin do të fillojnë ta tallin 30 e do t’i thonë: “Ky njeri filloi të ndërtonte, por nuk qe i zoti ta mbaronte”.

31 Ose, cili mbret, kur del në luftë për t’u ndeshur me një mbret tjetër, nuk ulet më parë të shqyrtojë a është i aftë që me dhjetë mijë veta t’i bëjë ballë atij që vjen me njëzet mijë? 32 Atëherë, nëse nuk mundet, i dërgon një përfaqësi për t’i kërkuar kushtet e paqes ndërsa ai është ende larg. 33 Prandaj, asnjëri nga ju nuk mund të bëhet dishepulli im nëse nuk heq dorë nga tërë pasuria që zotëron».

Kripa pa shije

(Mt 5.13; Mk 9.50)

34 «Kripa është e mirë, por nëse e humbet shijen, si mund ta rifitojë atë? 35 Nuk është e përshtatshme më as për tokën, as për plehun, por vetëm për t’u hedhur. Kush ka veshë, le të dëgjojë».


 m14.5 dorëshk. të tjera: gomari; ose: kërriçi

Luka 13

Thirrje për pendim

Në atë kohë erdhën disa njerëz te Jezui e i treguan për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flijimeve. Jezui i pyeti: «A mendoni se galileasit që vuajtën këtë gjë ishin më mëkatarë se galileasit e tjerë? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata. Po për ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloamit e i vrau, a mendoni se ishin fajtorë më të mëdhenj se njerëzit e tjerë që banojnë në Jerusalem? Jo, po ju them, por nëse nuk pendoheni, do të përfundoni të gjithë si ata».

Shëmbëlltyra e fikut

Pastaj Jezui tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij. Erdhi të kërkonte ndonjë fryt në të, por nuk gjeti. Atëherë i tha vreshtarit: “Ja, erdha tre vjet me radhë të kërkoja ndonjë fryt nga ky fik, por ende nuk kam gjetur asnjë. Prije! Pse ta zërë tokën kot?”. Vreshtari iu përgjigj: “Zotëri, lëre edhe këtë vit, që ta prashis e ta plehëroj, se mos jep fryt vitin e ardhshëm. Nëse jo, prije”».

Shërimi të shtunën

10 Një të shtunë Jezui po mësonte njerëzit në një sinagogë. 11 Aty gjendej edhe një grua e pushtuar nga një shpirt që e kishte mbajtur të kërrusur për tetëmbëdhjetë vjet. Ajo nuk mund të rrinte drejt. 12 Jezui e pa, e thirri e i tha: «Grua, je e çliruar nga sëmundja jote». 13 Kur e preku gruan me dorën e tij, ajo u drejtua e filloi të përlëvdonte Perëndinë. 14 Por, kryetari i sinagogës u zemërua që Jezui shëroi ditën e shtunë, prandaj i tha turmës: «Ka gjashtë ditë në të cilat mund të punohet. Gjatë këtyre ditëve ejani për t’u shëruar e jo ditën e shtunë». 15 Atëherë Zoti iu përgjigj: «Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju kaun apo gomarin nga grazhdi ditën e shtunë dhe e çon për t’i dhënë ujë? 16 Atëherë kjo grua, që është bijë e Abrahamit e që Satani e ka lidhur për tetëmbëdhjetë vjet, nuk u dashka çliruar nga këto pranga ditën e shtunë?». 17 Pasi i tha Jezui këto, të gjithë kundërshtarët e tij u turpëruan dhe mbarë turma gëzohej për gjërat e mrekullueshme që bënte ai.

Fara e sinapit dhe tharmi

(Mt 13.31-33; Mk 4.30-32)

18 Atëherë Jezui tha: «Me çfarë ngjan mbretëria e Perëndisë? Me çfarë mund ta krahasoj? 19 Ajo ngjan me farën e sinapit që një njeri e mori dhe e mbolli në kopsht. Fara u rrit, u bë pemë dhe zogjtë e qiellit bënë foletë në degët e saj».

20 Jezui tha përsëri: «Me çfarë ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë? 21 Ajo ngjan me tharmin që e mori një grua dhe e përzjeu me tri masa miell, derisa u mbrujt i gjithë brumi».

Dera e ngushtë

(Mt 7.13-14, 21-23)

22 Rrugës për në Jerusalem, Jezui përshkonte qytete e fshatra duke mësuar njerëzit. 23 Dikush e pyeti: «Zot, a janë pak ata që shpëtohen?».

Atëherë Jezui i tha: 24 «Përpiquni të hyni nëpër derën e ngushtë, sepse po ju them se shumë do të mundohen të hyjnë, por nuk do të mundin. 25 Nëse i zoti i shtëpisë është ngritur dhe e ka mbyllur derën e ju filloni të rrini përjashta e të trokisni në derë duke thënë: “Zot, na e hap derën!”, ai do të përgjigjet: “Nuk e di nga vini”. 26 Atëherë do të filloni të thoni: “Kemi ngrënë e kemi pirë me ty e ti na ke mësuar nëpër sheshe”. 27 Por ai do t’ju thotë: “Nuk e di nga vini. Largohuni nga unë të gjithë ju që bëni padrejtësi”. 28 Atje do të ketë të qara e kërcëllimë dhëmbësh kur të shihni Abrahamin, Isakun e Jakobin bashkë me të gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa juve do t’ju kenë hedhur përjashta. 29 Atëherë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të hanë në mbretërinë e Perëndisë. 30 Dhe ja, të fundit do të jenë të parët e të parët do të jenë të fundit».

Vajtimi për Jerusalemin

(Mt 23.37-39)

31 Në atë çast disa farisenj erdhën e i thanë Jezuit: «Largohu që këtej se Herodi kërkon të të vrasë». 32 Dhe Jezui u tha: «Shkoni e i thoni asaj dhelpre: “Ja, unë po dëboj djajtë e po shëroj sot e nesër. Ditën e tretë e mbaroj veprën time. 33 Megjithatë, sot, nesër e pasnesër unë do të eci udhës sime, sepse nuk është e mundur që një profet të vritet jashtë Jerusalemit”. 34 Jerusalem, Jerusalem, ti që vret profetët e që me gurë vret të dërguarit e Perëndisë! Sa herë kam dashur t’i mbledh bijtë e tu, siç mbledh klloçka zogjtë e vet nën krahë, por ju nuk deshët. 35 Ja, shtëpia juaj do të mbetet e shkretë. Unë po ju them se nuk do të më shihni më, derisa të thoni:

bekuar qoftë

ai që vjen në emër të Zotit!».

Luka 12

Ruhuni nga hipokrizia

Atëherë, ndërsa mijëra njerëz ishin mbledhur turmë, aq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jezui filloi t’u fliste më parë dishepujve të vet: «Ruhuni nga tharmi i farisenjve që është hipokrizia. Nuk ka asgjë të mbuluar që s’do të zbulohet dhe asnjë të fshehtë që s’do të merret vesh. Prandaj, çfarëdo që keni thënë në errësirë, do të dëgjohet në dritë e çfarë keni pëshpëritur me dyer të mbyllura, do të shpallet nga çatitë».

Mos kini frikë

(Mt 10.28-31)

«Miqtë e mi, unë po ju them: mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por pastaj nuk mund të bëjnë asgjë më tepër. Ja cilin duhet të kini frikë: atë që pas vdekjes ka pushtetin t’ju hedhë në Gehenë. Po, po ju them, nga ky të keni frikë.

A nuk shiten pesë harabela për dy qindarka? Megjithatë Perëndia nuk lë në harresë asnjërin prej tyre. Madje edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela».

Të dëshmosh për Krishtin

(Mt 10.32-33; 12.32; 10.19-20)

«Unë po ju them se kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta rrëfejë atë para engjëjve të Perëndisë. Por, kush më mohon para njerëzve, edhe Biri i njeriut do ta mohojë atë para engjëjve të Perëndisë. 10 Kush flet kundër Birit të njeriut do të falet, por ai që do të fyejë Shpirtin e shenjtë, nuk do të falet.

11 Kur t’ju dërgojnë para sinagogave, krerëve e pushtetarëve, mos u shqetësoni sesi do të mbroheni apo se çfarë do të thoni. 12 Shpirti i shenjtë do t’ju mësojë se çfarë të thoni në atë çast».

Pasaniku i pamend

13 Pastaj dikush nga turma i tha: «Mësues, thuaji vëllait tim ta ndajë trashëgiminë me mua». 14 Por Jezui i tha: «Kush më vuri mua gjykatës apo ndarës mes jush, o njeri?». 15 Pastaj u tha: «Kini kujdes! Ruhuni nga çdo dëshirë për pasuri, se jeta e njeriut nuk varet nga pasuria e tij».

16 Atëherë u tregoi një shëmbëlltyrë: «Toka e një pasaniku dha shumë prodhim. 17 Kështu ai mendoi me vete: “Çfarë të bëj, se nuk kam vend ku të mbledh të korrat?”. 18 Pastaj tha: “Ja çfarë do të bëj: do të rrëzoj grunarët e mi e do të ndërtoj disa më të mëdhenj. Kështu do të mbledh në ta gjithë grurin e të gjitha të mirat e mia. 19 E do t’i them shpirtit tim: shpirti im, ke shumë të mira për shumë vite. Pusho, ha, pi e kënaqu!”. 20 Por Perëndia i tha: “I pamend! Pikërisht këtë natë do të të merret shpirti. Po ato që grumbullove, kujt do t’i mbeten?”.

21 Kështu u ndodh atyre që mbledhin thesare për vete e nuk bëhen të pasur në sytë e Perëndisë».

Kujdesjet dhe shqetësimet

(Mt 6.25-34; 19—21)

22 Jezui u tha dishepujve të vet: «Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. 23 Se jeta vlen më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja. 24 Shikoni korbat! As mbjellin, as korrin, as kanë qilarë apo grunarë, e megjithatë Perëndia i ushqen. Por ju vleni shumë më tepër se shpendët. 25 Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 26 Nëse ju, pra, nuk mund të bëni një vogëlsi si kjo, pse shqetësoheni për të tjerat? 27 Shikoni si rriten zambakët. Ata as nuk punojnë e as nuk endin, por unë po ju them se as vetë Solomoni në gjithë madhështinë e tij nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 28 Nëse Perëndia vesh barin e fushës që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë?

29 Mos u shqetësoni se çfarë do të hani e çfarë do të pini e mos u brengosni. 30 Janë kombet e botës që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj e di se ju keni nevojë për këto. 31 Kërkoni mbi të gjitha mbretërinë e Perëndisë dhe ai do t’jua japë edhe ato.

32 Mos ki frikë, grigjë e vogël, se Atit i ka pëlqyer t’jua japë mbretërinë. 33 Shitini pasuritë tuaja e jepni lëmoshë. Bëni për vete pasuri që nuk vjetrohen e mblidhni në qiej një thesar që nuk shteron kurrë. Atje vjedhësi nuk mund të afrohet e tenja nuk mund të brejë. 34 Sepse, atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj».

Shërbëtorët e kujdesshëm

(Mt 24.45-51)

35 «Ngjishini ijët për punë e mbajini kandilat ndezur. 36 Jini si ata që presin të zotin e tyre që kthehet nga dasma, për t’i hapur derën sapo të trokasë. 37 Lum ata shërbëtorë që, kur vjen i zoti, i gjen zgjuar. Me të vërtetë po ju them se ai do të ngjeshë ijët e do t’u thotë të ulen për të ngrënë. Pastaj do të vijë e do t’u shërbejë. 38 Nëse vjen nga mesnata apo në mëngjes herët e i gjen zgjuar, lum ata! 39 Por dijeni këtë: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë do të vinte vjedhësi, nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia. 40 Jini gati, se nuk e dini orën kur do të vijë Biri i njeriut».

41 Pjetri i tha: «Zot, këtë shëmbëlltyrë po e thua për ne apo për të gjithë?». 42 Atëherë Zoti i tha: «Cili është ai shërbëtor besnik e i mençur, të cilin i zoti e ka vënë mbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë ushqimin në kohën e duhur? 43 Lum ai shërbëtor që, kur të vijë i zoti, do ta gjejë duke vepruar kështu. 44 Me të vërtetë po ju them se këtij shërbëtori do t’ia besojë të gjitha pasuritë e veta. 45 Por nëse ai shërbëtor thotë me vete: “Zotëria im po vonon të vijë” dhe fillon të rrahë shërbëtorët e tjerë, burra e gra, të hajë e të pijë e të dehet, 46 atëherë i zoti i këtij shërbëtori do të vijë ditën që ai nuk e pret dhe në orën që ai nuk e di, do ta dënojë ashpër e do ta hedhë atje ku dënohen të pafetë. 47 Ai shërbëtor që e di se çfarë dëshiron i zoti, por nuk është gati të veprojë sipas dëshirës së të zotit, do të marrë shumë të rrahura. 48 Por ai që nuk e dinte dhe bëri gjëra për të cilat meriton të rrihet, do të rrihet më pak.

Kujt i është dhënë shumë, do t’i kërkohet shumë. Kujt i është besuar shumë, do t’i kërkohet edhe më shumë».

Shkak ndarjeje

(Mt 10.34-36)

49 «Unë erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa shumë dëshiroj të ndizet! 50 Kam një pagëzim me të cilin do të pagëzohem e me sa padurim e pres të përmbushet. 51 Mos vallë mendoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo paqe, po ju them, por përçarje. 52 Që tani e tutje nëse në një shtëpi do të jenë pesë veta, do të ndahen tre kundër dyve e dy kundër treve. 53 Do të ndahen

ati nga i biri

dhe biri nga i ati,

nëna nga e bija

dhe bija nga e ëma,

vjehrra nga nusja

dhe nusja nga e vjehrra».

Shenjat e kohës

(Mt 16.2-3)

54 Pastaj u tha turmave: «Kur shihni renë që ngrihet në perëndim, ju menjëherë thoni se do të bjerë shi e kështu ndodh. 55 Kur shihni se po fryn juga, ju thoni se do të bëjë i nxehtë i madh e kështu ndodh. 56 Hipokritë! Dukuritë e tokës e të qiellit dini t’i shpjegoni, po si nuk ditkeni të dalloni kohën e tanishme?».

Pajtimi me kundërshtarin

(Mt 5.25-26)

57 «Pse nuk gjykoni vetë se ç’është e drejtë? 58 Nëse je rrugës për te gjykatësi bashkë me kundërshtarin tënd, përpiqu të merresh vesh me të rrugës, që kur të dalësh para gjykatësit, ai mos të të dorëzojë te roja e pastaj roja të të fusë në burg. 59 Unë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».

Luka 11

Ati ynë

(Mt 6.9-15; 7.7-11)

Jezui po lutej në një vend. Kur mbaroi, njëri nga dishepujt i tha: «Zot, na mëso të lutemi, sikurse Gjoni i mësoi dishepujt e vet». Ai u tha: «Kur të luteni thoni:

Atëh, u shenjtëroftë emri yt,

ardhtë mbretëria jotei!

Bukën tonë të përditshmej

na e jep çdo ditë

e na i fal mëkatet tona,

se edhe ne ua falim detyruesve tanëk.

E mos na vër në sprovël».ll

Pastaj u tha: «E zëmë se njëri nga ju ka një mik, shkon tek ai në mesnatë e i thotë: “Mik, më jep tri bukë, se më ka ardhur një miku im e nuk kam asgjë për t’i vënë përpara”. E ai përgjigjet nga brenda: “Mos më shqetëso! Tani e kam mbyllur derën dhe kemi rënë në gjumë edhe unë, edhe fëmijët. Nuk mund të çohem për të të dhënë gjë”. Unë po ju them se edhe pse nuk do të çohet për t’i dhënë gjë ngaqë e ka mik, do të çohet për t’i dhënë aq sa ka nevojë të paktën për shkak të këmbënguljes së tij.

Dhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet; kërkoni e do të gjeni; trokitni e do t’ju hapet, 10 sepse kush lyp, merr; kush kërkon, gjen dhe atij që troket, do t’i hapet. 11 A ka ndër ju ndonjë atë që do t’i jepte fëmijës së vet, që i kërkon peshk, gjarpër në vend të peshkut? 12 Ose, nëse fëmija i lyp vezë, do t’i jepte një akrep? 13 Nëse ju që jeni të këqij, dini t’u jepni fëmijëve tuaj gjëra të mira, aq më shumë Ati juaj do t’ua japë prej qiellit Shpirtin e shenjtë atyre që ia kërkojnë!».

Jezui dhe Beelzebuli

(Mt 12.22-30; Mk 3.20-27)

14 Jezui po dëbonte një djall, i cili ishte memec. Kur u dëbua djalli, memeci foli e turmat u mrekulluan. 15 Por disa prej tyre thanë: «Ai i dëbon djajtë me fuqinë e Beelzebulit, kryetarit të djajve».

16 Të tjerë, për ta vënë në provë, i kërkonin një shenjë nga qielli. 17 Por Jezui, që i njihte mendimet e tyre, u tha: «Çdo mbretëri e përçarë shkretohet dhe shtëpitë e saj shemben njëra pas tjetrës. 18 Nëse edhe Satani është i përçarë, si mund të qëndrojë mbretëria e tij meqë ju po thoni se unë i dëbuakam djajtë me fuqinë e Beelzebulit? 19 Nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Beelzebulit, me fuqinë e kujt i dëbojnë bijtë tuaj? Për këtë arsye ata do të jenë gjykatësit tuaj. 20 Por nëse unë i dëboj djajtë me fuqinë e Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur te ju.

21 Kur një njeri i fortë dhe i armatosur mirë e ruan shtëpinë e vet, pasuria e tij është e sigurt. 22 Por nëse dikush më i fortë se ai e sulmon dhe e mund, ia merr armët te të cilat kishte varur shpresën e u shpërndan të tjerëve ato që ka plaçkitur.

23 Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shpërndan».

Kthimi i shpirtit të ndyrë

(Mt 12.43-45)

24 «Kur del nga njeriu, shpirti i ndyrë endet nëpër vende pa ujë duke kërkuar prehje e kur nuk gjen, thotë: “Po kthehem te shtëpia ime prej nga dola”. 25 Kur vjen, e gjen të pastruar e të zbukuruar. 26 Pastaj shkon e sjell me vete shtatë shpirtra të tjerë më të këqij se vetja dhe hyjnë e banojnë aty. Kështu, gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e mëparshmja».

Lumnia e vërtetë

27 Ndërsa po thoshte këto gjëra, një grua nga turma ngriti zërin e i tha: «Lum barku që të ka mbajtur dhe gjinjtë që të kanë mëkuar!». 28 Por Jezui i tha: «Më mirë, lum ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e zbatojnë!».

Një shenjë

(Mt 12.38-42; Mk 8.12)

29 Ndërsa turmat po shtoheshin, Jezui filloi të thoshte: «Kjo brezni është e mbrapshtë. Ajo kërkon një shenjë, por asaj nuk do t’i jepet asnjë shenjë, përveç shenjës së Jonait. 30 Sikurse Jonai u bë shenjë për popullin e Ninivës, ashtu do të jetë edhe Biri i njeriut për këtë brezni. 31 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në ditën e gjykimit bashkë me njerëzit e kësaj breznie e do t’i dënojë, se ajo erdhi nga fundi i dheut për të dëgjuar urtinë e Solomonit. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Solomoni. 32 Njerëzit e Ninivës do të ngjallen në ditën e gjykimit bashkë me këtë brezni e do ta dënojnë, sepse ata u penduan kur predikoi Jonai. Dhe ja, këtu është dikush më i madh se Jonai».

Drita e trupit

(Mt 5.15; 6.22-23)

33 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë në një vend të fshehtë apo nën magje. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 34 Drita e trupit është syri. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar, por nëse syri yt është i sëmurë, trupi yt do të jetë në errësirë. 35 Prandaj ki kujdes që drita që është në ty të mos jetë errësirë. 36 Nëse, pra, tërë trupi yt është plot me dritë e pa asnjë pjesë në errësirë, gjithçka do të jetë e shndritshme, siç është kur një kandil shndrit me tërë shkëlqimin e tij».

Mjerë ju

(Mt 23.1-36; Mk 12.38-40; Lk 20.45-47)

37 Ndërsa Jezui po fliste, një farise e ftoi për të ngrënë në shtëpinë e tij. Jezui shkoi e u ul në tryezë. 38 Fariseu u çudit kur pa se Jezui nuk bëri ritin e larjes para se të hante. 39 Atëherë Zoti i tha: «Tani, ju farisenjtë pastroni pjesën e jashtme të kupës e të pjatës, por përbrenda jeni plot grykësi e ligësi. 40 Të marrë! Ai që bëri pjesën e jashtme, a nuk bëri edhe të brendshmen? 41 Prandaj, jepni lëmoshë me gjërat e brendshme e kështu do të keni të pastër gjithçka. 42 Por, mjerë ju, farisenj! Ju i kushtoni Perëndisë një të dhjetën e mendrës, të ryzës e të çdo barishteje, por lini pas dore drejtësinë e dashurinë e Perëndisë. Këto duhet të zbatoni, pa lënë pas dore të tjerat. 43 Mjerë ju, farisenj, që ju pëlqen të zini vendet e para nëpër sinagoga e të merrni përshëndetje nëpër sheshe! 44 Mjerë ju, që jeni si varre pa shenjë, që njerëzit i shkelin pa e ditur».

45 Njëri nga mësuesit e ligjit iu përgjigj: «Mësues, ti na fyen edhe ne duke thënë këto gjëra». 46 Por Jezui i tha: «Mjerë edhe ju, mësues të ligjit, sepse i ngarkoni njerëzit me barrë të rënda, por vetë nuk lëvizni as gishtin për t’i mbajtur! 47 Mjerë ju, se ndërtoni varret e profetëve që etërit tuaj i vranë! 48 Kështu dëshmoni se i miratoni veprat e etërve tuaj, sepse ata i vranë profetët, ndërsa ju u ndërtoni varret. 49 Prandaj edhe Perëndia në urtinë e tij ka thënë: “Unë do t’u dërgoj profetë e apostuj, por ata do t’i vrasin e disa do t’i përndjekin”, 50 që kjo brezni të fajësohet për gjakun e derdhur të të gjithë profetëve që nga themelimi i botës, 51 që nga gjaku i Abelit, te gjaku i Zakarisë, që e vranë mes altarit e shenjtërores. Po, po ju them, se për këtë gjë do të fajësohet kjo brezni. 52 Mjerë ju, mësues të ligjit, se e keni marrë për vete çelësin e dijes! Kështu, as vetë nuk hytë, por penguat edhe të tjerët të hyjnë».

53 Kur Jezui doli, shkruesit dhe farisenjtë filluan të zemëroheshin e ta sulmonin me lloj-lloj pyetjesh, 54 duke i ngritur kurth që ta kapnin për ndonjë gjë që do të thoshte.


 h11.2 dorëshk. të tjera: Ati ynë që je në qiej

 i11.2 dorëshk. të tjera edhe: u bëftë vullneti yt si në qiell, edhe në tokë

 j11.3 ose: të mbiqenësishme

 k11.4 ose: Na i fal fajet tona, siç ua falim ne fajtorëve tanë

 l11.4 ose: E mos na shtjer në tundim

 ll11.4 dorëshk. të tjera edhe: por na shpëto nga i ligu

Luka 10

Dërgimi i shtatëdhjetë e dy dishepujve

Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t’ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. Në çdo qytet ku të hyni e t’ju mirëpresin, hani çfarë t’ju vënë para, shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. 10 Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: 11 “Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. 12 Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet».

Mjerë qytetet e papenduara

(Mt 11.20-24)

13 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. 14 Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. 15 Po ti, Kafarnaum,

mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?

Në skëterrë do të plandosesh.

16 Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».

Kthimi i të shtatëdhjetedyve

17 Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». 18 Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. 19 Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t’ju bëjë keq. 20 Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».

Gëzimi i Jezuit

(Mt 11.25-27; 13.16-17)

21 Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.

22 Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t’ia zbulojë». 23 Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju! 24 Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».

Samaritani i mirë

25 Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?». 26 Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?». 27 Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten». 28 Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh». 29 Por ai, meqenëse donte t’i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?». 30 Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. 31 Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër. 32 Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër. 33 Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të. 34 Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të. 35 Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”.

36 Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?». 37 Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».

Te Marta dhe Maria

38 Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Martë e priti në shtëpi. 39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij. 40 Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t’i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!». 41 Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra, 42 por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t’i merret».

Luka 9

Dërgimi i të dymbëdhjetëve

(Mt 10.5-15; Mk 6.7-13)

Jezui i thirri të dymbëdhjetët e u dha fuqi e pushtet mbi të gjithë djajtë, si edhe për të shëruar sëmundjet. Pastaj i dërgoi të predikonin mbretërinë e Perëndisë e të shëronin të sëmurët. Atëherë u tha: «Mos merrni asgjë me vete për udhëtim, as shkop, as trastë, as bukë, as para e mos mbani dy tunika. Qëndroni në shtëpinë ku hyni derisa të niseni prej aty. Nëse ndokush nuk ju pranon, kur të dilni prej atij qyteti shkundni pluhurin nga këmbët, si dëshmi ndaj tyre».

Dishepujt u nisën e shkuan nëpër fshatra, duke shpallur ungjillin e duke shëruar kudo.

Shqetësimi i Herodit

(Mt 14.1-12; Mk 6.14-29)

Herod Tetrarku dëgjoi për gjithçka kishte ndodhur e u shqetësua, sepse disa thoshin se Gjoni ishte ngjallur prej të vdekurve, disa të tjerë thoshin se ishte shfaqur Elia e të tjerë se ishte ngjallur një nga profetët e vjetër. Herodi tha: «Gjonit ia kam prerë kokën, por kush është ky për të cilin po dëgjoj këto gjëra?». Dhe kërkonte ta shihte.

Ushqimi i pesë mijë vetave

(Mt 14.13-21; Mk 6.30-44; Gjn 6.1-14)

10 Kur u kthyen, apostujt i treguan Jezuit për gjithçka kishin bërë. Ai i mori apostujt e u largua vetëm me ta drejt një qyteti të quajtur Betsaidë. 11 Kur turmat e morën vesh këtë gjë, i shkuan pas. Jezui i mirëpriti, u foli për mbretërinë e Perëndisë dhe shëroi ata që kishin nevojë për shërim.

12 Dita po mbaronte dhe të dymbëdhjetët iu afruan Jezuit e i thanë: «Nise turmën të shkojë në fshatrat e fushat përreth, që të strehohen e të ushqehen, se ky vend është i shkretë». 13 Por Jezui u tha: «Jepuni ju ndonjë gjë për të ngrënë!». Ata iu përgjigjën: «Ne kemi vetëm pesë bukë e dy peshq. A të shkojmë e të blejmë ushqim për gjithë këtë popull?». 14 Aty ishin rreth pesë mijë burra. Jezui u tha dishepujve: «Ulini njerëzit në grupe nga pesëdhjetë veta!». 15 Ata vepruan ashtu dhe i ulën të gjithë. 16 Jezui mori pesë bukët e dy peshqit, ngriti sytë drejt qiellit, tha lutjen e bekimit, i theu bukët e ua dha dishepujve t’ia shtronin turmës. 17 Të gjithë hëngrën e u ngopën. Çfarë teproi u mblodh dhe u mbushën dymbëdhjetë shporta me copa buke.

Pohimi i Pjetrit

(Mt 16.13-19; Mk 8.27-29)

18 Një herë, kur Jezui po lutej në një vend të veçuar e dishepujt ishin me të, ai i pyeti: «Kush thonë turmat se jam unë?». 19 Ata iu përgjigjën: «Disa thonë se je Gjon Pagëzori, të tjerë se je Elia, të tjerë se është ngjallur ndonjëri nga profetët e vjetër». 20 Atëherë u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti i Perëndisë».

Paralajmërimi i parë i Pashkës

(Mt 16.20-28; Mk 8.30—9.1)

21 Jezui i urdhëroi rreptësisht të mos i tregonin askujt për këtë 22 e u tha se Biri i njeriut duhej të vuante shumë dhe se nuk do të pranohej nga pleqtë, kryepriftërinjtë e shkruesit. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej.

23 Atëherë u tha të gjithëve: «Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë. 24 Sepse kushdo që dëshiron ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë atë dhe kushdo që e humbet jetën e vet për shkakun tim, do ta shpëtojë atë. 25 Ç’dobi do të kishte njeriu po të fitonte mbarë botën, por të humbte e të rrënonte veten? 26 Por edhe Biri i njeriut, kur të vijë me lavdinë e tij e me lavdinë e Atit dhe të engjëjve të shenjtë, do të ketë turp për ata që kanë turp nga unë apo nga fjalët e mia. 27 Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu, nuk do të provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë».

Shndërrimi i Jezuit

(Mt 17.1-8; Mk 9.2-8)

28 Rreth tetë ditë pasi tha këto fjalë, Jezui mori me vete Pjetrin, Gjonin, Jakobin e u ngjit në mal për t’u lutur. 29 Ndërsa lutej, pamja e fytyrës i ndryshoi e rrobat i morën një bardhësi vezulluese. 30 Pastaj panë dy burra që po flisnin me Jezuin. Ishin Moisiu dhe Elia 31 që u shfaqën në lavdi e po flisnin për veprën që do të përmbushte Jezui me vdekjen e tij në Jerusalem.

32 Pjetri dhe ata që e shoqëronin kishin rënë në gjumë të thellë, por u zgjuan dhe panë lavdinë e tij e të dy burrave që ishin me të.

33 Kur po ndaheshin, Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Pjetri nuk dinte çfarë po thoshte. 34 Ndërsa po fliste, erdhi një re e i mbështolli. Kur hynë në re, dishepujt i zuri frika. 35 Pastaj nga reja u dëgjua një zë që tha: «Ky është Biri im i zgjedhur. Dëgjojeni!». 36 Si u dëgjua zëri, Jezui mbeti vetëm. Ata heshtën e në ato ditë nuk i treguan askujt për gjërat që kishin parë.

Shërimi i djalit të pushtuar nga djalli

(Mt 17.14-18; Mk 9.14-27)

37 Të nesërmen, pasi kishin zbritur nga mali, Jezuin e takoi një turmë e madhe. 38 Atëherë një burrë nga turma thirri: «Mësues, të lutem shikoje tim bir, se e kam djalë të vetëm! 39 Atë e pushton një shpirt që e bën të bërtasë dhe e shkund me dhunë derisa nxjerr shkumë nga goja. E mundon e largohet me vështirësi prej tij. 40 Iu luta dishepujve të tu ta dëbonin, por nuk mundën». 41 Jezui u përgjigj: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj? Sille këtu tët bir!». 42 Kur po e sillnin, djalli e përplasi përtokë djaloshin dhe e përpëliti. Por Jezui e qortoi shpirtin e ndyrë, e shëroi djaloshin dhe ia ktheu të atit. 43 Të gjithë u mrekulluan nga madhështia e Perëndisë.

Tjetër paralajmërim i Pashkës

(Mt 17.22-23; Mk 9.30-32)

Ndërsa të gjithë mrekulloheshin me gjithçka që kishte bërë, Jezui u tha dishepujve: 44 «Vëruni vesh mirë fjalëve që po ju them: Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve». 45 Por ata nuk i kuptuan këto fjalë. Kuptimi i tyre u mbeti i fshehur, kështu që nuk e morën vesh dhe kishin frikë ta pyesnin.

Madhështia e vërtetë

(Mt 18.1-5; Mk 9.33-37)

46 Mes dishepujve lindi pyetja se kush prej tyre ishte më i madhi. 47 Por Jezui, që i njihte mendimet e zemrës së tyre, mori një fëmijë dhe e mbajti pranë. 48 Atëherë u tha dishepujve: «Kush e pranon këtë fëmijë në emrin tim, më pranon mua e kush më pranon mua, pranon atë që më ka dërguar. Më i vogli ndër të gjithë ju, ai është më i madhi».

Me ju, jo kundër jush

(Mk 9.38-40)

49 Atëherë Gjoni i tha: «Mësues, pamë një njeri që dëbonte djajtë në emrin tënd dhe ia ndaluam, sepse nuk të ndjek pas bashkë me ne».

50 Por Jezui i tha: «Mos ia ndaloni, se kush nuk është kundër jush, është me ju».

Mospranimi nga samaritanët

51 Kur po afroheshin ditët e ngritjes së tij në qiell, Jezui mori vendim të prerë për të shkuar në Jerusalem 52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Gjatë rrugës u ndalën në një fshat samaritanësh për të bërë përgatitjet për Jezuin, 53 por ata nuk e pranuan, sepse po shkonte drejt Jerusalemit. 54 Kur dishepujt e tij, Jakobi e Gjoni, e panë këtë gjë, i thanë: «Zot, a do që të urdhërojmë të zbresë zjarr nga qielli e t’i përpijëf?».

55 Por Jezui u kthye e i qortoig56 gjPastaj shkuan në një fshat tjetër.

Të ndjekësh Jezuin

(Mt 8.19-22)

57 Ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: «Do të të ndjek kudo që të shkosh». 58 Por Jezui i tha: «Dhelprat kanë strofka e zogjtë e qiellit kanë fole, ndërsa Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën».

59 Një tjetri i tha: «Më ndiq!». Por ai iu përgjigj: «Zot, më lejo të shkoj e të varros më parë tim atë!». 60 Jezui i tha: «Lëri të vdekurit të varrosin të vdekurit e tyre, ndërsa ti shko e shpall mbretërinë e Perëndisë».

61 Një tjetër i tha: «Unë do të të ndjek, Zot, por më lejo të ndahem më parë me ata të shtëpisë». 62 Jezui iu përgjigj: «Kushdo që vë dorën në parmendë dhe e kthen kokën pas, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë».


 f9.54 dorëshk. të tjera edhe: ashtu si bëri edhe Elia

 g9.55 dorëshk. të tjera edhe: dhe tha: ju nuk dini të çfarë shpirti jeni

 gj9.56 dorëshk. të tjera edhe: Sepse Biri i njeriut nuk erdhi të shkatërrojë shpirtra njerëzish, por t’i shpëtojë

Luka 8

Disa gra shoqërojnë Jezuin

Pas këtyre gjërave Jezui shkoi nëpër qytete e fshatra duke predikuar e duke shpallur ungjillin e mbretërisë së Perëndisë dhe të dymbëdhjetët ishin me të. Ishin edhe disa gra që Jezui i kishte shëruar nga shpirtrat e këqij e nga sëmundjet: Maria, që quhej Magdalenë, prej së cilës ishin dëbuar shtatë djaj, Joana, gruaja e Kuzait, kujdestarit të pasurisë së Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që kishin vënë pasuritë e veta në shërbim të Jezuit e të dishepujve.

Mbjellësi

(Mt 13.1-9; Mk 4.1-9)

Kur u mblodh një turmë e madhe me njerëz që vinin tek ai nga qytete të ndryshme, Jezui foli me shëmbëlltyra: «Një mbjellës doli për të mbjellë farën. Ndërsa po mbillte, disa fara ranë në rrugë dhe njerëzit i shkelën e zogjtë e qiellit i hëngrën. Disa të tjera ranë në gurishtë e sapo mbinë, u thanë se nuk kishin ujë. Disa të tjera ranë ndër ferra. Ferrat u rritën së bashku me to e ua zunë frymën. Por disa të tjera ranë në tokë të mirë dhe, kur u rritën, prodhuan njëqindfish». Pastaj tha: «Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!».

Qëllimi i shëmbëlltyrave

(Mt 13.10-17; Mk 4.10-12)

Pastaj dishepujt e pyetën se çfarë kuptimi kishte kjo shëmbëlltyrë. 10 Jezui u përgjigj: «Juve ju janë bërë të njohura të fshehtat e mbretërisë së Perëndisë, ndërsa të tjerëve u flas me shëmbëlltyra, që

të kenë sy

e të mos shohin

dhe të dëgjojnë

e të mos kuptojnë».

Shpjegimi i shëmbëlltyrës

(Mt 13.18-23; Mk 4.13-20)

11 «Shëmbëlltyra është kjo: fara është fjala e Perëndisë. 12 Farat që ranë në rrugë janë ata që e dëgjojnë atë. Pastaj vjen djalli dhe e rrëmben fjalën nga zemrat e tyre, që të mos besojnë e të mos shpëtohen. 13 Farat që ranë në gurishtë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë me gëzim, por nuk e lënë të zërë rrënjë. Ata besojnë vetëm për pak dhe në kohën e sprovës e braktisin besimin. 14 Fara që ra ndër ferra janë ata që e dëgjojnë, por gjatë udhës ua zënë frymën shqetësimet, pasuria e kënaqësitë e jetës dhe frytet e tyre nuk piqen. 15 Fara që bie në tokë të mirë janë ata që e dëgjojnë fjalën dhe e ruajnë në një zemër të ndershme e të mirë. Këta mbesin besnikë e japin fryte».

Drita nën magje

(Mk 4.21-25)

16 «Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje apo nën shtrat. Përkundrazi, vihet në mbajtësen e vet, që ta shohin dritën ata që hyjnë brenda. 17 Asgjë e fshehur nuk do të mbetet pa u zbuluar dhe asnjë e fshehtë nuk do të mbetet pa u njohur e pa dalë në dritë. 18 Kini kujdes sesi dëgjoni, se atij që ka do t’i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka do t’i merret edhe ajo pak që mendon se ka».

E ëma dhe vëllezërit

(Mt 12.46-50; Mk 3.31-35)

19 E ëma dhe vëllezërit e Jezuit shkuan për ta takuar, por nuk mundën të arrinin tek ai për shkak të turmës. 20 Atëherë i thanë Jezuit: «Nëna jote e vëllezërit e tu janë përjashta dhe duan të të shohin». 21 Por ai u tha: «Nëna ime e vëllezërit e mi janë ata që e dëgjojnë dhe e zbatojnë fjalën e Perëndisë».

Fashitja e stuhisë

(Mt 8.23-27; Mk 4.35-41)

22 Një ditë Jezui hipi në një varkë me dishepujt e u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër të liqenit». Kështu u nisën. 23 Ndërsa po lundronin, Jezuin e zuri gjumi. Papritur filloi një erë e fortë mbi liqen. Varka po mbushej me ujë e ata ishin në rrezik. 24 Dishepujt iu afruan Jezuit, e zgjuan e i thanë: «Mësues, mësues, po mbytemi». Ai u zgjua dhe qortoi erën e dallgët kërcënuese, të cilat pushuan. Pastaj u bë bunacë. 25 Jezui u tha dishepujve: «Ku është besimi juaj?». Ata ishin të trembur e të mahnitur e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që urdhëron edhe erërat, edhe ujin e ata i binden?».

Shërimi i gerasenit

(Mt 8.28-34; Mk 5.1-20)

26 Pastaj arritën në krahinën e gerasenëvee, që është nga ana tjetër e liqenit, përballë Galilesë. 27 Kur zbriti në breg, Jezuit i doli përpara një njeri nga ai qytet. Ai ishte i pushtuar nga djajtë dhe kishte kohë që nuk vishej e nuk banonte në shtëpi, por nëpër varre. 28 Kur pa Jezuin, lëshoi një britmë, ra përmbys para tij e tha me zë të lartë: «Çfarë ke me mua, o Jezu, Biri i Perëndisë së tejlartë? Të lutem, mos më mundo!», 29 sepse Jezui e kishte urdhëruar shpirtin e ndyrë të dilte prej atij njeriu. Shpirti i ndyrë e kishte pushtuar atë disa herë, prandaj e lidhnin me zinxhirë dhe e mbanin në pranga, por ai i thyente prangat dhe djalli e shtynte në shkretëtirë. 30 Atëherë Jezui e pyeti: «Si e ke emrin?». Ai u përgjigj: «Legjion», sepse brenda tij kishin hyrë shumë djaj. 31 Dhe djajtë i luteshin Jezuit që të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë. 32 Aty gjendej një tufë e madhe derrash që po kullotnin në mal dhe djajtë iu lutën Jezuit që t’i lejonte të hynin te derrat. Jezui i lejoi. 33 Sapo dolën nga ai njeri, djajtë u futën te derrat. Tufa u turr nga humnera në liqen e u mbyt.

34 Kur panë çfarë ndodhi, rojtarët e derrave ua mbathën këmbëve dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra. 35 Njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur. Kur arritën te Jezui, gjetën njeriun prej të cilit kishin dalë djajtë. Ai ishte ulur te këmbët e Jezuit, ishte i veshur e me mendje në vend. Ata i zuri frika.

36 Ata që e kishin parë ngjarjen treguan sesi ishte shëruar i pushtuari nga djalli. 37 Atëherë tërë populli i krahinës së gerasenëve i kërkoi Jezuit të largohej prej tyre, sepse kishin shumë frikë. Jezui hipi në një varkë e u kthye. 38 Njeriu prej të cilit kishin dalë djajtë i kërkoi të rrinte me të, por Jezui e nisi e i tha: 39 «Kthehu në shtëpinë tënde e trego çfarë ka bërë Perëndia për ty». Ai u largua duke shpallur në mbarë qytetin çfarë kishte bërë për të Jezui.

Prekja shëruese

(Mt 9.18-26; Mk 5.21-43)

40 Kur po kthehej, Jezuit i doli para turma, sepse të gjithë po e prisnin. 41 Atëherë iu afrua një njeri me emrin Jair që ishte kryetar i sinagogës. Ai i ra ndër këmbë Jezuit e iu lut të shkonte në shtëpinë e tij, 42 se vajza e tij e vetme, që ishte dymbëdhjetë vjeçe, ishte duke vdekur.

Gjatë udhës turmat e shtynin nga të gjitha anët. 43 Në grua që vuante prej dymbëdhjetë vjetësh nga hemorragjia, megjithëse kishte shpenzuar gjithçka kishte pasur e askush nuk kishte mundur ta shëronte 44 iu afrua nga pas, i preku cepin e gunës dhe menjëherë iu ndal hemorragjia. 45 Atëherë Jezui tha: «Kush më preku?». Meqenëse të gjithë e mohuan, Pjetri i tha: «Mësues, turmat po të rrethojnë e po të shtyjnëë». 46 Por Jezui tha: «Dikush më preku, sepse ndjeva fuqinë që doli prej meje». 47 Atëherë gruaja, kur pa se nuk mund të fshihej, erdhi duke u dridhur, i ra ndër këmbë dhe tregoi para gjithë popullit përse e kishte prekur Jezuin e si ishte shëruar menjëherë. 48 Jezui i tha: «Bijë, besimi yt të shpëtoi. Shko në paqe».

49 Ndërsa po fliste, erdhi dikush nga shtëpia e kryetarit të sinagogës e i tha: «Jot bijë vdiq. Mos e shqetëso më mësuesin». 50 Kur e dëgjoi këtë, Jezui i tha: «Mos ki frikë, vetëm beso e ajo do të shpëtojë». 51 Kur arriti te shtëpia, nuk lejoi askënd të hynte me të, përveç Pjetrit, Gjonit, Jakobit, të atit e të ëmës së vajzës. 52 Të gjithë po e qanin dhe e vajtonin, por Jezui tha: «Mos qani! Ajo nuk ka vdekur, por po fle». 53 Por ata e përqeshën, sepse e dinin se kishte vdekur.

54 Atëherë Jezui e mori për dore e thirri: «Vashëz, ngrihu!». 55 Asaj iu kthye shpirti e u ngrit menjëherë. Pastaj Jezui u tha t’i jepnin për të ngrënë. 56 Prindërit e saj u mrekulluan, por ai i urdhëroi të mos i tregonin askujt për çfarë kishte ndodhur.


 e8.26 ose: gadarenëve

 ë8.45 dorëshk. të tjera edhe: e ti thua kush më preku?

Luka 7

Besimi i kryeqindësit

(Mt 8.5-13; Gjn 4.43-54)

Kur mbaroi së thëni të gjitha fjalët për popullin që po e dëgjonte, Jezui shkoi në Kafarnaum. Aty gjendej një kryeqindës që kishte një shërbëtor, të cilin e vlerësonte shumë, por që ishte shumë i sëmurë, gati duke vdekur. Kur dëgjoi për Jezuin, kryeqindësi dërgoi tek ai disa pleq të judenjve, që t’i luteshin të vinte për t’i shëruar shërbëtorin. Si arritën te Jezui, ata iu lutën me këmbëngulje e i thanë: «Ai e meriton ta ndihmosh, sepse e do popullin tonë e na ka ndërtuar edhe sinagogën». Atëherë Jezui shkoi me ta, por nuk ishin larg nga shtëpia kur kryeqindësi dërgoi disa miq për t’i thënë: «O Zot, mos u shqetëso! Unë nuk jam i denjë të hysh nën çatinë time. Prandaj nuk m’u duk vetja i denjë të vija vetë, por thuaj një fjalë e shërbëtori im do të shërohet. Sepse edhe unë jam nën urdhrat e eprorëve të mi e kam nën vete ushtarë. Kur i them njërit “shko”, ai shkon dhe kur i them tjetrit “eja”, ai vjen. Kur i them shërbëtorit tim “bëje këtë”, ai e bën». Kur dëgjoi këto fjalë, Jezui u mrekullua me kryeqindësin. Atëherë u kthye e i tha turmës që po e ndiqte: «Po ju them se as në Izrael nuk e kam gjetur një besim kaq të madh».

10 Pastaj të dërguarit u kthyen në shtëpinë e kryeqindësit dhe e gjetën shërbëtorin të shëruar.

Ngjallja e djalit të vejushës

11 Jezui shkoi në një qytet që quhej Nain, i shoqëruar nga dishepujt e tij dhe nga një turmë e madhe. 12 Kur iu afruan portës së qytetit, pa se po çonin për të varrosur një të vdekur. Ai kishte qenë djalë i vetëm dhe e ëma ishte e ve. Një turmë e madhe nga qyteti po e shoqëronte. 13 Kur Zoti e pa, ndjeu dhembshuri për të e i tha: «Mos qaj!». 14 Pastaj u afrua dhe preku vigun. Ata që e mbanin, u ndalën. Jezui tha: «Djalosh, po të them: ngrihu!». 15 I vdekuri u ngrit e filloi të fliste. Jezui e çoi tek e ëma. 16 Të gjithë i zuri frika dhe përlëvdonin Perëndinë duke thënë: «Një profet i madh është shfaqur mes nesh» dhe: «Perëndia i ka kthyer sytë mbi popullin e vet».

17 Atëherë u përhap fjala për të në mbarë Judenë e në krahinat përreth.

Të dërguarit e Gjon Pagëzorit

(Mt 11.2-19)

18 Dishepujt e Gjonit i treguan atij për gjithçka. Gjoni thirri dy prej tyre 19 e i dërgoi te Zoti për ta pyetur: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 20 Kur arritën te Jezui i thanë: «Gjon Pagëzori na ka dërguar te ti për të të pyetur: “A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?”». 21 Jezui sapo kishte shëruar shumë njerëz nga sëmundjet e nga mundimet, i kishte çliruar nga shpirtrat e këqij e u kishte kthyer shikimin shumë të verbërve. 22 Atëherë u përgjigj: «Shkoni e i tregoni Gjonit për ato që patë e dëgjuat. Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 23 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».

24 Kur u larguan të dërguarit e Gjonit, Jezui filloi t’u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 25 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të kushtueshme e që jetojnë në kënaqësi gjenden në pallatet mbretërore. 26 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 27 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:

ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim

përpara teje,

që të përgatisë udhën tënde.

28 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzorin. Por më i vogli në mbretërinë e Perëndisë është më i madh se ai».

29 Të gjithë ata që e dëgjuan këtë gjë, përfshirë edhe tagrambledhësit, pranuan se Perëndia është i drejtë dhe u pagëzuan nga Gjoni. 30 Por farisenjtë dhe mësuesit e ligjit iu kundërvunë vullnetit të Perëndisë e nuk u pagëzuan nga Gjoni.

31 Pastaj Jezui tha: «Me kë t’i krahasoj njerëzit e kësaj breznie, me kë ngjajnë? 32 Ata u ngjajnë fëmijëve që ulen shesheve dhe i thërrasin njëri-tjetrit e i thonë:

“I ramë fyellit për ju

e nuk kërcyet,

vajtuam

e ju nuk qatë”.

33 Erdhi Gjon Pagëzori, që as ha bukë e as pi verë, e ju thoni: “Është i pushtuar nga djalli”. 34 Erdhi Biri i njeriut, që ha e pi, e ju thoni: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. 35 Por urtia e Perëndisë del e drejtë nga të gjithë bijtë e saj».

Falja e gruas mëkatare

36 Një farise e ftoi Jezuin për të ngrënë me të. Jezui shkoi në shtëpinë e fariseut dhe u ul në tryezë. 37 Një grua nga ai qytet, që ishte mëkatare, kur mori vesh se Jezui ishte në shtëpinë e fariseut, solli një enë alabastri me mirrë. 38 Ajo rrinte prapa Jezuit te këmbët e tij duke qarë e filloi t’ia lagte këmbët me lot e t’ia thante me flokët e saj. Pastaj vazhdoi t’ia puthte këmbët e t’ia lyente me mirrë. 39 Kur fariseu që e kishte ftuar Jezuin e pa këtë gjë, tha me vete: «Po të ishte profet ky njeri, do ta dinte kush është e çfarë është kjo grua që po e prek: ajo është mëkatare». 40 Jezui i tha fariseut: «Simon, kam diçka për të të thënë». Simoni iu përgjigj: «Fol, mësues». 41 I tha: «Dy njerëz kishin detyrime ndaj një huadhënësi. Njëri detyrohej pesëqind denarë e tjetri pesëdhjetë. 42 Meqë as njëri e as tjetri nuk mund ta shlyenin detyrimin, ai ua fali atë të dyve. Cili prej të dyve do ta dojë më shumë?». 43 Simoni iu përgjigj: «Ma do mendja se ai të cilit i fali detyrimin më të madh». E Jezui i tha: «Ke gjykuar drejt». 44 Pastaj u kthye nga gruaja e i tha Simonit: «A e sheh këtë grua? Erdha në shtëpinë tënde e ti nuk më dhe as ujë për këmbët, ndërsa ajo m’i lau me lotët e saj e m’i thau me flokët e saj. 45 Ti nuk më përshëndete me puthje, ndërsa ajo nuk ka pushuar së puthuri këmbët e mia sapo hyra brenda. 46 Ti nuk ma leve kokën me mirrë, ndërsa ajo m’i leu këmbët me mirrë. 47 Po të them se dashuria e madhe që ajo shfaqi tregon se mëkatet e saj të shumta janë falur. Por ai të cilit i është falur pak, tregon pak dashuri». 48 Pastaj i tha asaj: «Të janë falur mëkatet». 49 Por ata që ishin me të në tryezë filluan të thoshin me njëri-tjetrin: «Kush është ky që falka edhe mëkatet?». 50 Ndërsa Jezui i tha gruas: «Besimi yt të shpëtoi, shko në paqe».

Luka 6

Jezui dhe e shtuna

(Mt 12.1-8; Mk 2.23-28)

Një të shtunë, ndërsa Jezui po ecte përmes një fushe me grurë, dishepujt këpusnin kallinj, i shkoqnin me duar dhe hanin. Disa nga farisenjtë thanë: «Përse po bëni atë që nuk është e lejueshme të shtunën?». Jezui u përgjigj: «A nuk e keni lexuar se çfarë bëri Davidi kur e mori uria, atë dhe ata që ishin me të? Sesi hyri në shtëpinë e Perëndisë, mori bukën e kushtimit, hëngri vetë e u dha edhe atyre që ishin me të, bukë që nuk lejohet t’i hajë askush përveç priftërinjve?». Pastaj u tha: «Biri i njeriut është Zot i të shtunës».

Njeriu me dorë të paralizuar

(Mt 12.9-14; Mk 3.1-6)

Një të shtunë tjetër Jezui hyri në një sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Aty gjendej një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë. Shkruesit dhe farisenjtë e vëzhgonin me kujdes Jezuin për të parë nëse do të shëronte të shtunën, që të gjenin një shkak për ta paditur. Jezui, edhe pse e dinte çfarë mendonin ata, i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: «Ngrihu e qëndro në mes!». Dhe ai u ngrit. Pastaj u tha atyre: «Po ju pyes: a është e lejueshme të bësh mirë apo të bësh keq të shtunën? Të shpëtosh një jetë apo ta shkatërrosh atë?». 10 Dhe, ndërsa po i shikonte të gjithë ata që ishin përreth, i tha të sëmurit: «Shtrije dorën!». Ai e shtriu dhe dora iu shërua tërësisht. 11 Por ata u tërbuan e filluan të flisnin me njëri-tjetrin se çfarë mund t’i bënin Jezuit.

Zgjedhja e të dymbëdhjetëve

(Mt 10.1-4; Mk 3.13-19)

12 Gjatë atyre ditëve Jezui shkoi në mal për t’u lutur dhe e gdhiu duke iu lutur Perëndisë. 13 Kur u bë ditë, i thirri dishepujt pranë vetes, zgjodhi dymbëdhjetë prej tyre dhe i quajti apostuj. 14 Këta ishin: Simoni, të cilit ia vuri emrin Pjetër, dhe vëllai i tij Andrea, Jakobi e Gjoni, Filipi e Bartolomeu, 15 Mateu e Thomai, Jakobi i Alfeut dhe Simoni që quhej Zelltar, 16 Juda i Jakobit e Judë Iskarioti që u bë tradhtar.

Shërbesa e Jezuit dhe turmat

(Mt 4.23-25)

17 Jezui zbriti së bashku me ta e u ndal në një vend të rrafshët, ku gjendeshin shumë nga dishepujt e tij. Aty gjendej edhe një turmë e madhe njerëzish nga e gjithë Judeja, Jerusalemi e bregu i Tirit e i Sidonit. 18 Kishin ardhur për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. Ata që vuanin nga shpirtrat e ndyrë shëroheshin 19 dhe të gjithë përpiqeshin ta preknin, sepse prej tij dilte një forcë që i shëronte.

Lumnitë dhe mjerimet

(Mt 5.1-12)

20 Atëherë Jezui ngriti sytë, pa nga dishepujt e tha:

«Lum ju që jeni të varfër,

se e juaja do të jetë mbretëria e Perëndisë!

21 Lum ju që tani keni uri,

se do të ngiheni!

Lum ju që tani qani,

se do të qeshni!

22 Lum ju kur njerëzit t’ju urrejnë,

kur t’ju përjashtojnë e t’ju shajnë,

kur të shpifin për ju

për shkak të Birit të njeriut!

23 Kur të vijë ajo ditë,

gëzohuni e kërceni,

se ja shpërblimi juaj është i madh në qiell.

Kështu vepruan etërit e tyre edhe me profetët.

24 Por mjerë ju të pasur,

se e keni marrë ngushëllimin tuaj!

25 Mjerë ju që jeni të nginjur tani,

se do të keni uri!

Mjerë ju që tani qeshni,

se do të trishtoheni e do të qani!

26 Mjerë ju kur të gjithë

të flasin mirë për ju!

Kështu vepruan etërit e tyre me profetët e rremë».

Dashuria për armiqtë

(Mt 5.38-48; 7.12a)

27 «Por unë po ju them juve që më dëgjoni: duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë. 28 Bekojini ata që ju mallkojnë e lutuni për ata që ju keqtrajtojnë. 29 Nëse dikush të qëllon në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën. Kushdo që të merr gunën, mos e pengo të të marrë edhe këmishën. 30 Jepi kujtdo që të kërkon ndonjë gjë dhe, nëse dikush të merr ndonjë gjë tënden, mos ia kërko. 31 Bëjuni të tjerëve çka dëshironi t’ju bëjnë juve. 32 Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët i duan ata që i duan. 33 Dhe nëse u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët bëjnë kështu. 34 Nëse u jepni hua vetëm atyre prej të cilëve shpresoni se do t’jua kthejnë, çfarë merite keni? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që të marrin prej tyre çfarë kanë dhënë. 35 Ju, përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre e jepni hua pa pritur që t’ju kthehet. Kështu do të merrni një shpërblim të madh e do të jeni bijtë e të tejlartit Perëndi, sepse ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë. 36 Jini të mëshirshëm, sikurse është i mëshirshëm edhe Ati juaj».

Mos e gjyko vëllanë

(Mt 7.1-5)

37 «Mos gjykoni e nuk do të gjykoheni. Mos dënoni e nuk do të dënoheni. Falni e do të faleni. 38 Jepni e do t’ju jepet. Do t’ju vënë në prehër një masë të mirë, të ngjeshur, të tundur e të begatë, sepse me masën që do të matni, do të mateni».

39 Jezui u foli përsëri me shëmbëlltyra: «A mund t’i prijë një i verbër një të verbri tjetër? A nuk do të bien të dy në gropë? 40 Dishepulli nuk është më i madh se mësuesi. Edhe po të mësojë gjithçka, do të jetë si mësuesi i tij.

41 Përse shikon ashklën në syrin e vëllait tënd e nuk pikat traun në syrin tënd? 42 Si mund t’i thuash vëllait tënd “vëlla, më lër të ta heq ashklën nga syri”, ti që nuk pikat traun në syrin tënd? Hipokrit! Hiq më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të shohësh qartë për të hequr ashklën nga syri i vëllait tënd».

Pema njihet nga frytet

(Mt 7.17-20; 12.34b-35)

43 «Nuk ka pemë të mirë që jep fryte të këqija e as pemë të kalbur që jep fryte të mira. 44 Çdo pemë njihet nga frytet e saj. Askush nuk mund të vjelë fiq nga ferrat e as rrush nga shkurret. 45 Njeriu i mirë nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së tij dhe njeriu i keq nxjerr të keqen nga thesari i tij i keq, sepse ç’ka zemra, nxjerr gojadh».

Dy shtëpitë

(Mt 7.24-27)

46 «Përse më thërrisni “Zot, Zot” e nuk bëni çfarë ju them unë? 47 Po ju tregoj kujt i ngjan ai që vjen tek unë dhe që i dëgjon e i zbaton fjalët e mia. 48 Ai i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi, gërmoi thellë e i hodhi themelet në shkëmb. Kur erdhi përmbytja, lumi vërshoi drejt asaj shtëpie, por nuk e tundi dot vendit, se shtëpia ishte ndërtuar mirë. 49 Ndërsa ai që i dëgjon, por nuk i zbaton fjalët e mia, i ngjan një njeriu që ndërtoi një shtëpi mbi dhe, pa themele. Kur vërshoi lumi, ajo u shemb menjëherë e i madh qe shkatërrimi i saj».


 dh6.45 ose: goja flet nga mbushullia e zemrës

Luka 5

Thirrja e dishepujve të parë

(Mt 4.18-22; Mk 1.16-20)

Jezui gjendej pranë liqenit të Gjenesaretit dhe turma shtyhej drejt tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Ai pa dy varka në breg të liqenit, por peshkatarët kishin dalë nga varkat e po lanin rrjetat. Si hipi në njërën prej tyre, në atë të Simonit, i kërkoi ta largonte pak nga bregu. Pastaj u ul e mësonte turmën nga varka.

Kur mbaroi së foluri, i tha Simonit: «Shko tej në thellësi e hidhni rrjetat për peshkim». Simoni iu përgjigj: «Mësues, jemi munduar gjithë natën e nuk kemi zënë asgjë, por për hir të fjalës sate do t’i hedh rrjetat». Si bënë kështu, kapën aq shumë peshk, saqë po u griseshin rrjetat. Atëherë u bënë shenjë atyre që ishin në varkën tjetër të vinin e t’i ndihmonin. Ata erdhën dhe të dyja varkat u mbushën aq shumë sa po fundoseshin. Kur e pa këtë gjë, Simon Pjetri ra në gjunjë para Jezuit e tha: «O Zot, largohu prej meje, se jam njeri mëkatar». Ai dhe të gjithë ata që ishin me të u çuditën nga sasia e madhe e peshkut që kishin zënë. 10 Aty ishin edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, të afërm të Simonit. Atëherë Jezui i tha Simonit: «Mos ki frikë! Që tani do të jesh peshkatar njerëzish». 11 Si i nxorën varkat në breg, ata lanë gjithçka e shkuan pas Jezuit.

Pastrimi i të lebrosurit

(Mt 8.1-4; Mk 1.40-45)

12 Ndërsa Jezui gjendej në një qytet, erdhi një burrë që e kishte mbuluar lebra. Kur e pa Jezuin, ra përmbys e iu lut: «O Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh». 13 Jezui shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë. 14 Jezui e urdhëroi të mos i tregonte askujt e i tha: «Shko e paraqitu te prifti e kushto një fli për pastrimin tënd, siç ka urdhëruar Moisiu. Kjo t’u shërbejë si dëshmi». 15 Megjithatë, fjala për Jezuin përhapej gjithnjë e më shumë dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar e për t’u shëruar nga sëmundjet e tyre. 16 Por ai u tërhoq në vende të shkreta e lutej.

Shërimi i të paralizuarit

(Mt 9.1-8; Mk 2.1-12)

17 Një ditë Jezui po mësonte njerëzit dhe aty gjendeshin disa farisenj e mësues të ligjit të Moisiut që kishin ardhur nga çdo fshat i Galilesë, nga Judeja e nga Jerusalemi. Fuqia e Zotit ishte me Jezuin që ai të shëronte.

18 Atëherë disa burra po sillnin në një vig një njeri të paralizuar. Ata po mundoheshin ta fusnin në shtëpinë ku ishte Jezui e ta vinin para tij, 19 por nuk dinin nga të hynin për shkak të turmës. Atëherë hipën mbi çati, hoqën tjegullat dhe e ulën në mes bashkë me vigun, para Jezuit. 20 Kur pa besimin e tyre, Jezui i tha të paralizuarit: «O njeri, të janë falur mëkatet». 21 Shkruesit dhe farisenjtë filluan të thonë me vete: «Kush është ky që fyen Perëndinë? E kush tjetër, përveç Perëndisë, mund t’i falë mëkatet?». 22 Jezui i kuptoi mendimet e tyre e u tha: «Përse mendoni kështu në zemrat tuaja? 23 Çfarë është më e lehtë, të thuash “të janë falur mëkatet” apo të thuash “ngrihu dhe ec”?. 24 Mirëpo, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtetin të falë mëkatet mbi tokë, “i tha të paralizuarit”, po të them: ngrihu, merre vigun e shko në shtëpi!». 25 Ai u ngrit menjëherë para tyre, mori vigun dhe shkoi në shtëpi duke përlëvduar Perëndinë. 26 Të gjithë u mahnitën, përlëvduan Perëndinë e plot frikë thanë: «Sot kemi parë gjëra të çuditshme».

Thirrja e Levit

(Mt 9.9-13; Mk 2.13-17)

27 Pastaj Jezui doli, pa një tagrambledhës me emrin Levi që rrinte ulur në bankën e tagrave e i tha: «Më ndiq!». 28 Ai la gjithçka, u ngrit e i shkoi pas.

29 Levi shtroi për Jezuin një festë të madhe në shtëpinë e tij. Në tryezë me ta ishin ulur një turmë e madhe tagrambledhësish e njerëzish të tjerë. 30 Atëherë farisenjtë dhe shkruesit e tyre murmurisnin kundër dishepujve e thoshin: «Përse hani e pini me tagrambledhës e mëkatarë?». 31 Jezui iu përgjigj: «Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. 32 Unë nuk kam ardhur të thërras të drejtët, por mëkatarët që të pendohen».

Çështja e agjërimit

(Mt 9.14-17; Mk 2.18-22)

33 Atëherë farisenjtë i thanë Jezuit: «Dishepujt e Gjonit agjërojnë shpesh e luten. Po kështu bëjnë edhe dishepujt e farisenjve, ndërsa të tutë hanë e pinë». 34 Jezui u tha: «A mund të agjërojnë dasmorët kur dhëndri është me ta? 35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua rrëmbejnë dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, do të agjërojnë».

36 Pastaj u tregoi këtë shëmbëlltyrë: «Askush nuk pret një copë prej një rrobe të re për të arnuar me të një rrobë të vjetër, sepse copa nga rroba e re do të griset e nuk do t’i përshtatet së vjetrës.

37 Askush nuk hedh verë të re në kacekë të vjetër, se vera e re do t’i çajë kacekët e do të derdhet, ndërsa vetë kacekët do të shkojnë dëm. 38 Prandaj vera e re hidhet në kacekë të rinjd.

39 Askush nuk dëshiron të pijë verë të re pasi ka pirë verë të vjetër, sepse thotë: “E vjetra është më e mirë”».


 d5.38 dorëshk. të tjera edhe: dhe kështu ruhen që të dy

Luka 4

Tundimi i Jezuit

(Mt 4.1-11; Mk 1.12-13)

Jezui, plot me Shpirtin e shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Shpirti e çoi në shkretëtirë. Atje u tundua nga djalli për dyzet ditë. Gjatë këtyre ditëve nuk hëngri asgjë dhe kur kaluan ato ditë, e mori uria. Djalli i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, thuaji këtij guri të bëhet bukë». Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: njeriu nuk jeton vetëm me bukëb». Pastaj djalli e ngjiti lart, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës në një çast e i tha: «Unë do të ta jap gjithë pushtetin dhe lavdinë e tyre, sepse më është dhënë mua dhe unë mund t’ia jap kujt të dua. Gjithçka do të jetë e jotja nëse bie në gjunjë para meje». Dhe Jezui i thac: «Është shkruar:

adhuro Zotin, Perëndinë tënd,

dhe shërbeji vetëm atij».

Pastaj djalli e çoi në Jerusalem, e vuri në pikën më të lartë të tempullit e i tha: «Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu që këtu, 10 sepse është shkruar:

do t’i urdhërojë engjëjt e tij

të të ruajnë

11 dhe:

do të të mbajnë në duart e tyre,

që mos të të ndeshë këmba në gur».

12 Por Jezui iu përgjigj: «Është shkruar: mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd».

13 Pasi e tundoi Jezuin në të gjitha mënyrat, djalli u largua prej tij për njëfarë kohe.

Shërbesa në Galile

(Mt 4.12-17; Mk 1.14-15)

14 Jezui u kthye në Galile me fuqinë e Shpirtit dhe për të u hap fjala në mbarë rrethinat e atij vendi. 15 Ai i mësonte njerëzit nëpër sinagogat e tyre dhe të gjithë e përlëvdonin.

Profeti dhe vendlindja

(Mt 13.53-58; Mk 6.1-6)

16 Jezui shkoi në Nazaret, atje ku ishte rritur. Ditën e shtunë, sipas zakonit, shkoi në sinagogë. U ngrit për të lexuar 17 dhe i dhanë librin e profetit Isai. Ai e hapi librin dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:

18 «Shpirti i Zotit është mbi mua,

sepse ai më ka vajosur

për t’u shpallur ungjillin të varfërveç.

Më ka dërguar

për t’u shpallur robërve lirinë

e për t’u kthyer të verbërve shikimin,

për të çliruar të shtypurit

19 e për të shpallur vitin e hirit të Zotit».

20 E mbylli librin, ia dha shërbestarit dhe u ul. Sytë e të gjithëve në sinagogë ishin drejtuar tek ai. 21 Jezui filloi t’u thoshte: «Sot u përmbush ky Shkrim që e dëgjuat me veshët tuaj».

22 Të gjithë flisnin mirë për të e mrekulloheshin nga fjalët plot hir që dilnin nga goja e tij e thoshin: «A nuk është ky i biri i Jozefit?». 23 Jezui u tha: «Ju do të më përmendni pa dyshim këtë thënie: mjek, shëro veten. Bëj edhe këtu në vendin tënd çfarë kemi dëgjuar se ke bërë në Kafarnaum». 24 Dhe vazhdoi: «Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij. 25 Por, me të vërtetë po ju them: në kohën e Elisë kishte shumë vejusha në Izrael kur qielli ishte i mbyllur për tre vjet e gjashtë muaj, kur në mbarë tokën ra zia e bukës. 26 Megjithatë, Elia nuk qe dërguar tek asnjëra prej tyre, por vetëm në Sarepta, në tokën e Sidonit, te një grua e ve. 27 Në kohën e profetit Elise kishte shumë të lebrosur në Izrael e, megjithatë, asnjëri prej tyre nuk u pastrua, por vetëm Namani nga Siria».

28 Të gjithë ata që ishin në sinagogë u mbushën me zemërim kur e dëgjuan këtë. 29 U ngritën, e nxorën jashtë qytetit dhe e çuan në majë të kodrës, ku ishte ndërtuar qyteti i tyre, që ta hidhnin në humnerë. 30 Por Jezui kaloi përmes tyre dhe u largua.

I pushtuari nga një shpirt i ndyrë

(Mk 1.21-28)

31 Jezui shkoi në Kafarnaum, në një qytet të Galilesë dhe po i mësonte njerëzit ditën e shtunë. 32 Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se fliste me pushtet. 33 Në sinagogë gjendej një njeri që ishte i pushtuar nga shpirti i një djalli të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë: 34 «Çfarë ke me ne, o Jezui i Nazaretit? Ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». 35 Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë e përplasi njeriun në mes të turmës dhe doli prej tij pa e dëmtuar. 36 Të gjithë u mrekulluan e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç’është kjo fjalë? Ai i urdhëron shpirtrat e ndyrë me pushtet e me fuqi dhe ata dalin». 37 Dhe për të u hap fjala kudo në ato rrethina.

Shërimi i shumë vetave

(Mt 8.14-17; Mk 1.29-34)

38 Jezui u ngrit, doli nga sinagoga e shkoi në shtëpinë e Simonit. Vjehrra e Simonit ishte sëmurë me ethe të forta, prandaj iu lutën që ta shëronte. 39 Jezui u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lanë. Ajo u ngrit menjëherë e filloi t’u shërbente.

40 Në perëndim të diellit, të gjithë ata që kishin të sëmurë që vuanin nga sëmundje të ndryshme i sillnin te Jezui. Ai vendoste duart mbi secilin prej tyre dhe i shëronte. 41 Prej shumë vetave dilnin shpirtra të ndyrë që bërtisnin: «Ti je Biri i Perëndisë!». Por Jezui i qortonte e nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.

Predikimi nëpër Jude

(Mk 1.35-39)

42 Kur agoi dita, Jezui doli nga qyteti e shkoi drejt një vendi të shkretë. Një turmë e madhe shkoi për ta kërkuar dhe kur e gjetën, nuk donin që ai të largohej prej tyre, 43 por Jezui u tha: «Më duhet ta shpall ungjillin e mbretërisë së Perëndisë edhe në qytetet e tjera, se për këtë gjë jam dërguar». 44 Dhe predikonte nëpër sinagogat e Judesë.


 b4.4 dorëshk. të tjera edhe: por prej çdo fjale të Perëndisë

 c4.8 dorëshk. të tjera edhe: largohu prej meje Satan

 ç4.18 dorëshk. të tjera edhe: ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer

Luka 3

Predikimi i Gjon Pagëzorit

(Mt 3.1-12; Mk 1.1-8; Gjn 1.19-28)

Në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Cezar Tiberit, kur Ponc Pilati ishte qeveritar i Judesë dhe Herodi, tetrark i Galilesë, ndërsa vëllai i tij, Filipi, tetrark i krahinës së Ituresë e Trakonitidës, kur Lisania ishte tetrark i Abilenës dhe kryepriftërinj ishin Hanahu e Kajafa, Gjonit, birit të Zakarisë, iu dha fjala e Perëndisë në shkretëtirë. Ai shkoi në mbarë krahinën përreth Jordanit dhe u predikonte njerëzve të pendoheshin e të pagëzoheshin, që t’u faleshin mëkatet. Siç është shkruar në librin e profetit Isai:

një zë thërret në shkretëtirë:

bëni gati udhën për Zotin,

drejtoni shtigjet e tij.

Çdo luginë le të mbushet

e çdo mal e kodër

le të rrafshohet.

Drejtoni udhët e shtrembra

e rrafshoni rrugët e ashpra.

Çdo njeri do ta shohë

shpëtimin e Perëndisë.

Gjoni u thoshte turmave që vinin për t’u pagëzuar tek ai: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? Jepni fryte të denja pendimi e mos filloni t’i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t’i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. Që tani pemëve u është vënë sëpata në rrënjë. Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr». 10 Turmat e pyetën: «Ç’duhet të bëjmë, atëherë?». 11 Gjoni u përgjigj: «Kush ka dy tunika, le t’ia japë njërën atij që nuk ka. Ai që ka për të ngrënë, le të veprojë po kështu». 12 Erdhën për t’u pagëzuar edhe tagrambledhësit e i thanë: «Mësues, ç’duhet të bëjmë?». 13 Ai u tha: «Mos mblidhni më shumë nga ç’ju është ngarkuar». 14 Edhe disa ushtarë e pyetën: «Po ne, ç’duhet të bëjmë?». Gjoni u tha: «Mos i merrni askujt gjë me dhunë e duke mashtruar, por kënaquni me pagën tuaj».

15 Populli ishte në pritje dhe të gjithë mendonin në zemrat e tyre se mos Gjoni ishte Krishti. 16 Atëherë Gjoni u tha: «Unë po ju pagëzoj me ujë, por po vjen dikush më i fuqishëm se unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’i zgjidh sandalet. Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 17 Ai e mban në dorë terploten për ta ndarë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunarin e tij, ndërsa kashtën do ta djegë në zjarrin që nuk shuhet kurrë».

18 Gjoni ia shpallte lajmin e mirë popullit edhe me shumë porosi të tjera. 19 Herod Tetrarku, të cilin Gjoni e kishte qortuar për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të vet, si edhe për të gjitha të këqijat që kishte bërë, 20 bëri edhe këtë të keqe: e futi Gjonin në burg.

Pagëzimi i Jezuit

(Mt 3.13-17; Mk 1.9-11)

21 Kur u pagëzua gjithë populli, u pagëzua edhe Jezui dhe kur po lutej, u hap qielli 22 e mbi të zbriti Shpirti i shenjtë me trajtë trupore si pëllumb. Atëherë u dëgjua një zë nga qielli: «Ti je Biri im i dashur. Me ty jam i kënaqur».

Breznitë e Jezuit

(Mt 1.1-17)

23 Kur Jezui filloi shërbesën, ishte rreth tridhjetë vjeç. E pandehnin të birin e Jozefit. Jozefi ishte biri i Eliut, 24 të birit të Matatit, të birit të Levit, të birit të Melkiut, të birit të Janait, të birit të Jozefit, 25 të birit të Matatisë, të birit të Amosit, të birit të Naumit, të birit të Esliut, të birit të Nagait, 26 të birit të Mahatit, të birit të Matatisë, të birit të Semeinit, të birit të Josekut, të birit të Jodait, 27 të birit të Johananit, të birit të Resës, të birit të Zorobabelit, të birit të Salatielit, të birit të Nerit, 28 të birit të Melkiut, të birit të Adiut, të birit të Kosamit, të birit të Elmadamit, të birit të Erit, 29 të birit të Jozuehut, të birit të Eliezerit, të birit të Jorimit, të birit të Matatit, të birit të Levit, 30 të birit të Simeonit, të birit të Judës, të birit të Jozefit, të birit të Jonamit, të birit të Eliakimit, 31 të birit të Meleas, të birit të Menait, të birit të Matatait, të birit të Natamit, të birit të Davidit, 32 të birit të Jeseut, të birit të Jobedit, të birit të Boozit, të birit të Salait, të birit të Naasonit, 33 të birit të Aminadabit, të birit të Adminit, të birit të Arnit, të birit të Esromit, të birit të Faresit, të birit të Judës, 34 të birit të Jakobit, të birit të Isakut, të birit të Abrahamit, të birit të Tarait, të birit të Nahorit, 35 të birit të Serukut, të birit të Ragaut, të birit të Falekut, të birit të Eberit, të birit të Salait, 36 të birit të Kainamit, të birit të Arfaksadit, të birit të Semit, të birit të Noeut, të birit të Lamekut, 37 të birit të Metusalait, të birit të Enokut, të birit të Jaretit, të birit të Maleleelit, të birit të Kainamit, 38 të birit të Enout, të birit të Setit, të birit të Adamit, të birit të Perëndisë.

Luka 2

Lindja e Jezuit

(Mt 1.18-25)

Në ato ditë Cezar Augusti nxori një dekret për shënimin e tërë popullsisë. Shënimi i parë ishte bërë kur Kuirini qeveriste Sirinë. Të gjithë shkonin për t’u shënuar, secili në qytetin e vet. Edhe Jozefi, që ishte nga Galilea, nga qyteti i Nazaretit, shkoi në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Betlehem, sepse ishte nga shtëpia e nga fisi i Davidit, për t’u shënuar së bashku me Marinë, të fejuarën e tij, që ishte shtatzënë. Ndërsa ndodheshin në Betlehem, i erdhën ditët për të lindur dhe lindi birin e saj të parëlindur. E mbështolli në pelena dhe e vuri në grazhd, se në bujtinë nuk kishte vend për ta.

Barinjtë dhe engjëjt

Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, 10 por engjëlli u tha: «Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: 11 sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. 12 Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena e të shtrirë në grazhd». 13 Papritur bashkë me engjëllin u duk një ushtri e madhe qiellore që lavdëronte Perëndinë kështu:

14 «Lavdi i qoftë Perëndisë

në lartësitë qiellore

e paqe në tokë

njerëzve që ai i ka për zemër».

15 Kur u larguan engjëjt prej tyre e u kthyen në qiell, barinjtë i thanë njëri-tjetrit: «Të shkojmë në Betlehem e të shohim çfarë ka ndodhur, atë që na ka bërë të ditur Zoti». 16 Ata shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë me Jozefin e fëmijën të shtrirë në grazhd. 17 Kur e panë, shpallën çfarë u qe thënë për foshnjën. 18 Dhe të gjithë ata që dëgjuan mbetën të habitur nga tregimi i barinjve.

19 Maria i ruante dhe i shqyrtonte të gjitha këto në zemrën e saj.

20 Atëherë barinjtë u kthyen duke përlëvduar Perëndinë e duke i thurur lavde për gjithçka panë e dëgjuan, ashtu siç u qe thënë.

21 Pas tetë ditësh, kur e rrethprenë, i vunë emrin Jezu, emrin që i kishte vënë engjëlli para se të ngjizej.

Jezui foshnjë në tempull

22 Kur erdhi koha e pastrimit të tyre në tempull, sipas ligjit të Moisiut, Jozefi dhe Maria e çuan Jezuin në Jerusalem për t’ia paraqitur Zotit, 23 siç është shkruar në ligjin e Zotit: çdo djalë i parë do t’i kushtohet Zotit 24 dhe për të kushtuar flinë siç thuhet në ligjin e Zotit: një çift turtujsh ose dy pëllumba të vegjël.

25 Në atë kohë jetonte në Jerusalem një njeri me emrin Simeon. Ky njeri ishte i drejtë e i përkushtuar ndaj Perëndisë. Ai priste ngushëllimin e Izraelit dhe Shpirti i shenjtë ishte me të. 26 Shpirti i shenjtë i kishte zbuluar se nuk do të vdiste pa e parë Krishtin e Zotit. 27 I udhëhequr nga Shpirti, ai erdhi në tempull dhe kur prindërit sollën Jezuin foshnjë, për të përmbushur me të kërkesat e ligjit, 28 Simeoni e mori Jezuin në krahë dhe bekoi Perëndinë kështu:

29 «Tani, o Zot,

lëre shërbëtorin tënd

të shkojë në paqe,

sipas fjalës sate,

30 se me sytë e mi

e pashë shpëtimin tënd

31 që ti e përgatite

në sytë e të gjithë popujve,

32 dritë për të ndriçuar kombet

e lavdi për popullin tënd, Izraelin».

33 I ati dhe e ëma e Jezuit mrekulloheshin nga gjërat që thuheshin për të. 34 Atëherë Simeoni i bekoi e i tha Marisë, nënës së Jezuit: «Ja, ky fëmijë do të jetë shkak për rënien dhe ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe shenjë kundërshtimi, 35 që të zbulohen mendimet e shumë zemrave. Ndërsa ty një shpatë do të ta përshkojë shpirtin».

36 Aty gjendej edhe një profeteshë, Ana, e bija e Fanuelit, nga fisi i Asherit. Ajo ishte e shkuar në moshë, kishte jetuar shtatë vjet me burrin e saj 37 e pastaj jetoi si vejushë derisa u bë tetëdhjetë e katër vjeç. Ajo nuk largohej nga tempulli, por adhuronte Zotin ditë e natë, duke agjëruar e duke u lutur. 38 Meqenëse ndodhej aty në atë çast, filloi edhe ajo të lavdëronte Zotin dhe u fliste për fëmijën atyre që prisnin shpengimin e Jerusalemit.

Kthimi në Nazaret

39 Si kryen gjithçka sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre Nazaret. 40 Fëmija rritej e forcohej plot urti dhe hiri i Zotit ishte me të.

Jezui fëmijë në tempull

41 Prindërit e Jezuit shkonin çdo vit në Jerusalem për festën e Pashkës. 42 Kur ai mbushi dymbëdhjetë vjeç, shkuan përsëri atje, sipas zakonit. 43 Si kaluan ditët e festës, ata u nisën për t’u kthyer. Fëmija Jezu mbeti në Jerusalem, por prindërit nuk e morën vesh këtë gjë. 44 Meqë mendonin se ai ishte bashkë me udhëtarët e tjerë, ata udhëtuan gjithë ditën e pastaj filluan ta kërkonin te të afërmit e të njohurit, 45 por nuk e gjetën dhe u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar. 46 Pas tri ditësh e gjetën në tempull. Ishte ulur në mes të mësuesve që i dëgjonte e i pyeste. 47 Të gjithë ata që e dëgjonin mahniteshin nga zgjuarsia e përgjigjet e tij. 48 Kur e panë, u habitën dhe e ëma i tha: «Bir, pse na e bëre këtë? Unë e yt atë po të kërkonim gjithë ankth». 49 Jezui u përgjigj: «Pse po më kërkonit? A nuk e dinit se duhet të merrem me punët e Atit tim?». 50 Por ata nuk i kuptuan fjalët e tij.

51 Pastaj u nis bashkë me ta, u kthye në Nazaret e u bindej. Nëna e tij i ruante të gjitha këto gjëra në zemër. 52 Jezui rritej në urti, në moshë e në hir para Perëndisë e njerëzve.

Luka 1

Hyrja

Përderisa shumë veta kanë marrë përsipër të rrëfejnë ngjarjet që janë përmbushur ndër ne, siç na i kanë përçuar ata që i panë me sytë e tyre dhe që qenë shërbëtorë të fjalës që nga fillimi, edhe mua, meqë kam ndjekur me kujdes nga afër gjithçka që nga fillimi, më është dukur gjë e mirë të t’i shkruaj me radhë, i përndritshëm Teofil, me qëllim që të njohësh palëkundshmërinë e mësimeve që ke marrë.

Paralajmërimi i lindjes së Gjon Pagëzorit

Në ditët kur Herodi ishte mbreti i Judesë, një prift me emrin Zakari, nga kasta e Abiut, kishte për grua njërën prej bijave nga fisi i Aronit. Ajo quhej Elizabetë. Që të dy ishin të drejtë para Perëndisë dhe jetonin pa të metë, sipas të gjitha ligjeve e urdhërimeve të Zotit. Nuk kishin fëmijë, se Elizabeta ishte shterpë e të dy ishin të shkuar në moshë.

Ndërsa Zakaria po kryente shërbesën e tij priftërore, para Perëndisë, kur ishte radha e kastës së tij, sipas zakonit të shërbesës priftërore, i ra shorti të hynte në shenjtëroren e Zotit për të djegur temjanin. 10 Ndërsa digjej temjani, tërë populli lutej përjashta. 11 Zakarisë iu shfaq engjëlli i Zotit, i cili rrinte në të djathtë të altarit të temjanit. 12 Kur e pa, Zakaria u trondit dhe e pushtoi frika. 13 Por engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Zakari, se lutja jote është dëgjuar dhe Elizabeta, gruaja jote, do të të lindë një djalë dhe ti do t’ia vësh emrin Gjon. 14 Do të gëzohesh e do të ngazëllehesh dhe shumë veta do t’i gëzohen lindjes së tij. 15 Ai do të jetë i madh para Zotit dhe nuk do të pijë verë e as pije dehëse. Do të jetë i mbushur me Shpirtin e shenjtë që në bark të nënës. 16 Shumë bij të Izraelit do t’i kthejë te Zoti, Perëndia i tyre. 17 Do të vijë përpara Zotit me shpirtin dhe fuqinë e Elisë, për t’i kthyer zemrat e etërve drejt bijve dhe kryeneçët në urtinë e të drejtëve, për t’i bërë gati Zotit një popull të përgatitur». 18 Zakaria i tha engjëllit: «Si do ta marr vesh këtë gjë? Se unë jam i vjetër dhe gruaja ime e moshuar». 19 Engjëlli iu përgjigj: «Unë jam Gabrieli, që rri në praninë e Perëndisë, dhe jam dërguar për të folur me ty e për të të dhënë këtë lajm të mirë. 20 Ja, ti do të mbetesh memec e nuk do të mund të flasësh deri ditën kur do të ndodhin këto gjëra, se nuk u ke besuar fjalëve të mia, që do të përmbushen kur t’u vijë koha».

21 Populli priste Zakarinë e ishte i habitur për vonesën e tij në tempull. 22 Por kur doli, ai nuk mundi t’u fliste dhe ata e kuptuan se kishte parë një vegim në tempull. U bënte shenja e nuk fliste dot. 23 Kur u mbushën ditët e shërbesës së tij, Zakaria u kthye në shtëpi. 24 Pas këtyre ditëve, Elizabeta, gruaja e tij, mbeti shtatzënë dhe për pesë muaj rrinte fshehur e thoshte: 25 «Kështu bëri për mua Zoti në ditët kur hodhi sytë mbi mua, për të më hequr turpin para njerëzve».

Paralajmërimi i lindjes së Jezuit

26 Në muajin e gjashtë engjëlli Gabriel u dërgua nga Perëndia në një qytet të Galilesë me emrin Nazaret, 27 te një virgjëreshë që ishte e fejuar me një burrë që quhej Jozef, nga shtëpia e Davidit. Virgjëresha quhej Mari. 28 Engjëlli shkoi tek ajo e i tha: «Gëzohu, hirplotë, Zoti është me tya». 29 Ajo u trondit nga këto fjalë dhe mendonte për domethënien e kësaj përshëndetjeje. 30 Engjëlli i tha: «Mos ki frikë, Mari, sepse ke gjetur hir para Perëndisë. 31 Ja, do të mbetesh shtatzënë, do të lindësh një djalë e do t’ia vësh emrin Jezu. 32 Ai do të jetë i madh e do të quhet Bir i të Tejlartit dhe Zoti Perëndi do t’i japë fronin e Davidit, atit të tij. 33 Ai do të mbretërojë mbi shtëpinë e Jakobit përgjithmonë dhe mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim». 34 Por Maria i tha engjëllit: «Si do të ndodhë kjo, se unë nuk njoh burrë?». 35 Engjëlli iu përgjigj: «Shpirti i shenjtë do të zbresë mbi ty dhe fuqia e të Tejlartit do të të mbulojë me hijen e vet, prandaj i Shenjti që do të lindë do të quhet Bir i Perëndisë. 36 Ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, pret t’i lindë një djalë në pleqërinë e saj dhe është në muajin e gjashtë, ajo që quhej shterpë. 37 Për Perëndinë asgjë nuk është e pamundur». 38 Atëherë Maria tha: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. Më ndodhtë sipas fjalës sate». Dhe engjëlli u largua prej saj.

Maria te Elizabeta

39 Ato ditë Maria u ngrit e shkoi me nxitim në një krahinë malore, në një qytet të Judesë. 40 Ajo hyri në shtëpinë e Zakarisë dhe përshëndeti Elizabetën. 41 Sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Marisë, i kërceu foshnja në bark. Elizabeta u mbush me Shpirtin e shenjtë, 42 thirri me zë të lartë e tha: «E bekuar je ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd! 43 Nga më vjen kjo dhuratë, që nëna e Zotit të vijë tek unë? 44 Ja, sapo zëri i përshëndetjes sate arriti në veshët e mi, foshnja kërceu nga gëzimi në barkun tim. 45 Lum ajo që ka besuar, se do të përmbushet çfarë i qe thënë prej Zotit!». 46 Maria tha:

«Gjithë qenia ime e madhëron Zotin

47 dhe shpirti im ngazëllehet

për Perëndinë, shpëtimtarin tim,

48 sepse ai hodhi sytë

mbi përulësinë e shërbëtores së vet

dhe, ja, të gjitha breznitë

do të më quajnë të lume.

49 Gjëra të mëdha

ka bërë për mua i fuqishmi.

I shenjtë është emri i tij.

50 Mëshira e tij zgjat nga

breznia në brezni

për ata që e druajnë.

51 Bëri vepra të fuqishme me krahun e tij,

hodhi poshtë ata që mburreshin

me mendimet e zemrës së tyre,

52 rrëzoi të fuqishmit nga froni

dhe lartësoi të përulurit.

53 Të uriturit

i mbushi me të mira,

ndërsa të pasurit

i nisi duarzbrazët.

54 E ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet,

duke sjellë ndër mend mëshirën,

55 siç u kishte thënë etërve tanë,

Abrahamit,

dhe pasardhësve të tij përgjithmonë».

56 Maria ndenji rreth tre muaj me Elizabetën, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.

Lindja e Gjon Pagëzorit

57 Elizabetës i erdhi koha për të lindur dhe lindi djalë. 58 Fqinjët dhe farefisi i saj dëgjuan se Zoti tregoi mëshirë të madhe për Elizabetën dhe gëzoheshin bashkë me të. 59 Ditën e tetë erdhën për të rrethprerë fëmijën e donin t’i vinin emrin Zakari, sipas emrit të të atit. 60 Por e ëma tha: «Jo, do të quhet Gjon». 61 Ata i thanë: «Askush nga të afërmit tuaj nuk quhet me këtë emër». 62 Atëherë e pyetën të atin me shenja se ç’emër donte t’i vinte. 63 Ai kërkoi një dërrasë, mbi të cilën shkroi: «Gjon është emri i tij». Të gjithë u mrekulluan. 64 Përnjëherë Zakarisë iu hap goja e iu zgjidh gjuha dhe filloi të fliste duke bekuar Perëndinë. 65 Të gjithë banorët aty pranë i zuri frika dhe në mbarë krahinën malore të Judesë flitej për këto gjëra. 66 Ata që i dëgjuan këto gjëra i mbajtën në zemër e thanë: «Ç’do të bëhet vallë ky djalë?». Dhe dora e Zotit ishte me të.

Profecia e Zakarisë

67 Zakaria, ati i tij, u mbush me Shpirtin e shenjtë e profetizoi kështu:

68 «Bekuar qoftë Zoti,

Perëndia i Izraelit,

se erdhi dhe shpengoi popullin e tij.

69 Ai ngriti për ne bririn e shpëtimit

në shtëpinë e Davidit,

shërbëtorit të vet,

70 siç e kishte thënë

me gojën e profetëve të tij të shenjtë

që prej shekujsh;

71 shpëtim nga armiqtë tanë

dhe nga dora e të gjithëve atyre

që na urrejnë,

72 për të treguar mëshirë me etërit tanë

e për t’u kujtuar

për besëlidhjen e tij të shenjtë;

73 për betimin që i bëri Abrahamit,

atit tonë,

për të na lejuar

74 që, pasi të na çlironte

nga duart e armiqve tanë,

t’i shërbenim pa frikë,

75 në shenjtëri e në drejtësi para tij

për të gjitha ditët e jetës sonë.

76 Dhe ti, foshnjë,

do të quhesh profet i të Tejlartit,

se do të ecësh përpara Zotit

për të përgatitur udhët e tij,

77 për t’i dhënë popullit të tij

njohjen e shpëtimit

me anë të faljes së mëkateve,

78 falë dhembshurisë së mëshirshme

të Perëndisë tonë,

me të cilën

do të na vijë së larti agimi,

79 që shndrit mbi ata që rrinë

në errësirë

e në hijen e vdekjes

dhe për të drejtuar

hapat tanë

në udhën e paqes».

80 Fëmija rritej, forcohej shpirtërisht e rrinte shkretëtirave gjer në ditën kur do t’i dëftohej Izraelit.


 a1.28 dorëshk. të tjera edhe: e bekuar je ti ndër gratë

Bibla.al App