Kuvendari

Kuvendari 12

Kujtohu për krijuesin tënd

në ditët e rinisë sate,

ende pa ardhur ditët e liga,

vitet për të cilat do të thuash:

«Nuk më japin asnjë kënaqësi!»,

pa u errur dielli, drita, hëna e yjet,

pa u kthyer retë pas shiut,

kur të dridhen rojat e shtëpisë,

kur të përkulen trimat e të ndalen bluajtësit,

ngaqë janë pakësuar,

kur të ngrysen ata që vështrojnë nga dritaret,

kur të mbyllen dyert në rrugë,

pasi të shuhet zhurma e bluarjes,

zogjtë e ulin zërin

dhe këngëtaret tulaten.

Edhe nga lartësitë do të kenë frikë

e tmerr nëpër rrugë.

Do të lulëzojë bajamja,

do të zvarritet karkaleci,

do të dështojë kopri,

se njeriu do të shkojë në banesën e amshuar,

ndërsa vajtuesit enden nëpër rrugë,

para se të këputet litari i argjendtë

e të thërrmohet kupa e artë,

para se të thyhet shtamba te burimi

e të copëtohet çikriku në sternë,

para se të kthehet pluhuri në tokë, siç kishte qenë,

e shpirti të kthehet te Perëndia që e kishte dhuruar.

Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,

gjithçka është tymnajë.

Përveçse qe i urtë, kuvendari i mësoi popullit dijen. Ai dëgjoi, shqyrtoi e renditi shumë fjalë të urta.

10 Kuvendari u përpoq të gjente fjalë të hijshme e shkroi drejt fjalë të vërteta.

11 Fjalët e të urtëve janë si thumbues. Si gozhdë të ngulura mirë janë përmbledhjet e thënieve. Janë dhënë nga një bari i vetëm. 12 Përtej këtyre, biri im, ki kujdes. Nuk ka fund përgatitja e librave të shumtë. Hulumtimi i shumtë e mundon trupin.

13 Si përfundim, pasi u dëgjuan të gjitha, druaje Perëndinë e zbato urdhërimet e tij, se kjo është gjithçka për njeriun. 14 Se Perëndia do të gjykojë çdo vepër e çdo të fshehtë, të mirë apo të keqe.

Kuvendari 11

Hidhe bukën tënde mbi ujëra,

se pas shumë ditëve do ta gjesh.

Ndaje në shtatë pjesë, apo tetë,

se nuk e di ç’zezonë do të ndodhë mbi tokë.

Nëse retë ngopen, shiun e derdhin mbi tokë,

nëse një pemë bie në jug apo në veri,

ku të bjerë, aty mbetet.

Kush vëren erën, nuk mbjell,

kush shikon retë, nuk korr.

Sikurse nuk ke dijeni se nga u vjen fryma kockave në barkun e nënës, ashtu nuk e di as veprën e Perëndisë që bën gjithçka.

Në mëngjes mbille farën tënde e deri në mbrëmje mos i ndal duart, se nuk e di cila është më e mirë, kjo apo ajo, apo të dyja janë të mira.

Drita është e ëmbël dhe syve u bën mirë ta shohin diellin.

Edhe nëse njeriu jeton shumë vite, le t’i gëzojë të gjitha, por të kujtojë vitet e errëta, që do të jenë të shumta, se gjithçka ndodh është tymnajë.

Shijoje rininë, o djalosh, e le të të ngazëllejë zemra në ditët e rinisë sate. Ndiq udhën që të do zemra e vegimin që të shohin sytë, por dije se për të gjitha këto Perëndia do të të bëjë gjyq.

10 Shporre prej zemrës ngasjen, dëboje ligësinë nga mishi, se djalëria e çapkënëria janë veçse tymnajë.

Kuvendari 10

Disa miza të ngordhura e fëlliqin vajin erëmirë,

pak marrëzi peshon më shumë se urtia e nderi.

Zemra e të drejtit priret djathtas,

ndërsa zemra e të marrit priret majtas.

I marri, edhe kur ecën udhës, s’ka mend.

U thotë të gjithëve se është i marrë.

Nëse sundimtari shfryn kundër teje, mos luaj vendit,

se qetësia zhbën mëkatet e rënda.

Është një ligësi, që e kam parë nën diell, si gabim që bëhet nga sundimtari: marrëzisë i jepen shumë vende të larta, ndërsa të pasurit ulen në vende të ulëta. Kam parë skllevër mbi kuaj e princa duke ecur në këmbë si skllevër.

Kush hap gropë, bie vetë brenda,

atë që çan murin e ha gjarpri.

Kush thyen gurë, prej tyre lëndohet,

kush çan dru, rrezikohet pre tyre.

10 Nëse hekuri topitet e askush s’ia mpreh tehun,

duhet shtuar forca,

është e dobishme të përparojë urtia.

11 Nëse gjarpri kafshon para se të magjepset,

magjistari nuk ka dobi.

12 Fjalët e gojës së të urtit janë të hijshme,

por të marrin e përpijnë buzët e veta.

13 Fillimi i fjalëve të gojës së tij është marrëzi,

fundi i gojëtarisë së tij është çmenduri e ligë.

14 I marri i shumon fjalët.

Askush s’e di ç’do të ndodhë,

ndaj kush do t’i tregojë ç’do të ndodhë pas tij?

15 Të marrët i kapit mundi,

se nuk dinë as të shkojnë në qytet.

16 E mjera ti, o tokë, që e ke mbretin riosh

e princat e tu bëjnë gosti në mëngjes.

17 E lumja ti, o tokë, që e ke mbretin bir fisniku

e princat e tu bëjnë gosti kur duhet,

për t’u mëkëmbur e jo për t’u pirë.

18 Nga përtacia shembet pullazi,

duarngratit i pikon shtëpia.

19 Bukën e shtrojnë për t’u gëzuar,

vera e bën jetën të hareshme,

paraja i përgjigjet çdo gjëje.

20 Mos e shaj mbretin as me mend

dhe në dhomën e gjumit mos e shaj të pasurin,

se zogu i qiellit do ta mbartë zërin

e fluturaku do ta tregojë fjalën.

Kuvendari 9

Të tëra këto i mora për zemër, për t’i shqyrtuar të gjitha, se si i drejti, i urti e veprat e tyre janë në dorë të Perëndisë. Njeriu nuk ka njohuri as për dashurinë, as për urrejtjen. Para tij gjendet gjithçka. Për të gjithë ka veçse një fat, për të drejtin e për të paudhin, për të mirin e për të keqin, për të pastrin e për të papastrin, për kë flijon e për kë nuk flijon, për të mbarin e për mëkatarin, për atë që betohet e për atë që i druhet betimit. Kjo është e keqja ndër të gjitha gjërat që ndodhin nën diell: se të gjithë kanë të njëjtin fat. Edhe zemrat e njerëzve janë plot ligësi dhe marrëzinë e mbajnë në zemër sa të jenë gjallë. Pastaj shkojnë me të vdekurit. Por, ai që bashkohet me të gjallët, ka shpresë, se qeni i gjallë është më mirë se luani i ngordhur. Se të gjallët e dinë se do të vdesin, por të vdekurit nuk kanë dijeni për asgjë. Nuk ka shpërblim për ta, se kujtimi i tyre është lënë në harresë. Edhe dashuria, urrejtja e smira e tyre janë shuar tashmë. Nuk do të kenë kurrë më pjesë në asgjë që ndodh nën diell.

Ec, haje me gëzim bukën tënde e pije me zemër të hareshme verën tënde, se Perëndisë i kanë pëlqyer tashmë veprat e tua. Mbaji gjithmonë të bardha petkat e tua e të mos i mungojë vaji erëmirë kokës sate. Shijoje jetën me gruan që dashuron gjatë gjithë ditëve të jetës sate të kotë, që ai të dha nën diell, se kjo është pjesa që ke në jetë dhe në mundin që do të heqësh nën diell. 10 Çfarëdo pune të gjejë dora jote, bëje me tërë fuqinë tënde, se në skëterrën ku po shkon nuk ka as punë, as dituri, as dije, as urti.

11 Përsëri pashë nën diell se garën nuk e fitojnë të shpejtët, as të fuqishmit betejën, as të urtët bukën, as të mençurit pasurinë dhe as të diturit nderimin, sepse koha dhe rastësia u qëllojnë të gjithëve. 12 Njeriu nuk e njeh kohën e vet. Si peshqit që zihen në një rrjetë të mbrapshtë dhe si zogjtë që zihen në kurth, kështu bien në kurth njerëzit në kohën e ligë që i zë në befasi.

13 Nën diell pashë edhe këtë urti që m’u duk e madhe: 14 ishte një qytet i vogël, me pak njerëz në të. Iu sul një mbret i madh e ndërtoi kulla madhështore kundër tij, 15 por në të u gjet një njeri skamnor e i urtë që e çliroi qytetin falë urtisë së tij. E pra, askush nuk e kujton atë njeri skamnor. 16 Atëherë unë thashë: më e mirë është urtia, se fuqia, por urtia e skamnorit përçmohet e nuk i dëgjohen fjalët.

17 Fjalët nën zë të të urtëve dëgjohen më mirë se britma e prijësit të të marrëve. 18 Urtia është më e mirë se armët e luftës, por një mëkatar mund të rrënojë një begati të madhe.

Kuvendari 8

Kush është si i urti

e kush di t’i dallojë gjërat?

Urtia njerëzore e shndrin fytyrën e tij

e ia shndërron fytyrën e ngrysur.

Zbatoji urdhrat e mbretit, se i je betuar Perëndisë. Mos u largo me ngut prej tij, mos ngul këmbë në punë të mbrapshta, se ai mund të bëjë çfarë të dojë. Se fjala e mbretit është eprore dhe kush mund t’i thotë: «Çfarë po bën?». Ai që e zbaton urdhërimin nuk do të njohë asnjë të keqe. Zemërurti njeh kohën e doket. Se çdo gjë ka kohën e doket e veta dhe ligësia peshon mbi njeriun. Asnjë nuk e di ç’do të ndodhë, prandaj kush mund t’i tregojë si do të ndodhë? Asnjeri nuk është i zoti i frymës, që të mund ta ndalë frymën. Askush nuk është i zoti në ditën e vdekjes. Nuk ka rrugëdalje nga beteja dhe ligësia nuk e shpëton të zotin. Gjithë këtë gjë e kundrova ndërsa isha dhënë me gjithë zemër ndaj çdo gjëje që ndodh nën diell, kur njeriu e sundon njeriun për të zezën e tij.

10 Ndërkohë i pashë të paudhët të varrosur. Kishin hyrë në vendin e shenjtë dhe kishin dalë, por në qytet kishin harruar se kishin vepruar kështu. Edhe kjo është tymnajë. 11 Meqë nuk merret një vendim i shpejtë për veprat e liga, zemra e njerëzve priret krejt për ligësi. 12 Ndonëse mëkatarit, që bën njëqind ligësi, i zgjatet jeta, jam i vetëdijshëm se ata që druajnë Perëndinë do të kenë mbarësi ngaqë e druajnë. 13 Por i paudhi nuk do të ketë mbarësi e nuk do t’i zgjaten ditët porsi hija, se nuk e druan Perëndinë.

14 Në tokë ndodh edhe një tymnajë. Disa të drejtëve u ndodhin gjërat që u takojnë keqbërësve. Disa të paudhëve u ndodhin gjërat që u takojnë të drejtëve. Them se edhe kjo është tymnajë.

15 Prandaj e çmoj harenë, se për njeriun nuk ka të mirë tjetër nën diell përveçse të hajë, të pijë e të gëzojë. Kjo do ta shoqërojë në mundin e ditëve të jetës së tij që i dha Perëndia nën diell.

16 Kur u dhashë me gjithë zemër për ta njohur urtinë e për ta vërejtur detyrën që është caktuar mbi tokë, sesi sytë nuk shohin gjumë as ditën, as natën, 17 pashë gjithë punën e Perëndisë, se njeriu nuk mund ta marrë me mend veprën që është kryer nën diell. Sado të mundohet njerëzia të kërkojë, nuk do ta gjejë. Edhe nëse ndonjë i urtë do të thotë se e di, nuk do të mund ta gjejë.

Kuvendari 7

Më mirë një emër i mirë, se vaji erëkëndshëm,

dita e vdekjes, se dita e lindjes.

Më mirë të shkosh në shtëpinë që mban zi,

se në shtëpinë që bën festë,

se po ai fund pret çdo njeri.

Ta mbajë mend i gjalli!

Më i mirë është pikëllimi, se buzagazi,

se pas një fytyre të ngrysur ka një zemër të mirë.

Zemra e të urtit është në shtëpinë që mban zi,

por zemra e të marrit, në shtëpinë që bën festë.

Më mirë të dëgjosh qortimin e të urtit,

se të dëgjosh këngën e të marrit.

Se porsi krikëllima e ferrave nën kusi,

ashtu është e qeshura e të marrit.

Edhe kjo është tymnajë.

Mujshia e bën të marrë të urtin

dhe mita e prish zemrën.

Më mirë fundi i një gjëje, se fillimi,

më mirë shpirti i durueshëm, se shpirti i krekosur.

Mos u ngut të zemërohesh,

se në gjirin e të marrit zë vend zemërimi.

10 Mos thuaj: «Pse kohët e dikurshme

ishin më të mira se këto?»,

se këtë pyetje nuk e bën nga urtia.

11 E mirë është urtia bashkë me trashëgiminë,

dobi për atë që sheh dritën e diellit.

12 Nën hijen e urtisë është si nën hijen e parasë,

por dobinë e ka dija.

Urtia e mban gjallë të zotin.

13 Shiko veprën e Perëndisë:

kush mund të drejtojë

çfarë ka shtrembëruar ai?

14 Në ditë të mbarë bëhu i mbarë dhe, në ditë të ligë, vërej: edhe këtë, edhe atë i ka bërë Perëndia, që njeriu të mos e marrë vesh çdo të ndodhë pas tij.

15 Kam parë gjithçka në ditët e tymnajës sime. Ka të drejtë që marrin fund në drejtësinë e vet e ka të paudhë që jetojnë gjatë në paudhësinë e vet. 16 Mos u bëj shumë i drejtë e as tepër i urtë. Pse të rrënohesh? 17 Mos u bëj shumë i paudhë e mos u bëj i marrë. Pse të vdesësh para kohe? 18 Është mirë të kapësh një gjë, por pa e lëshuar tjetrën, se kush druan Perëndinë ia del me të gjitha.

19 Urtia i jep forcë të urtit më shumë se dhjetë sundues në qytet. 20 Nuk ka mbi tokë asnjeri që bën mirë e nuk mëkaton. 21 Mos ua vër mendjen as të gjitha fjalëve që thonë, që të mos e dëgjosh shërbëtorin duke të të sharë. 22 Zemra jote e di se edhe ti i ke sharë të tjerët.

23 Të gjitha këto i sprovova me urti e thashë: «Do të bëhem i urtë», por nuk ia arrita. 24 Çfarë ndodh, mbetet larg e shumë thellë! Kush mund ta pikasë? 25 E prira zemrën për të marrë vesh, për të hulumtuar, për të kërkuar urtinë e shpjegimin dhe për të marrë vesh se ligësia është marrëzi e marrëzia është çmenduri. 26 Më duket se gruaja është më e hidhur se vdekja, se ajo është kurth, zemra e saj është rrjetë e krahët e saj janë pranga.b Kush i pëlqen Perëndisë, ikën prej saj, por mëkatari zihet prej saj. 27 Shiko, këtë gjë e kam zbuluar, thotë kuvendari, për të gjetur një shpjegim të hollësishëm. 28 Ajo që ende e kërkoj me shpirt, por nuk e gjej, është kjo: një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta. 29 Veçse, vëreje këtë: më duket se Perëndia e krijoi njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë sendërgjime.


 b7.26 ose: Gruaja që është kurth, zemra e së cilës është rrjetë dhe krahët e së cilës janë pranga, është më e hidhur se vdekja

Kuvendari 6

Zhgënjimi

Ka një ligësi që e kam parë nën diell. Ajo rëndon shumë mbi njerëzinë. Një njeriu Perëndia i jep pasuri, begati e nderim, pa i mohuar asgjë nga ato që i dëshiron shpirti, por Perëndia nuk i jep mundësinë të ushqehet me to, se vjen i huaji e i ha. Kjo është tymnajë e lëngatë e rëndë. Nëse një njeri lind njëqind fëmijë e jeton shumë vite, nëse i shumohen ditët e jetës, por nuk i kënaqet shpirti me të mira e nuk mund të ketë as varr, them se dështaku do të ishte më mirë se ai. Se erdhi në tymnajë, iku në errësirë dhe errësira do t’ia mbulojë emrin. As diellin nuk e pa e nuk njohu asgjë tjetër. Ky gjeti prehje më mirë se tjetri. Edhe po të jetonte dy herë nga një mijë vjet pa e parë të mirën, a nuk shkojnë të gjithë në të njëjtin vend?

Njeriu derdh gjithë atë mund për gojën e vet, por nuk i kënaqet shpirti. Se ç’dobi ka i urti më shumë se i marri? Ç’fiton ai skamnor që di të sillet me të gjallët? Më mirë është të shohësh me sy, se të bredhësh me ëndje. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

10 Gjithçka që është, e ka një emër. Dihet ç’është njeriu. Ai nuk mund të rragatet me dikë që është më i fortë. 11 Sa më shumë të shumohen fjalët, aq më shumë shtohet tymnaja. Ç’dobi ka njeriu? 12 Se kush e di cila është e mira e njeriut në jetë, në ditët e numëruara të tymnajës së jetës së tij, që kalon si hije? Kush mund t’i tregojë njeriut çfarë vjen pas tij nën diell?

Kuvendari 5

Cilësitë e të urtit

Mos e lësho gojën e mos të të ngutet zemra për të thënë fjalë para Perëndisë, se Perëndia është në qiell e ti në tokë, prandaj le të jenë të përkora fjalët e tua.

Ëndrrat vijnë prej punëve të shumta,

zëri i të marrit, prej fjalëve të shumta.

Kur t’i zotohesh Perëndisë, mos vono ta plotësosh, se nuk i pëlqejnë marrëzitë. Zotimin që bëre, plotësoje. Më mirë të mos zotohesh, se të marrësh zotime e të mos i plotësosh. Mos e lër gojën të të çojë në mëkat e mos thuaj para lajmëtarit se ishte mendjelehtësi. Pse të zemërohet Perëndia kundër britmës sate e ta rrënojë veprën e duarve të tua? Se, kur shumohen ëndrrat, shumohen edhe tymnajat e fjalët, prandaj druaje Perëndinë.

Nëse vëren se në një krahinë shtypet skamnori e të drejtit nuk i jepet e drejta, mos u habit nga kjo gjë, se të lartin e vëren dikush më i lartë dhe të gjithë i vëren eprori. Dobia e përgjithshme e tokës është kjo: arat e mbretit të punohen.

Kush e do paranë, nuk ngopet me para. Kush e do pasurinë, nuk ngopet me të ardhura. Edhe kjo është tymnajë. 10 Kur shumohet begatia, shumohen edhe ata që e brejnë. Ç’fitim kanë pronarët e saj, përveçse ta shohin me sy? 11 I ëmbël është gjumi i punëtorit, si në ngrëntë pak, si në ngrëntë shumë, kurse të kamurin nuk e lë të flejë babëzia. 12 Ka edhe një ligësi të rëndë që e kam parë nën diell: pasuria që ruan i zoti për të zezën e vet. 13 Kjo pasuri merr fund me një përdorim të gabuar. Lind djali e s’i mbetet gjë në dorë. 14 Siç doli nga barku i së ëmës, lakuriq do të kthehet e do të shkojë, siç erdhi. Nuk do të marrë asgjë nga mundi i vet, që ta mbartë në dorë. 15 Edhe kjo është ligësi e rëndë. Siç erdhi, ashtu do të shkojë. E ç’dobi ka ai që mundohet për erë? 16 Të gjitha ditët e veta i hëngri në errësirë, në brengë të madhe, në sëmundje e në zemërim. 17 Ja, më duket mirë e bukur që njeriu të hajë, të pijë e të dëfrejë, prej mundit që heq nën diell, në ditët e numëruara që Perëndia i ka dhënë, se kjo i takon. 18 Gjithashtu, çdo njeriu, të cilit Perëndia i dha pasuri e begati, i dha edhe mundësinë të hajë prej saj, të marrë pjesën e vet e të gëzojë mundin e vet. Kjo është dhuratë e Perëndisë. 19 Ai nuk do t’i kujtojë shumë ditët e jetës së vet, por Perëndia do ta dëfrejë me gëzimin e zemrës.

Kuvendari 4

Pastaj u solla e pashë tërë shtypjen që ushtrohet nën diell. Dhe, ja, lotët e të shtypurve nuk ka kush t’i ngushëllojë, se pushteti mban anën e shtypësve, prandaj nuk ka kush t’i ngushëllojë. Atëherë u përgëzova me të vdekurit, që vdiqën e shkuan, më shumë se me të gjallët, që ende gjallojnë, por më mirë se të dyja palët është ai që ende nuk është e nuk e ka parë ligësinë që bëhet nën diell.

Vërejta se tërë mundi e tërë arritjet në punë vinin nga zilia që kanë njerëzit me njëri-tjetrin. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

I marri rri duarkryq

e ha veten me dhëmbë.

Më mirë një grusht plot qetësi,

se dy duar plot mund

e të rendësh pas erës.

Përsëri pashë tymnajë nën diell: dikush fillikat, pa fëmijë e pa vëlla, bën gjithë atë mund të pafund e sytë s’i kanë të ngopur me pasuri. «Për kë po punoj, që po ia mohoj vetes kënaqësitë?». Edhe kjo është tymnajë e punë e mbrapshtë.

Shoqëria

Dy vetë janë më mirë se një, se shpërblehen mirë për mundin e vet. 10 Se, po të rrëzohen, njëri ngre tjetrin. Por, mjerë ai që rrëzohet e nuk ka kush ta ngrejë. 11 Po ashtu, nëse dy vetë flenë bashkë, ngrohen, por ai që mbetet vetëm, si do të ngrohet? 12 Një njeri të vetëm e mundin, por dy vetë i bëjnë ballë një njeriu. Filli i trefishtë nuk këputet lehtë.

13 Më mirë një djalë skamnor e i urtë, se një mbret plak e i marrë që nuk di të këshillohet më, 14 se ai del nga burgu e bëhet mbret, ndonëse pati lindur skamnor në mbretërinë e vet. 15 I pashë të gjithë të gjallët që ecin nën diell me djaloshin që u ngrit e i zuri vendin mbretit. 16 Nuk kishte të sosur tërë ai popull, tërë ata të cilëve u printe. Por prapë, ata që do të vijnë më vonë, nuk do të gëzohen me të. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës. 17 a Ruaje këmbën kur të shkosh në tempullin e Perëndisë. Më mirë afrohu për të dëgjuar, sesa për të kushtuar flinë e të marrëve, se ata nuk e dinë se veprojnë keq.


 a4.17 të tjerë e rendisin si 5.1

Kuvendari 3

Ka një kohë për çdo gjë

Për gjithçka ka një stinë,

ka një kohë për çdo gjë nën qiell:

një kohë për të lindur

e një kohë për të vdekur,

një kohë për të mbjellë

e një kohë për të shkulur të mbjellat,

një kohë për të vrarë

e një kohë për të shëruar,

një kohë për të shembur

e një kohë për të ndërtuar,

një kohë për të qarë

e një kohë për të qeshur,

një kohë për të vajtuar

e një kohë për të vallëzuar,

një kohë për të hedhur gurë

e një kohë për të mbledhur gurë,

një kohë për t’u përqafuar

e një kohë për të mos u përqafuar,

një kohë për të kërkuar

e një kohë për të humbur,

një kohë për të mbajtur

e një kohë për të lëshuar,

një kohë për të grisur

e një kohë për të qepur,

një kohë për të heshtur

e një kohë për të folur,

një kohë për të dashur

e një kohë për të urryer,

një kohë për luftë

e një kohë për paqe.

Ç’dobi ka punëtori nga mundi i vet? 10 Kam vërejtur detyrën që u ka dhënë Perëndia njerëzve, për ta kryer me mund. 11 Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund. 12 E kam marrë vesh se për ta nuk ka më mirë sesa të dëfrehen e ta shijojnë jetën. 13 Për më tepër, Perëndia i ka bërë dhuratë çdo njeriu të hajë, të pijë e ta shijojë tërë mundin e vet. 14 E di se gjithçka bën Perëndia, mbetet përgjithmonë. Nuk i duhet shtuar asgjë e nuk i duhet hequr asgjë. Perëndia ka vepruar, që njerëzit të shohin e t’ia kenë frikën. 15 Ç’është tani, ka qenë tashmë. Ç’ka për të qenë, është që tani. Çfarë ka kaluar e shqyrton Perëndia.

16 Përsëri pashë nën diell se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka paudhësi. 17 Atëherë thashë në zemrën time: «Perëndia gjykon të drejtin e të paudhin, se ka një kohë për çdo gjë e për çdo veprim». 18 Unë thashë në zemrën time: «Sa për njerëzit, Perëndia i vë në provë, që ta shohin se, në vetvete, ata janë kafshë». 19 Se fati i njerëzve e fati i kafshëve është i njëjtë: siç vdesin këta, vdesin edhe ata. Të gjithë kanë të njëjtën frymë dhe njerëzit nuk kanë asnjë epërsi ndaj kafshëve, se gjithçka është tymnajë. 20 Gjithçka shkon në të njëjtin vend. Gjithçka vjen nga pluhuri e në pluhur kthehet gjithçka. 21 Kush e di në ngjitet lart shpirti i njerëzve e në zbret nën tokë shpirti i kafshëve? 22 Kështu, vërejta se për njeriun nuk ka më mirë sesa të dëfrehet me mundin e vet, se kjo i takon. Kush vallë e bën të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?

Kuvendari 2

Kotësia e arritjeve

Atëherë thashë me vete: «Eja, pra, e provo edhe kënaqësinë! Dëfrehu!». Por, ja, edhe kjo është tymnajë. Për gazmimin thashë: «Marrëzi!». Edhe për kënaqësinë: «Për çfarë duhet?». U orvata me zemër ta kënaqja trupin me verë, ndonëse zemrën ma drejtonte urtia, e të arrija çmendurinë, derisa të shihja ku është ajo e mirë që bëjnë njerëzit nën qiell përgjatë gjithë jetës së tyre. Bëra vepra të mëdha, ndërtova për vete shtëpi e mbolla vreshta për vete. Bëra për vete kopshte e pemishte dhe i mbolla me të gjitha pemët frutore. Bëra për vete pellgje uji për të ujitur pyllin me fidanë. Bleva skllevër e skllave për vete dhe të tjerë më lindën në shtëpi. Pata edhe shumë tufa bagëtish e grigja për vete, më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Grumbullova për vete argjend e ar, si edhe thesarin e mbretërve e të krahinave. Mblodha për vete këngëtarë e këngëtare, si edhe shumë gra, që janë kënaqësia e njerëzisë.

U bëra i madhërishëm e ua kalova të gjithë paraardhësve të mi në Jerusalem. Madje edhe urtia ndenji me mua. 10 Çfarëdo të më lypnin sytë, nuk ua mohoja. Nuk ia mohova zemrës asnjë kënaqësi, se zemra ime kënaqej me të gjitha mundet e mia dhe këtë e kisha si shpërblim për çdo mund. 11 Pastaj i kundrova të gjitha veprat që kishin bërë duart e mia dhe mundin që kisha derdhur për t’i bërë. Dhe, ja, gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës, se nuk ka dobi nën diell.

Kotësia e urtisë

12 Atëherë u solla për të kundruar urtinë, marrëzinë e çmendurinë. Se, ç’mund të bëjë dikush që vjen pas mbretit, që s’e kanë bërë të tjerë më parë? 13 Pashë se urtia është më e dobishme se marrëzia, siç është drita është më e dobishme se errësira.

14 I urti i ka sytë në ballë,

i marri ecën në errësirë.

Por prapë unë e di se të dy i pret i njëjti fat. 15 Prandaj, thashë më vete: «Edhe mua më pret fati i të marrit. Atëherë, ç’dobi kam të bëhem i urtë?». Dhe thashë në zemrën time se edhe kjo është tymnajë. 16 Se nuk mbetet përherë kujtimi i të urtit, as i të marrit, por harrohet gjithçka që në ditët në vijim. Si mund të vdesë i urti me të marrin? 17 E urrej jetën, se më duket e ligë çdo punë që kryhet nën diell. Se gjithçka është tymnajë e si të rendësh pas erës.

Kotësia e mundit

18 E urrej të gjithë mundin që kam derdhur nën diell, se duhet t’ia lë njeriut që vjen pas meje 19 dhe kush e di nëse do të jetë i urtë apo i marrë? Ai do ta zotërojë tërë mundin që kam derdhur me urti nën diell. Edhe kjo është tymnajë. 20 Atëherë zemrën ma kaploi përsëri trishtimi për tërë mundin që kisha hequr nën diell, 21 se ka njerëz që mundohen me urti, me dituri e arritje, për t’i lënë pjesën e vet dikujt që nuk është munduar fare. Edhe kjo është tymnajë e ligësi e madhe. 22 Çfarë arrin njeriu me tërë mundin e vet, duke u orvatur me zemër, duke u munduar nën diell? 23 Tërë ditët e tij janë stërmundim. Ngasje është detyra e tij. As natën nuk i prehet zemra. Edhe kjo është tymnajë.

24 Nuk ka asgjë më të mirë për njeriun sesa të hajë, të pijë e t’i kënaqet shpirti me mundin e vet. Edhe kjo, vërejta, vjen prej dorës së Perëndisë, 25 se kush mund të hajë e të kënaqet më shumë se unë? 26 Se, njeriut që i pëlqen, ai i jep urti, dituri e gëzim, ndërsa mëkatarit i cakton si detyrë të mbledhë e të grumbullojë, për t’ia dhënë kujt të dojë Perëndia. Edhe kjo është tymnajë e si të rendësh pas erës.

Kuvendari 1

Hyrje

Fjalët e kuvendarit, birit të Davidit, mbret në Jerusalem.

Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,

tymnajë e kaluar tymnajës, gjithçka është tymnajë.

Ç’dobi ka njeriu nga tërë mundi i vet,

që të mundohet nën diell?

Një brezni ikën, një brezni vjen,

por toka mbetet përgjithmonë.

Dielli lind e dielli perëndon,

rend për te vendi i vet

e atje rilind.

Era fryn kah jugu,

sillet kah veriu,

sillet e përsillet,

por në qerthullin e vet sillet.

Të gjithë lumenjtë derdhen në det

e deti nuk mbushet.

Lumenjtë rrjedhin drejt vendit

prej ku nisen sërish.

Gjithçka është kapitëse,

sa s’ka njeri ta tregojë.

Syri nuk ngopet me të parë,

veshi nuk ngihet me të dëgjuar.

Ç’ka qenë, ajo edhe do të jetë,

ç’është bërë, ajo edhe do të bëhet.

Asgjë të re nuk ka nën diell!

10 A ka ndonjë gjë që të thuhet:

«Shiko, kjo është e re!».

Por ajo kishte qenë qëkur,

në kohët e lashta para nesh.

11 Nuk ka kujtim për kohët e lashta,

por as për të ardhmen nuk u mbetet kujtim

atyre që do të vijnë më vonë.

Kotësia e urtisë

12 Unë, kuvendari, isha mbreti i Izraelit, në Jerusalem, 13 dhe u përpoqa me zemër të hetoja e të zbuloja me anë të urtisë gjithçka që ndodh nën qiell. Kjo është një detyrë e rëndë që Perëndia ua ka dhënë njerëzve për t’u marrë me të. 14 Kam parë gjithçka është bërë nën diell dhe, ja, gjithçka është tymnajë, si të rendësh pas erës.

15 Çka është e shtrembër, nuk drejtohet dot,

nuk mund të numërohet diçka që s’është.

16 Atëherë thashë me vete: «Ja, unë e shtova dhe e shumova urtinë më shumë se të gjithë paraardhësit e mi në Jerusalem. Zemra ime ka parë urti e dituri të shumtë». 17 U dhashë me zemër pas njohjes së urtisë. Edhe marrëzinë dhe çmendurinë e njoha. Por edhe kjo është si të rendësh pas erës.

18 Se, kur urtia është e madhe,

e madhe është edhe ngasja.

Kush shton diturinë,

shton brengën.