Fjalët e urta

Fjalët e urta 31

Thëniet e Lamuelit

Fjalët e Lamuelit, mbretit të Masës, që ia mësoi e ëma.

Si vallë, biri im, si vallë, biri i barkut tim?

Si vallë, biri i betimeve të mia?

Mos ua jep grave fuqinë tënde

e jetën tënde atyre që shfarosin mbretërit.

Nuk u shkon mbretërve, o Lamuel,

nuk u shkon mbretërve të pinë verë,

as prijësve të dëshirojnë pije të forta,

se, po të pinë, harrojnë rregullat

e shtrembërojnë çështjen e tërë të mjeruarve.

Jepini pije të fortë tatëpjetësit

e verë zemërplasurve.

Të pinë e të harrojnë varfërinë e vet,

të mos e kujtojnë më brengën e vet.

Fol për memecin,

mbroje çështjen e tërë të mbaruarve.

Hape gojën për të gjykuar drejt

e mbro të varfrin e nevojtarin.

Gruaja e mbarë

k Alef

10 A ka kush e gjen një grua të zonjën?

Më e çmuar se margaritarët vlera e saj.

Bet

11 Besim ka tek ajo zemra e burrit të saj

e nuk do t’i mungojë fitimi.

Gimel

12 Gëzim i jep ajo e jo hidhërim,

në të gjitha ditët e jetës së saj.

Dalet

13 Del e gjen li e lesh,

duart i vë në punë me zell.

He

14 Hiqet porsi anije tregtare

që sjell ushqim së largu.

Vau

15 Vetë zgjohet që me natë,

për t’i dhënë ushqim shtëpisë

e detyrat shërbëtoreve.

Zain

16 Zë e mendon për një arë dhe e blen,

me çfarë ka fituar, mbjell vreshtin.

Het

17 Hedh brezin ijëve tërë fuqi,

fort u jep krahëve.

Tet

18 Të mbarën e punës së vet shikon

e natën llamba e saj nuk shuhet.

Jod

19 Ja, shtrin dorën e merr furkën,

boshtin në pëllëmbë e mban.

Kaf

20 Kundrejt skamnorit hap krahët,

kundrejt nevojtarit shtrin dorën.

Lamed

21 Le të mos trembet nga dëbora,

se e gjithë familja ka nga dy petka.

Mem

22 Mbulojë thur për vete,

vishet me li e mëndafsh.

Nun

23 Njeri i njohur është i shoqi në qytet,

kur rri me krerët e vendit.

Samek

24 Sajon petka liri për të shitur,

u jep tregtarëvel breza.

Ain

25 Ajo është veshur me forcë e nder,

e pret të ardhmen buzagaz.

Pe

26 Përherë gojën me urti e hap

e gjuha e saj është mësim mirësie.

Cade

27 Caqet e shtëpisë së vet vëzhgon

e nuk ha bukën e përtacisë.

Kof

28 Qëndrojnë lart bijtë e saj dhe e lavdërojnë,

i shoqi e përlëvdon kështu:

Resh

29 «Rangë kanë bërë shumë gra,

por të gjithave ua ke kaluar!».

Sin

30 Shtirake është hijeshia dhe e kotë bukuria,

por gruaja që druan Zotin do të lavdërohet.

Tau

31 Thurin lavde veprat e saj për të në qytet.

Jepini asaj nga frytet e duarve të veta.


 k31.9-31 Kjo pjesë njihet si akrostike. Çdo rresht numëror fillon me shkronjën vijuese të alfabetit hebraik

 l31.24 ose: kananitëve

Fjalët e urta 30

Thëniet e Agurit

Fjalët e Agurit, birit të Jakehut nga Masa. Thëniet e këtij njeriu drejtuar Itielit, për Itielin e Ukalin.j

Unë jam njeriu më trashanik

e nuk e kam mençurinë njerëzore.

Nuk e kam mësuar urtinë

e nuk e kam dijen e të shenjtëve.

Kush është ngjitur në qiell e ka zbritur?

Kush e ka mbledhur erën në grusht?

Kush i ka mbështjellë ujërat me petk?

Kush ia ka vënë të tëra caqet tokës?

Si e ka emrin ai dhe si e ka emrin biri i tij,

nëse e njeh?

Çdo fjalë e Perëndisë është e sprovuar;

ai është mburojë për kë gjen strehë tek ai.

Mos u shto gjë fjalëve të tija,

që mos të të qortojë e të dalësh gënjeshtar.

Dy gjëra kërkoj prej teje,

mos m’i moho para se të vdes:

mashtrimin e fjalët e rreme largoji prej meje;

mos më jep as skamje, as pasuri,

le të ha aq bukë sa më duhet,

që të mos ngopem e të të mohoj

e të them: kush është Zoti;

që të mos varfërohem e të vjedh

e ta përdhos emrin e Perëndisë tim.

10 Mos shpif për shërbëtorin tek i zoti,

se të nëm e të zë nëma.

11 Ka njerëz që mallkojnë etërit e vet

e nuk bekojnë nënat e veta.

12 Ka njerëz që e mbajnë veten për të pastër,

por nuk janë larë nga të pëgërat.

13 Ka njerëz që picërrojnë sytë e vrenjtin vetullat.

14 Ka njerëz që dhëmbët i kanë si shpata e nofullat si thika,

për të shqyer të varfrit nga toka

e të skamurit nga mesi i njerëzve.

15 Ushunjëza ka dy bija: «Jep! Jep!».

Tri gjëra nuk ngopen kurrë,

katër nuk thonë kurrë: «Mjaft!»:

16 skëterra, barku shterpë,

toka e etur për ujë

e zjarri që nuk thonë: «Mjaft!».

17 Sytë e atij që shpotit të atin e s’i bindet të ëmës

do t’i nxjerrin korbat e shpatit

e do t’i hanë zogjtë e shqiponjës.

18 Tri gjëra janë tepër të habitshme për mua,

por katër as që i marr vesh:

19 udhën e shqiponjës në qiell,

udhën e gjarprit nëpër shkrepa,

udhën e anijes në mes të detit

e udhën e njeriut për te një vashë.

20 Ja si sillet gruaja kurorëshkelëse:

ha, lan gojën e thotë:

«S’kam bërë keq».

21 Për tri gjëra dridhet toka,

por katër as që i duron:

22 skllavin që bëhet mbret,

të marrin që ngopet me bukë,

23 gruan e urryer që martohet

e skllaven që i zë vendin të zonjës.

24 Katër janë gjërat e vogla të tokës,

por e kanë nxënë urtinë:

25 thneglat, popull pa fuqi,

që verës përgatisin ushqimin për vete;

26 vjedullat, popull pa pushtet,

që kanë vënë banesat nëpër shkëmbinj;

27 karkalecat, që nuk kanë mbret,

por ecin të tërë në rresht;

28 hardhucat, që kapen me dorë,

por i gjen në pallatin mbretëror.

29 Tri gjëra çapiten hijshëm,

katër ecin hijerëndë:

30 luani, kafsha më e fortë,

që nuk zmbrapset përballë asgjëje;

31 gjeli parzëmfortë,

cjapi dhe mbreti në krye të ushtrisë.

32 Nëse marrëzisht je krenuar,

nëse ke thurur plane,

mbaje gojën me dorë,

33 se duke tundur qumështin, del gjalpi,

duke u fryrë hundëve, del gjaku

e duke i fryrë zemërimit, del grindja.


 j30.1 të tjerë: jam i lodhur o Perëndi, jam i lodhur o Perëndi e po mekem

Fjalët e urta 29

Kush është kokëfortë ndaj qortimeve,

shpejt do të rrënohet e nuk do të shërohet.

Kur mbizotërojnë të drejtët, populli gëzon,

kur sundon i paudhi, populli rënkon.

Kush e do urtinë, e gëzon të atin,

por kush shkon me lavire, shfaros pasurinë.

Me drejtësi, mbreti e bën të qëndrueshëm vendin,

por, kush e rëndon me tagra, e shkatërron.

Kush i bën lajka mikut,

i hedh rrjetën këmbëve.

Kush bën shkelje, i ngre kurth vetes,

por i drejti brohoret e gëzohet.

I drejti ua njeh të drejtën skamnorëve,

por i paudhi nuk ha arsye.

Njerëzit qesëndisës e ndezin qytetin,

por të urtët e zmbrapsin zemërimin.

I urti, që ngatërrohet me të marrin,

nxehet, qeshet e s’gjen prehje.

10 Gjakësorët e urrejnë të përkryerin,

por të drejtët kujdesen për të.

11 I marri e shfryn gjithë dufin,

por i urti përmbahet e qetësohet.

12 Prijësi që u vë vesh fjalëve të rreme,

të gjithë shërbëtorët i ka të paudhë.

13 Këtu puqen skamnori e shtypësi:

dritën e syve ua jep Zoti të dyve.

14 Nëse mbreti gjykon me drejtësi skamnorët,

froni i tij do të qëndrojë përgjithmonë.

15 Shkopi dhe qortimi japin urti,

por i riu që lihet i lirë, turpëron të ëmën.

16 Kur mbizotërojnë të paudhët, mbizotëron krimi,

por të drejtët do ta shohin përmbysjen e tyre.

17 Qortoje birin e do të të lërë të qetë,

do të ta kënaqë shpirtin.

18 Kur s’ka vegim profetik, populli shthuret,

por lum ai që mban ligjin.

19 Skllavi nuk ndreqet me fjalë,

të kupton, por s’i vë në zbatim.

20 E shikon njeriun që ngutet për të folur?

Shpreso prej të marrit më shumë se prej tij.

21 Kush e përkëdhel skllavin që në rini,

në fund do të ketë kokëçarje.

22 Gjaknxehti nxit grindje,

idhnaku bën shumë faje.

23 Krenaria do ta poshtërojë njeriun,

por kush përulet, merr nderime.

24 Kush bëhet ortak me vjedhësin, urren veten,

e dëgjon përbetimin, por nuk e tregon.

25 Frika nga njerëzit të vë lakun,

kush beson në Zotin, është i mbrojtur.

26 Shumë e kërkojnë përkrahjen e prijësit,

por e drejta e njeriut vjen prej Zotit.

27 Të drejtëve u neveritet njeriu i padrejtë,

të paudhit i neveritet kush jeton me drejtësi.

Fjalët e urta 28

I paudhi arratiset edhe pa e ndjekur kush,

por i drejti ka vetëbesim si luani.

Në një vend ku shkelet ligji, dalin shumë krerë,

por, me një njeri të mençur, ka qëndrueshmëri.

Varfanjaku që shkel skamnorin,

si rrebeshi që shkreton e lë pa bukë.

Kush braktis ligjin, lëvdon të paudhin,

por kush e zbaton ligjin, lufton kundër tij.

Njerëzit e këqij nuk e kuptojnë të drejtën,

por kush kërkon Zotin, kupton gjithçka.

Më mirë i varfri me sjellje të përsosur,

se i pasuri me sjellje të prapë.

Kush i përmbahet ligjit, është djalë i mençur,

por kush shoqërohet me grykësit, turpëron të atin.

Kush e shton pasurinë me përfitim e kamatë,

e mbledh për atë që përkrah skamnorin.

Kush i mbyll veshët ndaj ligjit,

edhe lutjen e ka të neveritshme.

10 Kush u prin të drejtëve në udhë të prapë,

bie në gropën e vet,

por trashëgimia e të përsosurve është e mirë.

11 Të pasurit i duket vetja i urtë,

por skamnori e shqyrton me mençuri.

12 Kur ngazëllejnë të drejtët, lavdia është e madhe;

kur ngrihen të paudhët, të gjithë fshihen.

13 Kush fsheh fajet e veta, nuk do të përparojë,

por kush i rrëfen e i braktis, do të mëshirohet.

14 Lum njeriu që jeton me drojë;

kush e ngurtëson zemrën, do të mjerohet.

15 Luan ulëritës e ari i tërbuar

është sundimtari i paudhë për një popull të skamur.

16 Prijësi i paarsyeshëm bën dhunë të madhe;

kujt urren fitimin e padrejtë, do t’i zgjatet jeta.

17 Kush është përlyer me gjak njeriu,

në gropë vaftë e askush mos e ndaltë.

18 Kush jeton me përsosuri, do të shpëtohet;

kush ndjek udhën e shtrembër, do të rrëzohet menjëherë.

19 Kush punon arën do të ngihet me bukë;

kush ndjek kotësi do të ngihet me varfëri.

20 Njeriu i ndershëm do të mbushet me bekime,

por kush ngutet për pasuri, nuk mbetet pa ndëshkim.

21 Nuk është mirë të mbash anë,

por dikush gabon për një copë bukë.

22 Njeriu ziliqar nxiton të pasurohet,

por nuk e di se do ta zërë varfëria.

23 Qortuesi i një njeriu gjen hir më vonë

më shumë se lajkatari.

24 Kush vjedh të atin e të ëmën e thotë: «S’është mëkat»,

është ortak me rrënimtarin.

25 I pangopuri nxit grindje,

por kush shpreson në Zotin, do të kamet.

26 Kush i beson mendjes së vet, është i marrë,

kush ecën me urti, do të shpëtojë.

27 Kush i jep skamnorit, nuk do të ketë skamje,

por kush bën sikur s’sheh, bie në mallkim të madh.

28 Kur ngrihen të paudhët, fshihen të gjithë,

por kur ata marrin fund, shtohen të drejtët.

Fjalët e urta 27

Mos u mburr për nesër,

se nuk e di ç’ndodh sot.

Le të të lavdërojë tjetërkush, por jo ti veten,

një i huaj po, por jo buzët e tua.

Guri është i rëndë e rëra peshon,

por më shumë se këto peshon ngucja e të marrit.

Hidhërimi është mizor e zemërimi shpërthyes,

por kush mund të qëndrojë përballë xhelozisë?

Më mirë qortimi i hapur,

se dashuria e pashprehur.

Plagët e mikut janë të vërteta,

puthjet e armikut, të tepruara.

I ngopuri shkel mbi mjaltë,

të uriturit i duket e ëmbël çdo gjë e hidhur.

Si zogu që endet larg çerdhes

është endacaku larg vendit të vet.

Vaji e temjani e ngazëllejnë zemrën,

edhe ëmbëlsia e mikut më shumë se këshilla njerëzore.i

10 Mos e braktis as mikun tënd, as mikun e atit tënd,

kur të biesh në mjerim, mos shko te shtëpia e vëllait.

Më mirë një mik i afërt, se një vëlla i largët.

11 Bëhu i urtë, biri im, e ma gëzo zemrën,

atëherë mund t’ia kthej fjalën atij që më tall.

12 Njeriu i kujdesshëm e sheh të keqen e fshihet,

por thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.

13 Merrja petkun atij që hyn dorëzanë për të huajin,

mbaje peng për gruan e huaj.

14 Kush e bekon me zë të lartë të afërtin herët në mëngjes,

kjo do t’i quhet mallkim.

15 Pikimi i pafund në një ditë shiu

dhe gruaja grindavece ngjasojnë.

16 Ta ndalësh është si të ndalësh erën,

si të kapësh vajin me dorë.

17 Hekuri mprihet me hekur,

njeriu me njeriun.

18 Kush ruan fikun, i ha kokrrat,

kush kujdeset për të zotin, do të nderohet.

19 Siç pasqyron uji fytyrën,

edhe zemra pasqyron njeriun.

20 Siç nuk kanë të ngopur skëterra e humbëtira,

nuk kanë të ngopur as sytë e njeriut.

21 Argjendi provohet në shkritore e ari në furrë,

njeriu nga lavdet që i thurin.

22 Po ta shtypësh të marrin në shterë, bashkë me grurin që bluan,

prapë nuk do t’i hiqet marrëzia.

23 Njihe mirë grigjën tënde,

mbaje mendjen te tufa jote,

24 se mbrothësia nuk zgjat përgjithmonë

e as kurora brez pas brezi.

25 Sapo të mbarojë sana e të dalë bari,

sa të mblidhet kashta maleve,

26 do të kesh qengja për t’u veshur

e dhi sa për të blerë arën,

27 shumë qumësht dhish për ushqim,

ushqim për shtëpinë tënde e haje për shërbëtoret e tua.


 i27.9 të tjerë: kështu edhe ëmbëlsia e mikut që këshillon çiltërisht

Fjalët e urta 26

Nderimi për të marrin është i pavend,

si bora në verë e shiu në të korra.

Si zog flatrues e si dallëndyshe që përendet,

kalon pa goditur mallkimi i kotë.

Kalit, frushkullin; gomarit, frerët;

të marrit shkopin kurrizit.

Mos iu përgjigj të marrit sipas marrëzisë së tij,

që të mos bëhesh edhe ti si ai.

Përgjigjju të marrit sipas marrëzisë së tij,

që të mos i duket vetja i urtë.

Kush çon fjalë me anë të të marrit,

i këput këmbët vetes e pi hidhërim.

Si zvargia e këmbëve të të çalit,

fjala e urtë në gojën e të marrit.

Nderimi për të marrin,

si guri lidhur në hobe.

Si ferrat në dorën e të dehurit

është fjala e urtë në gojën e të marrit.

10 Kush merr në punë të marrin dhe endacakun

është si një shigjetar që plagos këdo.

11 Si qeni që kthehet në të vjellat e veta,

i marri që i kthehet marrëzisë.

12 Po të shohësh një njeri që i duket vetja i urtë,

atëherë prit më shumë prej të marrit se prej tij.

13 Përtaci thotë: «Luanesha në rrugë!

Luani në shesh!».

14 Dera rrotullohet në menteshat e veta

e përtaci në shtratin e vet.

15 Përtaci e zhyt dorën në pjatë,

por përton ta çojë te goja.

16 Përtacit i duket vetja më i urtë

se shtatë vetë që përgjigjen me mend.

17 Kush përzihet kalimthi në zënkat që s’i përkasin,

është si ai që kap qenin për veshi.

18 Porsi i çmenduri që gjuan me shigjeta

e heshta vdekjeprurëse,

19 është kush gënjen mikun

e i thotë: «Po bëja hoka!».

20 Kur s’ka dru, fiket zjarri,

kur mungon shpifësi, pushojnë grindjet.

21 Si thëngjilli për prushin e druri për zjarrin,

ashtu është grindaveci për grindjet.

22 Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme:

zbresin gjer te zorrët e barkut.

23 Si shtresë argjendi në një enë balte

janë fjalët përvëluese në zemrën e ligë.

24 Kush urren, shtiret me fjalë,

por brenda vetes gatuan mashtrimin.

25 Mos i beso kur e hijeshon zërin,

se në zemër ka një mijë të ligah.

26 Edhe pse e mbulon urrejtjen me shtirje,

ligësia e tij do të dalë në shesh.

27 Kush bën gropën, në gropë do të bjerë;

guri kthehet mbi atë që e rrokullis.

28 Kush gënjen, i urren të gënjyerit e vet;

fjalët lajkatare përgatisin rrëzimin.


 h26.25 he. shtatë neveri

Fjalët e urta 25

Vijimi i fjalëve të Solomonit

Edhe këto që kanë mbledhur njerëzit e Ezekisë, mbretit të Judës, janë fjalët e urta të Solomonit.

Lavdia e Perëndisë është të veprojë në fshehtësi,

lavdia e mbretërve është të zbulojnë gjërat e fshehta.

Qielli i lartë, toka e thellë e zemra e mbretit,

janë të pashqyrtueshme.

Hiqja ndryshkun argjendit

e argjendari bën enën,

hiqja sysh mbretit të paudhin

e froni i tij do të mbështetet në drejtësi.

Mos u mburr para mbretit

e mos qëndro në vendin e të mëdhenjve,

se është më mirë të të thonë: «Ngjitu këtu!»,

sesa të të përulin në sytë e fisnikut

që e pe me sytë e tu.

Mos shko me ngut në gjykatë,

se çfarë do të bësh në fund,

kur të të turpërojë fqinji?

Çështjen tënde rrihe me fqinjin tënd,

por të fshehtën e tjetrit mos e zbulo,

10 se kush të dëgjon, të turpëron

e çfarë ke përfolur s’mund ta kthesh mbrapsht.

11 Si mollë e artë në enë argjendi

është fjala e thënë kur duhet.

12 Si vath i artë e si stoli ari të kulluar

është i urti që qorton veshin e dëgjueshëm.

13 Si freskia e dëborës në kohë të korrash

është lajmëtari besnik për atë që e dërgon.

14 Si retë dhe era, por pa shi,

është edhe kush mburret për dhuratat që s’i bën.

15 Princi mund të bindet me durim

e gjuha e butë i thyen kockat.

16 Nëse ke gjetur mjaltë, ha sa mjafton,

se po e teprove, do ta vjellësh.

17 Shkel rrallë në shtëpinë e fqinjit,

që të mos lodhet me ty e të të urrejë.

18 Çekan, shpatë e shigjetë e mprehtë

është ai që jep dëshmi të rreme kundër të afërtit.

19 Si dhëmb i prishur e këmbë e ndrydhur

është shpresa në të pabesin në ditë ngushtice.

20 Të këndosh para zemërvrarit

është si të zhvishesh në ditë të ftohtë,

si të hedhësh uthull mbi plagë.

21 Po të ketë uri armiku yt, jepi bukë të hajë,

po të ketë etje, jepi ujë të pijë,

22 se kështu grumbullon prush mbi kokën e tij

Zoti do të të shpërblejë.

23 Era e veriut sjell shiun,

gjuha murmuritëse fytyrën e ngrysur.

24 Më mirë të banosh në qoshen e pullazit,

se të ndash shtëpinë me gruan grindavece.

25 Si uji i freskët për një shpirt të etur

është lajmi i mirë nga dheu i largët.

26 Si gurrë e ndotur e si burim i turbullt

është edhe i drejti që luhatet para të paudhit.

27 Të hash tepër mjaltë e të kërkosh nderim pas nderimi,

nuk është mirë.

28 Si kështjellë e thyer e pa mure

është edhe njeriu që s’e sundon veten.

Fjalët e urta 24

Mos i ki zili njerëzit e mbrapshtë

e mos dëshiro të rrish me ta,

se mendja e tyre pjell dhunë

e buzët e tyre nxisin trazira.

Shtëpia ndërtohet me urti,

themelohet me mençuri.

Falë dijes, dhomat mbushen

me të mira të çmueshme e të këndshme.

Njeriu i urtë është i fortë,

njeriu i ditur është i fuqishëm.

Kur përgatitesh për luftë, mendohesh mirë

e fitorja vjen falë shumë këshillave.

Dija është tepër e lartë për të marrin,

ai s’e hap dot gojën te porta e qytetit.

Kush synon të keqen,

quhet tinëzar.

I marri ka synime mëkatare,

përqeshësi u neveritet të gjithëve.

10 Nëse ligështohesh në ngushticë,

paske pak fuqi.

11 Çliroi të dënuarit me vdekje,

ndaloi ata që zvargen drejt thertores.

12 Po të thuash: «Nuk e dinim»,

a s’do ta kuptojë ai që peshon zemrat?

Ai që kujdeset për jetën tënde e di

e do t’ia kthejë secilit sipas veprave të veta.

13 Ha mjaltë, biri im, se është i mirë

e hoja ta ëmbëlson gojën.

14 E tillë është urtia për shpirtin tënd, ta dish,

nëse e gjen, do të kesh një të ardhme

e nuk do të të pritet shpresa.

15 Mos rri në pritë, si i paudhë, te shtëpia e të drejtit

e mos e shkreto banesën e tij,

16 se, i drejti, shtatë herë rrëzohet, por ngrihet,

ndërsa të paudhët bien në zezonë.

17 Po u rrëzua armiku yt, mos u gëzo,

mos të të ngazëllejë zemra, kur ta zërë brenga,

18 që të mos e shohë Zoti, t’i vijë keq,

e ta largojë hidhërimin e vet prej tij.

19 Mos u hidhëro prej bakëqijve

e mos i ki zili të paudhët,

20 se e ardhmja e të keqit nuk do të zgjatë

e llamba e të paudhëve do të shuhet.

21 Druaje, biri im, Zotin dhe mbretin

e mos u përziej me ata që bëjnë ndryshe,

22 se befas do të ngrihet ndëshkimi i tyre

e kush e di si do të rrënohen ata të dy?

Thënie të tjera

23 Edhe këto janë për të urtët.

Të mbash anë në gjyq, nuk është mirë.

24 Kush i thotë të paudhit: «Je i drejtë»,

atë do ta mallkojnë popujt e do ta nëmin kombet.

25 Kush e qorton, do të gëzohet,

mbi të do të bjerë bekimi.

26 Përgjigjja me fjalët e duhura

është si puthja në buzë.

27 Një herë puno përjashta e bëj gati arën,

pastaj ndërtoje shtëpinë.

28 Mos e padit kot fqinjin

e mos të gënjejnë buzët e tua.

29 Mos thuaj: «Siç ma bëri do t’ia bëj,

do t’ia kthej secilit sipas veprës së tij».

30 Kalova pranë arës së përtacit,

pranë vreshtit të njeriut të pamend,

31 dhe ja: kudo ishin rritur ferrat,

e kishin mbuluar hithrat

dhe ishin shembur muret.

32 Shikova e mendova,

pashë e mësova.

33 Me pak gjumë e pak dremitje,

pak pushim duarkryq,

34 vjen skamja si endacake,

nevoja porsi shqytar.

Fjalët e urta 23

Kur të ulesh për të ngrënë me një prijës,

ki kujdes kë ke përballë.

Vëri fre grykës,

nëse je hamës.

Mos i dëshiro gjellët e tij,

se janë bukë e pabesë.

Mos u lodh për pasuri,

por hiq dorë me mençuri.

Ia hedh sytë, por s’është më,

se vë krahë si shqiponja

e fluturon në qiell.

Mos ha bukën e të ligut

e mos i dëshiro gjellët e tij,

se ai bën llogari me vete.

Të thotë: «Ha e pi!»,

por me zemër s’është me ty.

Kafshatën që ke ngrënë do ta vjellësh

e fjalët e bukura do t’i shkosh dëm.

Mos i fol në vesh të marrit,

se do ta përçmojë urtinë e mësimit tënd.

10 Mos e lëviz kufirin e kahershëm

e mos hyr në arën e jetimit,

11 se shpaguesi i tyre është i fortë

e do ta mbrojë çështjen e tyre ndaj teje.

12 Ushtroje zemrën me parimin

e veshët me fjalët e dijes.

13 Mos rri pa e qortuar të riun,

se nuk do të vdesë po t’i biesh me shkop.

14 Bjeri me shkop,

se e shpëton nga skëterra.

15 Biri im, nëse zemra jote do të jetë e urtë,

edhe zemra ime do të ngazëllejë.

16 Do të më gëzohet shpirti,

kur buzët e tua të thonë të drejtën.

17 Të mos i ketë zili zemra jote mëkatarët,

por jeto gjithmonë me drojën e Zotit,

18 se do të kesh të ardhme

e nuk do të të pritet shpresa.

19 Dëgjomë, o biri im, bëhu i urtë,

drejtoje zemrën tënde në udhën e drejtë.

20 Mos u shoqëro me ata që dehen me verë,

me ata që s’ngopen së ngrëni mish,

21 se pijaneci e grykësi do të skamen

e përgjumja do t’i veshë me zhele.

22 Dëgjoje tët atë që të ka lindur,

mos e përçmo nënën në pleqëri.

23 Blije e mos e shit të vërtetën,

urtinë, rregullin e kuptimin.

24 Sa shumë gëzohet ati i të drejtit

e sa lumturohet ai që lind të urtin!

25 Le të lumturohen ati yt e nëna jote,

le të gëzojë ajo që të lindi.

26 Vëmë vesh, biri im,

e le të kënaqen sytë e tu me udhën time.

27 Lavirja është gropë pa fund,

e huaja pus i ngushtë.

28 Ajo rri në pritë si vjedhësi

dhe e shton numrin e burrave tradhtarë.

29 Vaj kush, e mjerë për kë!

Për kë janë zënkat e ankimet?

Për kë janë plagët e kota dhe sytë e lëbyer?

30 Për atë që jepet pas verës,

për ata që shijojnë pije të përziera.

31 Mos e shiko verën si kuqëlon,

si përshkëndit në kupë

e rrjedh lëmuar,

32 se në fund të kafshon si gjarpri

e të pickon si nepërka.

33 Sytë e tu do të shohin çudira

e zemra jote do të thotë prapësi.

34 Do të jesh si ai që fle në mes të detit,

si ai që rri shtrirë majë direkut.

35 «Më kanë goditur, por s’më dhemb,

më kanë rrahur, por s’di gjë.

Po kur të zgjohem? Prapë do të më pihet».

Fjalët e urta 22

Më mirë një emër i mirë, se një pasuri e madhe,

më mirë të përmendesh për mirë, se të kesh ar e argjend.

Ja ku piqen i pasuri dhe i varfri:

ata të gjithë i ka krijuar Zoti.

I mençuri e sheh ligësinë e fshihet,

ndërsa thjeshtakët vijojnë e ndëshkohen.

Përvujtëria sjell drojën e Zotit,

begati, nder e jetë.

Në udhën e të prapit ka gjemba e kurthe,

kush kujdeset për veten, rri larg tyre.

Mësoje të riun që në fillim të udhës,

se nuk do t’i shmanget as kur të plaket.

I pasuri sundon mbi të varfrit,

huamarrësi është skllav i huadhënësit.

Kush mbjell padrejtësi, korr ligësi;

shkopi i zemërimit të tij do të thyhet.

Zemërgjeri do të bekohet,

se ndan bukën me skamnorin.

10 Dëboje përqeshësin e grindja do të ikë,

do të reshtë zënka e çnderimi.

11 Kush e do pastërtinë e zemrës dhe është fjalëmirë,

është mik i mbretit.

12 Sytë e Zotit e ruajnë dijen,

ai i përmbys fjalët e të pabesit.

13 Thotë përtaci: «Përjashta është luani.

Mund të vritem në mes të rrugës!».

14 Pus i thellë është goja e të huajës,

i nëmuri nga Zoti, do të bjerë brenda.

15 Marrëzia është e lidhur me zemrën e të riut,

por e largon tej shkopi i qortimit.

16 Kush e shtyp skamnorin, e pasuron.

Kush i jep të pasurit, varfërohet.

Thëniet e të Urtit

17 Vëru vesh e dëgjoi fjalët e të urtëve,

vëri mend mësimit tim,

18 ruaji thellë në zemër se janë të këndshme,

mbaji gati në buzët e tua.

19 Që të kesh besim te Zoti,

sot po t’i shfaq edhe ty.

20 A nuk i shkrova për ty

tridhjetë këshilla e njoftime,

21 për të të treguar besueshmërinë e fjalëve të vërteta,

që t’u kthesh fjalë të vërteta dërguesve të tu?

22 Mos e zhvat skamnorin pse është skamnor,

mos e shtyp nevojtarin te porta,

23 sepse me çështjen e tyre do të merret Zoti

dhe do t’i zhvatë ata që ua zhvatin shpirtin.

24 Mos u shoqëro me zemërakun

e mos rri me njeriun e tërbuar,

25 që të mos mësosh udhët e tij

e të biesh vetë në kurth.

26 Mos ji nga ata që shtrijnë dorën

e hyjnë dorëzanë për detyrime.

27 Nëse nuk ke me se të paguash,

pse të ta marrin shtratin ku shtrihesh?

28 Mos i zhvendos kufijtë e moçëm

që kanë vënë etërit e tu.

29 Shiko njeriun e aftë në punën e vet!

Ai do të rrijë me mbretër e jo me njerëz çfarëdo.

Fjalët e urta 21

Zemra e mbretit është si rrjedhë uji në dorën e Zotit,

ai e kthen nga t’ia ketë ënda.

Njeriut i duken të drejta të gjitha rrugët,

por zemrat i peshon Zoti.

Të zbatosh të drejtën e drejtësinë

i pëlqen Zotit më shumë se flijimet.

Dritë e të paudhëve është mëkati,

shikim poshtërues e zemër mburracake.

Synimet e zelltarit sjellin mbarësi,

por kushdo që ngutet përfundon në skamje.

Thesaret e mbledhura me gënjeshtra

janë si avulli i davaritur nga ndjekësit e vdekjes.

Të paudhët i zvarrit dhuna e vet,

sepse i kundërvihen drejtësisë.

Udha e fajtorit është e shtrembër,

vepra e të pastrit është e drejtë.

Është më mirë të banosh në qoshen e një pullazi,

se të ndash shtëpinë me një grua grindavece.

10 Shpirti i të paudhit dëshiron të keqen

e para tij s’gjen falje as i afërti.

11 Kur ndëshkohet përqeshësi, urtohet thjeshtaku,

kur mësohet i urti, nxë dijen.

12 I drejti e vëzhgon shtëpinë e të paudhit,

i plandos të paudhët në zezonë.

13 Kush mbyll veshët ndaj britmës së skamnorit,

do të bërtasë vetë e nuk do të marrë përgjigje.

14 Dhurata e fshehtë zbut zemërimin

mita e dhënë nën dorë, tërbimin.

15 I drejti gëzohet kur bëhet drejtësia,

por bakëqijtë tmerrohen.

16 Njeriu që shmanget nga udha e mençurisë

do të prehet në botën e hijeve.

17 Kush jepet pas kënaqësisë është njeri i skamur,

kush jepet pas verës e vajrave erëmirë nuk do të pasurohet.

18 I paudhi do të paguajë për të drejtin,

e i prapi për të mbarin.

19 Më mirë të banosh në vend të shkretë,

se me një grua grindavece e zemërake.

20 Thesare tërheqëse e vajra erëmirë në shtëpinë e të urtit,

por i përlan i marri.

21 Kush ndjek drejtësinë e mirësinë,

do të gjejë jetë, drejtësi e nder.

22 I urti e sulmon qytetin e të fortëve,

ia shemb fortesën ku e kishte varur shpresën.

23 Kush mban gojën e gjuhën e vet,

ruan veten nga vështirësitë.

24 Krenari e mendjemadhi e kanë emrin përqeshës

dhe veprojnë me mburrje të tepërt.

25 Përtaci vdes nga dëshirat e veta,

se duart e tij s’duan të punojnë.

26 Lakmitari lakmon gjithë ditën,

i drejti jep pa kursim.

27 Flija e të paudhit është e neveritshme,

aq më tepër kur kushtohet me prapësi.

28 Dëshmitari i rremë do të marrë fund,

por njeriu që dëgjon do të flasë gjithmonë.

29 I paudhi vrenjt fytyrën,

por i drejti kalit sjelljen.

30 Nuk ka urti, s’ka mençuri

e s’ka këshillë përballë Zotit.

31 Kali është mbrehur për ditën e betejës,

por fitorja i përket Zotit.

Fjalët e urta 20

Vera është përqeshëse, pija e potershme,

kush jepet pas tyre nuk është i urtë.

Tërbimi i mbretit është si ulërima e luanit,

kush e ngacmon rrezikon jetën.

Shmangia e ngatërresave është nder për njeriun;

çdo i marrë bën shamatë.

Përtaci nuk lëron në vjeshtë

e kur vijnë të korrat s’gjen gjë.

Shestimet e zemrës janë si ujë i thellë,

por njeriu i mençur i nxjerr ato.

Shumë vetë mbahen për njerëz të mirë,

por kush e gjen një njeri besnik?

I drejti jeton me ndershmëri,

lum fëmijët që lë pas.

Mbreti që rri ulur mbi fronin e gjykimit,

shpërhap tërë të keqen me një shikim.

Kush mund të thotë: «E kam zemrën të pastër,

jam i dëlirë nga mëkati»?

10 Një peshë kështu e një peshë ashtu,

një masë kështu e një masë ashtu,

që të dyja i neveriten Zotit.

11 Fëmija njihet nga çfarë bën,

në është e pastër dhe e drejtë vepra e tij.

12 Veshin që dëgjon e syrin që shikon,

që të dy i ka bërë Zoti.

13 Mos të të pëlqejë gjumi, se varfërohesh,

hap sytë e do të ngopesh me bukë.

14 «E keqe, e keqe!», thotë blerësi,

por kur largohet, krenohet me veten.

15 Le të ketë ar e stoli sa të duash,

gjëja më e çmuar janë buzët e ditura.

16 Kujt ka hyrë dorëzanë për të panjohurin, merrja petkun,

mbaje peng për të huajt.

17 Buka e fituar me mashtrim duket e shijshme,

por më pas goja është plot rërë.

18 Bëji planet duke u këshilluar,

hyr në luftë duke u menduar mirë.

19 Shpifësi përendet e zbulon të fshehtat,

mos u përziej me kë s’i mbyllet goja.

20 Kujt mallkon të atin e të ëmën,

do t’i shuhet drita në mes të territ.

21 Trashëgimia e fituar shpejt në fillim

nuk do të jetë e bekuar në fund.

22 Mos thuaj: «Do ta kthej të keqen me të keqe!».

Prit të të lirojë Zoti.

23 Një peshë kështu e një peshë ashtu i neveriten Zotit,

peshorja e rreme nuk është e mirë.

24 Hapat e njeriut i drejton Zoti,

si mundet njeriu ta kuptojë udhën e vet?

25 Njeriu bie në kurth kur ngutet e thotë: «Kjo është e kushtuar!»

e pastaj pendohet për kushtimet.

26 Mbreti i urtë i shpërhap të paudhët

e i shtyp me rrotë.

27 Shpirti i njeriut është llambë e Zotit

që shqyrton gjer në thellësi.

28 Mirësia dhe e vërteta e ruajnë mbretin,

froni i tij mbështetet mbi mirësinë.

29 Krenaria e të rinjve është forca e tyre,

flokët e thinjura janë stolia e pleqve.

30 Plagët që kullojnë lajnë të keqen,

të rrahurat zorrët e barkut.

Fjalët e urta 19

Më mirë i varfri i ndershëm,

se gojëpërdali i marrë.

Zelli pa dije s’është gjë e mirë;

kush shpejton hapin, humb shtegun.

Njeriun e rrënon marrëzia e vet,

por zemra e tij tërbohet kundër Zotit.

Kamja i shton e i shumon miqtë,

ndërsa skamnori ngel pa miq.

Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, nuk ka shpëtim.

Dorëdhënët kanë shumë lajkatarë,

të gjithë bëhen miq me kë jep dhurata.

Të varfrin e urrejnë të gjithë vëllezërit.

Për më tepër e braktisin edhe miqtë.

Ai i thërret, por s’i gjenden.

Kush zë mend, e do veten,

kush ruan mençurinë, gjen të mirën.

Dëshmitari i rremë s’mbetet pa ndëshkuar,

kush përhap gënjeshtra, do të rrënohet.

10 Të marrit nuk i shkon mirëqenia,

aq më pak skllavit të sundojë mbi princa.

11 Mirëkuptimi ia zbut zemërimin njeriut,

të mos merret me fyerjen është nder për të.

12 Zemërimi i mbretit është si ulërima e luanit,

por përkrahja e tij është si vesa mbi bar.

13 Djali i marrë është fatkeqësi për të atin,

zënkat e gruas si pikim që s’mbaron.

14 Trashëgimi nga etërit: shtëpi e katandi,

por nga Zoti: një grua plot urti.

15 Përtacia vë në gjumë,

njeriu i plogësht do të uritet.

16 Kush mban urdhërimet, ruan veten,

kush sillet shkujdesur, do të vdesë.

17 Kush përkrah të varfrin, i jep hua Zotit.

Zoti do ta shpërblejë.

18 Sa të ketë shpresë, qortoje birin tënd,

por mos u mbush me duf për ta vrarë.

19 Kush është shumë zemërak duhet ndëshkuar,

se po ta falësh, prapë e përsërit.

20 Dëgjoje këshillën e pranoje rregullin,

që, në fund, të jesh i urtë.

21 Ka shumë shestime në mendjen e njeriut,

por veç plani i Zotit do të qëndrojë.

22 Mirësia e bën të këndshëm njeriun;

është më i mirë i varfri sesa gënjeshtari.

23 Droja e Zotit është jetë,

kush e ka fle i kënaqur, e s’e zë e keqja.

24 Përtaci e zhyt dorën në pjatë,

por nuk e çon dot te goja.

25 Godite përqeshësin e do të zërë mend thjeshtaku,

qortoje të mençurin e do ta kuptojë dijen.

26 Biri i pafytyrë e turpërues

nëpërkëmb të atin e dëbon të ëmën.

27 Biri im, po të mos dëgjosh më qortimin,

shkëputesh nga fjalët e dijes.

28 Dëshmitari i keq e fyen drejtësinë,

goja e të paudhëve e gëlltit mbrapshtinë.

29 Përqeshësit i pret gjykimi,

të marrët druri kurrizit.

Fjalët e urta 18

Kush ndjek tekat e veta, ndahet nga shokët,

shpërthen kundër çdo këshille.

Të marrin nuk e gëzon mençuria,

por shprehja e mendimeve të veta.

Bashkë me të ligun vjen edhe përçmimi,

bashkë me turpin vjen edhe poshtërimi.

Fjalët e gojës së njeriut janë ujëra të thella,

lum gufues është burimi i urtisë.

Nuk është mirë të mbështetësh të paudhin

e të përmbysësh të drejtin para gjyqit.

Buzët e të marrit çojnë në grindje

dhe goja e tij thërret për goditje.

Goja e të marrit është rrënimi i tij,

buzët e tij lak për jetën e vet.

Fjalët e shpifësit janë si gjella e shijshme,

zbresin gjer te zorrët e barkut.

Kush është i ngathët në punën e vet,

është vëlla me kryerrënuesin.

10 Kullë e fortë është emri i Zotit,

atje rend i drejti dhe është i mbrojtur.

11 Kamja e të pasurit është kështjella e tij,

mur i lartë në përfytyrimin e tij.

12 Mendjemadhësia e njeriut i prin rrënimit,

lavdisë i prin përulësia.

13 Turp e faqja e zezë

për kë përgjigjet para se të dëgjojë.

14 Shpirti e mbështet njeriun në sëmundje,

po shpirtin e pikëlluar kush do ta mëkëmbë?

15 Mendja e mprehtë e arrin njohjen,

njohjen e kërkon veshi i të urtëve.

16 Dhurata ia hap rrugët njeriut,

e udhëheq përpara të mëdhenjve.

17 Kush flet i pari në një zënkë, duket i drejtë,

por vjen tjetri dhe e heton.

18 Grindjet mbyllen me short,

shorti vendos edhe mes të fuqishmëve.

19 Një vëlla i fyer është më i fortë se një kështjellë;

grindjet janë si hekurat e një kulle.

20 Njeriu ngihet me çfarë nxjerr nga goja,

me çfarë del nga buzët e tij.

21 Vdekja e jeta varen nga gjuha,

kush e do atë, do t’ia hajë frytet.

22 Kush gjen një grua, ka gjetur të mirën,

ka fituar përkrahjen e Zotit.

23 Fjalët e skamnorit janë përgjërime,

ndërsa i pasuri përgjigjet vrazhdë.

24 Njeriu mund ta pësojë nga miqtë,

por miku mund të jetë më i shtrenjtë se vëllai.

Fjalët e urta 17

Më mirë një kafshatë e thatë me qetësi,

se një shtëpi plot gosti e grindje.

Shërbëtori i mençur e sundon birin që turpëron,

ai do të marrë trashëgiminë ndër vëllezër.

Për argjendin është shkritorja e për arin furra,

por zemrat i sprovon Zoti.

Keqbërësi u vë mend fjalëve të mbrapshta,

gënjeshtari i vë vesh gjuhës rrënimtare.

Kush tallet me skamnorin, fyen krijuesin e tij,

kush gëzohet me kobin nuk mbetet pa ndëshkuar.

Kurora e pleqve janë bijtë e bijve,

nderi i bijve janë prindërit e tyre.

Të pamendit s’i shkon e folmja e zgjedhur

e aq më pak të fismit gjuha gënjeshtare.

Dhurata është gur fati për të zotin,

ngado që të shkojë, përparon.

Kush e harron fajin, kërkon miqësi,

kush e ritregon, e përçan mikun.

10 Një qortim zë vend te një i mençur

më shumë se njëqind të rrahura te një i marrë.

11 I ligu kërkon vetëm grindje,

ndaj do t’i dërgohet një lajmës mizor.

12 Më mirë të hasësh arushën që i kanë rrëmbyer të vegjlit,

sesa të marrin në çartjen e tij.

13 Atij që e kthen të mirën me të keqe,

e keqja s’do t’i hiqet nga shtëpia.

14 Fillimi i grindjes është si e çara që hap uji,

lëre zënkën para se të shpërthejë.

15 Shfajësimi i të paudhit e dënimi i të drejtit,

të dyja këto i neveriten Zotit.

16 Ç’duhen paratë në dorën e të marrit?

Për të blerë urtinë kur nuk ka mend?

17 Miku është i dashur në çdo kohë;

vëllai ka lindur për kohë të vështirë.gj

18 Është i pamend kush shtrëngon dorën

e hyn dorëzanë te i afërti i vet.

19 Kush do grindjen, do mëkatin;

kush e mban veten për derë të madhe, kërkon rrënimin.

20 Kush është zemërlig, nuk do të gjejë mirë;

kush është gjuhëgjarpër, do ta zërë e keqja.

21 Kush lind një të marrë, e lind për të zezë të vet;

i ati i të shkalluarit nuk do të gëzojë.

22 Zemra e hareshme balsam për shëndetin,

shpirti i këputur than eshtrat.

23 I paudhi merr dhurata nën dorë

për të dredhuar shtigjet e drejtësisë.

24 Njeriu i mençur e mban parasysh urtinë,

por sytë e të marrit enden nëpër skajet e tokës.

25 Një djalë i marrë është brengë për të atin

e hidhërim për gruan që e lindi.

26 Nuk është mirë të gjobitësh të drejtin

apo të ndëshkosh të fismin kur është në të drejtë.

27 Kush flet pak, di shumë,

kush sundon veten, është i mençur.

28 Po të heshtte, edhe i marri do të dukej i urtë,

i mprehtë, po të mbante gojën.


 gj17.17 ose: ai ka lindur për të qenë vëlla në ngushticë

Fjalët e urta 16

Shestimet e zemrës i takojnë njeriut,

por përgjigjja vjen nga Zoti.

Njeriut i duken të pastra të gjitha sjelljet e veta,

por është Zoti ai që peshon shpirtrat.

Paraqitja Zotit veprat e tua

dhe shestimet e tua do të zënë vend.

Zoti e ka bërë gjithçka me një qëllim,

deri edhe të paudhin për ditën e mbrapshtë.

Zotit i neveritet mendjemadhi,

vërtet nuk do të mbesë pa u ndëshkuar.

Me mirësi e besnikëri shlyhet faji

e me drojën e Zotit shmanget e keqja.

Kur Zotit i pëlqen sjellja e një njeriu,

pajton me të edhe armiqtë e tij.

Më mirë pak e me të drejtë,

sesa shumë e pa të drejtë.

Njeriu e sheston udhën e vet,

por hapat ia drejton Zoti.

10 Kumti hyjnor është në buzët e mbretit,

goja e tij nuk do të gabojë në gjykim.

11 Masa dhe peshoret e drejta i përkasin Zotit,

të gjithë gurët e peshores janë vepër e tij.

12 Veprat e mbrapshta u neveriten mbretërve,

se froni i ka themelet në drejtësi.

13 Buzët e drejtësisë e gëzojnë mbretin,

ai e do kë flet me drejtësi.

14 Zemërimi i mbretit është lajmëtar i vdekjes,

kush e zbut, është njeri i urtë.

15 Kur ndrin fytyra e mbretit, ka jetë,

përkrahja e tij është si reja e shiut pranveror.

16 Sa mirë kur njeriu fiton urtinë e jo arin,

se duhet zgjedhur mençuria në vend të argjendit.

17 Udha e të drejtëve shmang të keqen,

kush sillet me kujdes, ruan jetën e vet.

18 Krenaria i prin rrënimit

dhe shpirti i sertë sjell rënien.

19 Më mirë të përulesh me të përulurit,

se të ndash prenë me krenarët.

20 Kush i mendon mirë gjërat, gjen të mirën,

kush beson në Zotin, është i lum.

21 Njeriu i urtë do të quhet i mençur,

të folurit ëmbël e shton mësimin.

22 Kush ka urti, ka burimin e jetës,

ndëshkimi i të marrëve është marrëzia.

23 Mendja e të urtit e mençuron gojën,

ua shton mësimin buzëve të tij.

24 Thëniet e këndshme janë hoje mjalti,

ëmbëlsi për shpirtin e shërim për eshtrat.

25 Ka udhë që duket e drejtë,

por në fund shpie në vdekje.

26 Punëtorin e bën uria të punojë,

e nxit goja e vet.

27 Njeriu i pavlerë gatit ligësi,

në buzët e tij një zjarr përvëlues.

28 Njeriu mashtrues mbjell grindje,

kush shpif përçan miqtë.

29 Njeriu i dhunshëm e ngashënjen të afërtin

e udha ku e shpie nuk është e mirë.

30 Kush shkel syrin, synon mashtrimin,

kur rrudh buzët, e ka bërë ligësinë.

31 Flokët e thinjur janë kurorë e ndritshme,

ajo gjendet në udhën e drejtësisë.

32 Më mirë i durueshëm, se i fortë,

më mirë të sundosh veten, se të pushtosh një qytet.

33 Shorti hidhet në prehër,

por vendimi vjen prej Zotit.

Fjalët e urta 15

Përgjigjja e butë e zmbraps zemërimin,

por fjala e rëndë ngjall hidhërim.

Gjuha e bukur e hijeshon dijen,

ndërsa goja e të marrëve zbraz marrëzi.

Sytë e Zotit arrijnë gjithkund,

vëzhgojnë të keqin e të mirin.

Një gjuhë e butë është pemë e jetës,

por një gjuhë e prapë vret shpirtin.

I marri e përçmon mësimin e të atit,

por, kush e pranon qortimin, bëhet i urtë.

Shtëpia e të drejtit është plot begati,

ndërsa fitimi i të paudhit sjell trazim.

Buzët e të urtëve përhapin dijen,

por jo mendja e të marrëve.

Flijimet e të paudhëve i neveriten Zotit.

Lutja e të drejtëve është gëzimi i tij.

Sjellja e të paudhit i neveritet Zotit,

ai e do atë që ndjek drejtësinë.

10 Kush lë udhën, duhet qortuar ashpër,

kush i urren qortimet, do të vdesë.

11 Para Zotit janë skëterra e humbëtira,

aq më tepër zemra e bijve të njeriut.

12 Përqeshësit nuk i pëlqen kush e qorton,

ai nuk shoqërohet me të urtët.

13 Një zemër e gëzuar ngazëllen fytyrën,

një zemër e pikëlluar këput shpirtin.

14 Zemra e të urtit kërkon dijen,

ndërsa goja e të marrit mbllaçit marrëzi.

15 Për skamnorin çdo ditë është e keqe,

por zemërmiri bën festë pa fund.

16 Më mirë pak me frikën e Zotit,

se një thesar i madh me trazim.

17 Më mirë një hise perimesh me dashuri,

se një viç i majmë me urrejtje.

18 Gjaknxehti mbjell grindje,

kush ka durim, ul gjakrat.

19 Udha e përtacit është si gardh me ferra,

por shtegu i të drejtëve është i rrafshët.

20 Djali i urtë e gëzon të atin,

por njeriu i marrë e përçmon të ëmën.

21 Marrëzia është gëzim për kë s’ka mend,

por njeriu i mençur ecën drejt.

22 Planet pa këshillime shkojnë huq,

por me shumë këshilltarë zënë vend.

23 Njeriu gëzohet kur jep përgjigje,

por sa e mirë është fjala e thënë kur duhet!

24 Jeta e ngre lart atë që sillet mirë,

kështu ai shmang teposhtën e skëterrës.

25 Zoti e rrënon shtëpinë e krenarëve,

por truallin e të vesë do ta mbrojë.

26 Shestimet e të mbrapshtit i neveriten Zotit,

por fjalët e këndshme janë të pastra.

27 Kush fiton me dredhi, e trazon shtëpinë,

kush i urren dhuratat, do të jetojë.

28 Mendja e të drejtit mendon e përgjigjet,

por goja e të paudhëve nxjerr ligësi.

29 Zoti është larg nga të paudhët,

por lutjen e të drejtëve e dëgjon.

30 Drita e syve ngazëllen zemrën,

një lajm i mirë mëkëmb eshtrat.

31 Veshi që dëgjon qortimin e shëndoshë

zë vend mes të urtëve.

32 Kush shpërfill rregullin, përçmon veten,

kush e pranon qortimin, zë mend.

33 Droja e Zotit është mësim urtie,

përpara lavdisë vjen përulja.

Fjalët e urta 14

Gruaja e urtë e lartëson shtëpinë,

e marra e shemb me duart e veta.

Kush shkon udhës së drejtë, druan Zotin,

kush e shmang udhën e Zotit, e nënçmon.

Në gojën e të marrit mbin thupra e mendjemadhësisë,

por të urtët do të shpëtohen prej fjalëve të veta.

Grazhdi pa qe mbetet i zbrazur,

falë fuqisë së një kau, gëlojnë të korrat.

Dëshmitari besnik nuk rren,

dëshmitari i rremë nxjerr veç gënjeshtra.

Përqeshësi e kërkon urtinë, por s’e gjen;

të mençurit i vjen lehtë dija.

Hiqju të marrit,

se nuk do të nxësh fjalët e dijes.

I mprehti e shqyrton me urti sjelljen e vet,

të marrët i pështjellon marrëzia.

Të marrët tallen me mëkatin,

por të drejtët gjejnë hir.

10 Veç zemra e njeh hidhërimin e vet,

e gëzimin e saj s’e ndan dot i huaji.

11 Shtëpia e të paudhëve do të rrënohet,

por streha e të drejtëve do të lulëzojë.

12 Dikujt mund t’i duket e drejtë një rrugë,

por ja që sos shtigjeve të vdekjes.

13 Zemra dhemb edhe në gaz

e gëzimi mund të kthehet në vaj.

14 Dredharaku do të ngopet me sjelljet e veta,

njeriu i mirë edhe më shumë.

15 Thjeshtaku beson gjithçka,

ndërsa i përkori e di ku e hedh hapin.

16 I urti e njeh frikën, ndaj i ikën së keqes,

ndërsa i marri është i cekët e ngulakëmbës.

17 Njeriu idhnak bën marrëzira,

njeriu dinak është i urryer.

18 Thjeshtakët trashëgojnë marrëzinë,

ndërsa të mprehtët kurorëzohen me dije.

19 Të këqijtë përkulen para njerëzve të mirë

e të paudhët te portat e të drejtëve.

20 Të varfrin e urren edhe fqinji i vet,

por të shumtë janë ata që e duan të pasurin.

21 Kush e përçmon të afërtin, mëkaton,

por lum kush përkrah skamnorët.

22 A nuk birren ata që veprojnë keq?

Mirësi e besnikëri për ata që veprojnë mirë!

23 Çdo mund e sjell një dobi,

ndërsa fjalët e shumta janë varfëri.

24 Të urtët kanë për kurorë pasurinë,

por të marrët shkojnë nga marrëzia në marrëzi.

25 Dëshmitari i vërtetë shpëton jetë,

por kush gënjen përhap mashtrim.

26 Në drojën e Zotit mbështetja është e fortë,

ajo është strehim për bijtë e tij.

27 Droja e Zotit është burim jete,

të largon nga leqet e vdekjes.

28 Një popull i madh është lavdia e mbretit,

ndërsa një princ pa popull është i rrënuar.

29 Kush nuk zemërohet shpejt, është plot mend,

një shpirt i ngutur nxjerr në pah marrëzinë.

30 Mendja e shëndoshë e gjallëron trupin,

kurse smira bren eshtrat.

31 Kush nëpërkëmb të vobektin, fyen krijuesin e tij,

por kush përkrah nevojtarin, e nderon.

32 I paudhi rrëzohet prej paudhësisë së vet,

për të drejtin edhe vdekja është strehëg.

33 Urtia prehet në zemrën e të mençurit,

por shfaqet edhe mes të marrëve.

34 Drejtësia e lartëson një komb,

mëkati është turpi i popujve.

35 Mbreti e përkrah shërbëtorin e mbarë,

por zemërohet me turpëruesin.


 g14.32 të tjerë: I drejti shpreson në ndershmërinë e vet

Fjalët e urta 13

Biri i urtë e dëgjon mësimin e të atit,

por përqeshësi nuk e dëgjon qortimin.

Njeriu ushqehet me të mira falë asaj që thotë,

por shpirti i mashtruesve ndryn dhunë.

Kush këqyr gojën e vet, ruan jetën e vet,

kush i shkyç buzët, mbi të bie rrënimi.

Përtaci dëshiron, por gjë s’fiton,

ndërsa zelltarëve u rritet jeta.

I drejti e urren fjalën e rreme,

i paudhi përlyen e turpëron.

Drejtësia ruan sjelljen e përkryer,

të paudhin e rrënon mëkati.

Dikush shtiret i pasur e s’ka asgjë,

dikush shtiret i varfër e ka shumë pasuri.

Pasuria është shpagim për jetën e njeriut,

por i varfri as që dëgjon kërcënim.

Drita e të drejtëve sjell gëzim,

por të paudhëve u shteron llamba.

10 Mendjemadhësia sjell vetëm grindje,

por me ata që këshillohen është urtia.

11 Pasuria e mbledhur shpejt e shpejt mpaket,

por kush mbledh ngadalë, e shumon.

12 Një shpresë e tejzgjatur e ligështon zemrën,

por një dëshirë e përmbushur është pemë jete.

13 Kush e përbuz fjalën, ndëshkon veten,

kush e druan urdhërimin, do të shpërblehet.

14 Mësimi i të urtit është burim jete

për të shmangur leqet e vdekjes.

15 Mirëkuptimi merr përkrahje;

mashtruesit janë të paepur.

16 Çdo i ftilluar vepron me zgjuarsi,

por i pamendi rrezaton marrëzi.

17 Lajmëtarin e paudhë e zë e keqja,

por lajmësi besnik sjell shërim.

18 Skamje e turp për kë shpërfill rregullin,

por kush e zbaton qortimin, do të nderohet.

19 Një dëshirë e plotësuar e lumturon njeriun,

por të marrët as që duan të heqin dorë nga e keqja.

20 Rri me të urtët e do të bëhesh i urtë,

por kush rri me të marrët do ta pësojë.

21 Mëkatarët i përndjek e keqja,

ndërsa të drejtët do të shpërblehen me të mira.

22 Njeriu i mirë u lë trashëgimi nipërve,

por prona e mëkatarëve ruhet për të drejtin.

23 Shumë ushqim ka në arat e skamnorëve,

por ja që përlahet me padrejtësi.

24 Kush e kursen shkopin, e urren të birin,

por kush e do atë, nxiton ta qortojë.

25 I drejti ha derisa ngihet,

por të paudhëve s’u mbushet barku.

Fjalët e urta 12

Kush do rregullin, do dijen,

por kush e urren qortimin, çnjerëzohet.

Kush është i mirë ka përkrahjen e Zotit,

ndërsa njeriun dinak e dënon.

Askush nuk zë rrënjë me prapësi,

por rrënja e të drejtëve nuk lëviz.

Një grua zonjë është kurorë për të shoqin,

por gruaja që turpëron është kalbësirë për eshtrat e tij.

Të drejtët mendojnë drejtësinë,

të paudhët këshillojnë mashtrimin.

Fjalët e të paudhëve janë pritë gjakatare,

por të drejtët do t’i çlirojë goja e vet.

Të paudhët bien e s’janë më,

por shtëpia e të drejtëve qëndron.

Njeriu lavdërohet sipas mençurisë së tij,

por mendjeçarturit do të përbuzen.

Më mirë i shpërfillur, por me shërbëtor,

sesa i mburrur, por i pangrënë.

10 I drejti kujdeset për bagëtitë e veta,

por ndjenjat e të paudhëve janë mizore.

11 Kush punon tokën e vet do të ngihet me bukë,

kush rend pas kotësive është i pamend.

12 Dëshira e keqbërësit është rrjetë prapësish,

rrënja e të drejtëve lulëzon.

13 Buzët e përdala janë kurthi i të ligut,

por i drejti do të shpëtojë nga ankthi.

14 Njeriu ngihet me të mirat që nxjerr nga goja,

secili shpërblehet sipas veprave që bën.

15 I marri kujton se sillet drejt,

por kush dëgjon këshillën është i urtë.

16 I marri e tregon qartë zemërimin e vet,

ndërsa i mprehti e fsheh turpërimin.

17 Kush thotë të vërtetën, shpall drejtësinë,

por dëshmitari i rremë, mashtrimin.

18 Kush flet pa menduar është si shpatë therëse,

por gjuha e të urtëve është shërim.

19 Goja e së vërtetës, qëndron përgjithmonë,

por gjuha gënjeshtare vetëm për pak.

20 Në zemrën e mendjekëqijve ka mashtrim,

këshilltarëve të paqes u takon gëzimi.

21 Të drejtin nuk do ta zërë asnjë mjerim,

ndërsa të paudhët do të jenë mbushur me të këqija.

22 Buzët gënjeshtare i neveriten Zotit,

por atë e gëzon kush thotë të vërtetën.

23 Njeriu i mençur nuk e shfaq dijen,

kurse zemra e të marrëve kumton marrëzinë.

24 Dora e punëtorit do të mbizotërojë

e dora e përtacit do të nënshtrohet.

25 Ankthi i zemrës e thyen burrin,

ndërsa një fjalë e mirë e gëzon.

26 I drejti e drejton të afërtin e vet,

por udha e të paudhëve ngatërron vetë ata.

27 Përtaci nuk do të ketë gjah për të pjekur,

por zelli i jep njeriut pasuri të çmueshme.

28 Në udhën e drejtësisë është jeta,

nuk ka vdekje në shtigjet e saj.

Fjalët e urta 11

Peshorja e rreme i neveritet Zotit,

por peshimi i saktë i pëlqen.

Me mendjemadhësinë vjen edhe çnderimi,

urtia është me të përulurit.

Të drejtët i udhëheq përsosja e tyre,

mashtruesit i rrënon dredhia e vet.

Në ditën e zemërimit s’duhet gjë pasuria,

por drejtësia, ajo çliron nga vdekja.

Të përsosurve ua drejton udhën drejtësia e tyre,

por i paudhi bie në paudhësinë e vet.

Të drejtët i çliron drejtësia e tyre,

por mashtruesit bien pre e dëshirimit të vet.

Kur vdes njeriu i paudhë, i shuhet edhe shpresa,

edhe pritja për t’u kamurë.

I drejti çlirohet nga angështia

e i paudhi bie në gjendjen e tij.

Me gojën e vet i pafeu e rrënon të afërtin,

por të drejtët çlirohen falë dijes.

10 Qyteti gëzohet kur të drejtët begatohen

dhe brohoret kur marrin fund të paudhët.

11 Me bekimin e të drejtëve lartohet qyteti,

por nga goja e të paudhëve rrënohet.

12 Përçmimi i të afërtit është punë të marrësh,

njeriu i arsyeshëm mban gojën.

13 Shpifësi endet duke treguar të fshehtat,

por një shpirt i besueshëm e mbulon lajmin.

14 Një popull pa udhëheqje rrëzohet,

fitorja arrihet falë këshilltarëve të shumtë.

15 Kush hyn dorëzanë për një të huaj do ta pësojë,

por kush e urren dorëzaninë është i sigurt.

16 Gruaja e hijshme ngjall nderim.

Të dhunshmit përlajnë pasuri.

17 Kush është i njerëzishëm, i bën mirë vetes,

kush është mizor, edhe trupin e vet e sfilit.

18 Kush bën të keqen, merr një pagë të rreme,

por, kush mbjell drejtësinë, me të vërtetë shpërblehet.

19 Drejtësia e vërtetë është jetë,

por, kush ndjek të keqen, gjen vdekjen.

20 Kush është zemërkeq, i neveritet Zotit,

por ai kënaqet me kë sillet drejt.

21 I ligu vërtet nuk do të mbetet i pandëshkuar,

por pasardhësit e të drejtëve do të jetojnë.

22 Si unaza e artë në hundën e një derri,

ashtu është bukuria në gruan e pamend.

23 Të drejtët dëshirojnë vetëm mirësinë,

të paudhët zemëriminf.

24 Dikush jep e pasurohet.

Një tjetër mban gjënë e huaj, por varfërohet.

25 Shpirti bujar do të begatohet,

kush i jep ujë dikujt, edhe atij do t’i jepet.

26 Populli mallkon kë mban për vete grurin,

por bekuar ai që e shet.

27 Kush dëshiron të mirën, gjen përkrahje,

kush gjurmon të keqen, e keqja do ta gjejë.

28 Kush mbështetet në kamjen e vet, do të rrëzohet,

por të drejtët do të çelin si gjethe.

29 Kush trazon shtëpinë e vet, trashëgon erë.

I marri do t’i shërbejë të urtit.

30 Fryti i të drejtit është pemë jete,

i urti i bën për vete njerëzit.

31 Ja, i drejti shpërblehet mbi dhe,

aq më tepër i paudhi e mëkatari.


 ë11.7 ose: edhe pritja e të prapëve për t’u kamur merr fund

 f11.23 ose: të paudhët i pret zemërimi

Fjalët e urta 10

Fjalët e urta të Solomonit

Fjalët e urta të Solomonit.

Biri i urtë e gëzon të atin;

biri i marrë e trishton të ëmën.

Thesaret e mbledhura me prapësi,

nuk bëjnë dobi,

ndërsa drejtësia çliron nga vdekja.

Zoti s’e lë të drejtin të uritet,

por dëshirimet e të prapëve i hedh poshtë.

Dora e ngathët e varfëron punëtorin,

dora e shkathët e pasuron.

Kush mbledh në verë, është bir i urtisë,

kush fle në të korra, është bir i turpërisë.

Kryet e të mbarit është plot me bekime,

por goja e të paudhëve ndryn dhunë.

Kujtesa e të drejtit është bekim,

por emri i të paudhëve do të shuhet.

I urti i pranon urdhërimet,

kurse gojëpërdali do të rrënohet.

Kush jeton me përsosuri, jeton i sigurt,

kush jeton me dredhi, do të zbulohet.

10 Kush shkel syrin, sjell mundim,

kurse gojëpërdali do të rrënohet.

11 Goja e të drejtit është burim jete,

goja e të paudhëve ndryn dhunë.

12 Urrejtja nxit grindje,

por dashuria mbulon çdo shkelje.

13 Në buzët e të mençurit gjendet urtia,

i pamendi do shkopin kurrizit.

14 Të urtët grumbullojnë dije,

por goja e të marrit afron rrënimin.

15 Kështjella e të kamurit është kamja e tij,

rrënimi i skamnorit është skamja e tij.

16 Shpërblimi i të drejtit të çon në jetë,

fitimi i të paudhit në mëkat.

17 Kush mban rregullin është në udhën e jetës,

por kush shpërfill qortimet, birret.

18 Kush fsheh urrejtjen, gënjen me gojën e vet,

kush përhap thashetheme, është i marrë.

19 Kur flitet shumë, nuk shmangen gabimet,

por kush mban gojën, vepron me mend.

20 Gjuha e të drejtit është argjend i zgjedhur,

zemra e të paudhëve vlen fare pak.

21 Buzët e të drejtit ushqejnëdh shumë veta,

por të marrët vdesin prej marrëzisë së vet.

22 Bekimi i Zotit sjell begati

e mundi s’i shton asgjë.e

23 I marri dëfrehet me të keqen,

ndërsa i mençuri me urtinë.

24 Të paudhin do ta gjejë çfarë ai druan,

të drejtit do t’i plotësohet dëshira.

25 Kur kalon stuhia, i paudhi s’është më,

por i drejti qëndron në amshim.

26 Si uthulla në gojë e si tymi në sy,

ashtu është përtaci për ata që e punësojnë.

27 Droja e Zotit i shton ditët e jetës,

por vitet e të paudhit do të jenë të shkurtra.

28 Shpresa e të drejtit sjell gëzim,

por shpresa e të paudhit do të fishket.

29 Udha e Zotit është streha e të përsosurve,

por keqbërësit do të rrënohen.

30 I drejti nuk do të trandet kurrë,

por të paudhët nuk do të rrojnë mbi dhe.

31 Nga goja e të drejtit buron urtia,

por gjuha e përdalë do të këputet.

32 Buzët e të drejtit dinë çfarë është e hijshme,

por goja e të paudhëve qet ligësi.


 dh10.21 të tjerë: mësojnë

 e10.22 të tjerë: dhe ai nuk shton asnjë vuajtje

Fjalët e urta 9

Ftesa e urtisë

Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet,

ia latoi shtatë shtyllat.

Theri theroret, përzjeu verën

e shtroi tryezën.

Dërgoi shërbëtoret e veta

dhe shpall nga majat e lartësive të qytezës:

«Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve u thotë:

«Ejani, hani bukën time

e pini verën që kam përzier unë!

Hiqni dorë nga marrëzitë e do të jetoni.

Ecni udhës së arsyes!».

Kundër shpotitësve

Kush ndreq shpotitësin, turpërohet,

kush hahet me të prapin, lëndohet.

Mos e ndreq shpotitësin, që mos të të urrejë.

Ndreqe të urtin e ai do të të dojë.

Jepi këshilla të urtit

e do të jetë edhe më i urtë.

Mësoje të drejtin e do t’i shtohet mençuria.

10 Fillimi i urtisë është droja e Zotit;

njohja e të Shenjtit, kjo është mençuria.

11 Falë meje do të shtohen ditët e tua

e do të shumohen vitet e jetës sate.

12 Në do të jesh i urtë, do të jesh për vete,

Në do të jesh shpotitës, për vete do të jesh.

Përçartja e marrëzisë

13 Marrëzia është si një grua bujëmadhe,

si një e pamend që nuk di asgjë.

14 Rri ulur në derën e shtëpisë,

në fron, lart mbi qytezë

15 dhe u thërret kalimtarëve

që ecin udhës së tyre të drejtë:

16 «Kush është i pamësuar, le të kthehet këtu!».

Të pamendëve ajo u thotë:

17 «Uji i vjedhur është i ëmbël

e buka e marrë tinëz është e shijshme».

18 Ata s’e dinë se atje janë hijet

dhe të ftuarit e saj janë thellë në skëterrë.

Fjalët e urta 8

Thirrja e urtisë

A nuk thërret vallë urtia?

Po mençuria, a nuk e ngre zërin?

Majë lartësive, përgjatë rrugës,

në udhëkryqe, aty ajo zë vend.

Pranë dyerve të hapura të qytezave,

te hyrja e portaleve, aty ajo bëzan:

«Ju, o njerëz, ju po ju thërras

e zëri im u flet bijve të njerëzve.

Kuptojeni, o të pamësuar, zgjuarsinë,

e ju, o të marrë, thirrini mendjes.

Dëgjoni, se do të them fjalë fisnikërie,

çfarë del nga buzët e mia është drejtësi,

se goja ime thotë të vërtetën

e buzëve të mia u pështiret ligësia.

Fjalët e gojës sime janë krejt të drejta

e nuk gjendet në to dredhi a prapësi.

Të drejta ato janë për kë arsyeton,

të çiltra për atë që ka arritur njohjen.

10 Kapuni pas parimit tim e jo pas parasë,

se duhet zgjedhur njohja e jo ari.

11 Urtia vlen më shumë se gurët e çmuar,

është e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.

Urtia flet për veten

12 Unë, urtia, zotëroj zgjuarsinë,

kam njohjen e jam e arsyeshme.

13 Kush druan Zotin, e urren të keqen.

Unë urrej krenarinë e mendjemadhësinë,

udhët e këqija e gojën e ligë.

14 Mua më përket këshillimi e mençuria,

i imi është kuptimi, e imja forca.

15 Falë meje mbretërit mbretërojnë

e sunduesit ushtrojnë drejtësinë.

16 Falë meje princat sundojnë

e fisnikët mbarë gjykojnë me drejtësi.

17 Unë i dua ata që më duan,

e ata që më kërkojnë, më gjejnë.

18 Me mua janë pasuria e nderi,

të mirat e përhershme dhe drejtësia.

19 Fryti im është më i mirë se ari,

më i mirë se ar i kulluar.

Më mirë begatia ime,

se argjendi i zgjedhur.

20 Unë eci udhës së drejtësisë,

përmes shtigjeve të së drejtës,

21 për t’i bërë, ata që më duan,

trashëgimtarë të të mirave,

e për të mbushur thesaret e tyre.

Urtia krijuese

22 Zoti më bëri fillimind e udhës së tij,

pikënisjen e veprave të tij qëkur.

23 Qëmoti kam qenë caktuar,

që në krye të herës,

para se toka të zinte fill.

24 Kur ende s’kishte humnera,

unë isha lindur.

Kur s’kishte ende gurra me ujë të bollshëm,

25 para se të ngriheshin malet

e para se të ishin kodrat,

unë isha lindur.

26 Ende nuk e kishte krijuar tokën, as fushat,

as të parin pluhur të botës.

27 Kur i nguliti qiejt, unë isha aty.

Kur skajoi humnerën,

28 kur i ngjeshi retë atje lart,

kur i forcoi gurrat e humbëtirës,

29 kur u vuri cakun detit

e ujërave, që të mos vërshojnë,

kur hodhi themelet e tokës,

30 unë isha pranë tij si kryemjeshtër.

Isha ditë për ditë gëzimi i tij,

dëfrehesha para tij përherë,

31 duke luajtur me rruzullin e tokës

e duke u ngazëlluar me bijtë e njerëzve.

Porosia e urtisë

32 Prandaj, bijtë e mi, dëgjomëni:

lum ata që ndjekin udhët e mia!

33 Dëgjojeni porosinë, bëhuni të urtë

e mos e shpërfillni.

34 Lum njeriu që më dëgjon mua,

që vëzhgon përditë dyert e mia

e pret te pragjet e hyrjeve të mia.

35 Kush më gjen mua, gjen jetën

e fiton përkrahjen e Zotit,

36 por kush mëkaton ndaj meje, lëndon veten.

Të gjithë ata që më urrejnë mua,

duan vdekjen».


 d8.22 ose: më krijoi të jem fillimi

Fjalët e urta 7

Biri im, ruaji fjalët e mia

e mbaj me vete urdhërimet e mia.

Mbaji urdhërimet e mia e do të jetosh,

mësimi im të jetë si ninëza e syrit tënd.

Lidhi në gishtat e tu,

shkruaji mbi rrasën e zemrës sate.

Urtisë thuaji: «Ti je motra ime»

e gjykimin quaje sivëlla,

që të të ruajë nga gruaja e panjohur,

nga e huaja fjalëpërkëdhelur.

Duke parë përmes flegrash,

prej dritares së shtëpisë sime,

pashë ndër thjeshtakët,

vërejta mes të rinjve,

një djalosh mendjelehtë.

Ai kaloi në një rruginë,

pranë qoshes së një të atille,

e u çapit drejt shtëpisë së saj,

në mbrëmje, kur ngryset dita,

në mug, kur bie nata.

10 Ja, takohet me një grua

veshur si lavire, me zemër dredharake;

11 e hedhur, kryeneçe,

që s’i zë këmba shtëpi,

12 që herë në rrugë e herë në sheshe,

në çdo qoshe në pritë rri.

13 Ajo e zuri dhe e puthi,

e i tha me shfytyrësi:

14 «Kam kushtuar fli paqtimi,

sot unë kushtet i kam plotësuar,

15 prandaj të kam dalë para:

të kërkova e të gjeta.

16 Mbi divanin tim kam shtrirë

basma lara-lara, beze nga Egjipti.

17 Mbi shtrat hodha pikla mirre,

aloe e kanellë.

18 Eja ta pimë me fund kupën e dashnorëve,

të dëfrejmë në dashuri deri në agim.

19 Burri nuk është në shtëpi

është nisur për udhë të largët,

20 se ka marrë me vete qesen e parave.

Kthehet në shtëpi me hënën e plotë».

21 E mikloi me lajka shumë,

e trullosi me joshjen e buzëve të saj.

22 Dhe ai befas i shkon pas,

si kau në thertore,

si dreri i zënë në lakç,

23 derisa një shtizë t’ia shpojë mëlçinë;

si një zog që rend në kurth,

por ai nuk e di se luan me jetë.

24 Ndaj, o bijtë e mi, dëgjomëni

e vëruni vesh fjalëve që po them:

25 mos të të zvargë zemra udhëve të saj,

mos u sorollat shtigjeve të saj,

26 se shumë të lënduar ajo ka gremisur

e janë të panumërt theroret e saj.

27 Shtëpia e saj është udhë skëterre,

teposhtë, në qelitë e vdekjes.


 ç7.22 të tjerë: si një i lidhur në dënimin e budallait

Fjalët e urta 6

Mbi dorëzaninë

Biri im, nëse ke hyrë dorëzanë për mikun tënd,

nëse ke dhënë dorën për një të huaj,

fjalët e gojës sate të kanë zënë në grackë

e je i kapur për fjale.

Atëherë, biri im, ja si do të bësh për t’u çliruar,

pasi ke rënë në dorë të mikut tënd:

shko, përulu para tij e prishja qetësinë.

Mos vër gjumë në sy,

as mos u jep prehje qepallave të tua.

Çlirohu porsi sorkadhja nga laku,

si zogu nga dora e gjahtarit.

Përtaci dhe milingona

Shko, o përtac, e shih milingonën,

shiko si vepron ajo e bëhu i urtë.

Ajo nuk ka as epror,

as mbikëqyrës, as pronar,

por verës bën gati ushqimin e vet

e, kur vijnë të korrat, mbledh hajen e vet.

Deri kur, o përtac, do të rrish shtrirë?

Kur do të çohesh nga gjumi?

10 Pak gjumë e pak dremitje,

pak duarkryq për të pushuar,

11 e ashtu vjen skamja, si endacak,

e varfëria si një shqytar.

I marri

12 Njeriu i pavlerë e burri i prapë

endet gojëçartur,

13 picërron sytë, përplas këmbët

e flet me gishta.

14 Në zemër mbart ligësi,

sheston përherë të keqen

e mbjell ndasi.

15 Ndaj befas do e zërë e zeza,

papandehur do të bjerë pa gjetur shërim.

Shtatë neveritë

16 Gjashtë gjëra urren Zoti,

madje shtatë i neveriten:

17 sytë mburravecë, gjuha gënjeshtare,

duart që derdhin gjakun e pafaj,

18 zemra që sheston synime të liga,

këmbët që turren kah e keqja,

19 dëshmitari i rremë që pjell gënjeshtra

e kush mbjell ndasi ndër vëllezër.

Porositë atërore

20 Zbatoje, o biri im, urdhërimin e atit tënd,

e mos e shpërfill mësimin e nënës sate,

21 ngulite përgjithmonë në zemër

e vare rreth qafës,

22 se, kur ecën, të drejton,

kur pushon, të ruan

e kur zgjohesh, të flet.

23 Urdhërimi është llambë e udhëzimi dritë.

Parimet qortuese janë udha e jetës,

24 se të ruajnë nga gruaja e përdalë,

nga fjalët ëmbëlake të gruas së panjohur.

25 Mos të të epet zemra prej bukurisë së saj

e mos bjer pre e qepallave të saj,

26 se gruaja lavire lyp veç një copë bukë,

por gruaja e martuar të merr nderin e jetës.

27 Po burri, a e mban dot zjarrin në gji,

pa i djegur petkat?

28 A ecën njeriu mbi prush

pa iu përcëlluar këmbët?

29 As ai që i qaset gruas së huaj,

që e prek atë, nuk do t’i ikë ndëshkimit.

30 Vjedhësi nuk poshtërohet

po vodhi prej urisë,

për të mbajtur shpirtin gjallë,

31 por po u kap, do të kthejë shtatëfishin

e do të japë krejt pasurinë e shtëpisë.

32 Kush shkel kurorën, është i pamend,

kush bën kështu, shkatërron jetën e vet.

33 Marre e plagë do të mbledhë

e turpi i tij nuk do të shlyhet,

34 se xhelozia e burrit është e tërbuar,

ai s’do të ketë mëshirë në ditën e hakmarrjes.

35 Ai s’pajtohet me asnjë dëmshpërblim,

nuk pranon asnjë mitëmarrje.

Fjalët e urta 5

Për gratë dhe dashurinë

Biri im, vërja mendjen urtisë sime

vëri vesh arsyetimit tim,

që të ruash gjykimin

e buzët e tua t’i përmbahen njohjes.

Buzët e së huajës pikojnë mjaltë,

më e butë se vaji është gojë e saj,

porse në fund e hidhur si pelini,

e mprehtë si shpata me dy tehe është.

Këmbët e saj zbresin drejt vdekjes,

hapat e saj çojnë drejt e në skëterrë,

shpërfillshëm për udhën e jetës

enden pa ditur në ç’shteg.c

Ndaj dëgjomëni, o bij,

e mos ikni nga fjalët e gojës sime:

larg saj mbaje udhën tënde

e mos iu avit pragut të shtëpisë së saj,

që të mos ua dorëzosh të tjerëve nderin tënd

e ndonjë të pashpirti vitet e tua;

10 të mos i shërbejë forca jote të huajit,

e mundi yt shtëpisë së ardhacakut;

11 që të mos vajtosh mbi fatin tënd,

e, ndërsa merr fund mishi e trupi yt,

12 të thuash: «Si e urreva rregullin,

si e përbuzi zemra ime qortimin?

13 Si s’e dëgjova zërin e udhërrëfyesit tim?

Si s’u vura vesh mësuesve të mi?

14 Për pak u gjeta në të keqen e madhe

përpara bashkësisë e kuvendit».

15 Pi ujë prej sternës sate,

atë që gurron nga pusi yt,

16 që të mos rrjedhin përjashta burimet e tua

e rrëketë e ujit nëpër sheshe,

17 por të jenë për ty, vetëm për ty

e jo për të huajt bashkë me ty.

18 Qoftë bekuar gurra jote!

Gëzohu me gruan e rinisë sate:

19 drenushë e dashur, sorkadhe e hijshme.

Ndër gjinjtë e saj gjetsh kënaqësi

e dashuri’ e saj të dehtë përherë.

20 Përse, o biri im, joshesh nga e panjohura

e bie në krahët e së huajës?

21 Udhët e njeriut janë para syve të Zotit,

ai i shqyrton të gjitha shtigjet e tij.

22 Të prapin e zë prapësia e vet,

e zë laku i mëkateve të veta.

23 Ai do të vdesë nga mosbindja e vet,

do të humbasë nga marrëzia e vet.


 c5.6 të tjerë: por ti nuk e kupton

Fjalët e urta 4

Porosi për të ndjekur urtinë

Dëgjoni, o bij, mësimin e atit,

kini mendjen, që të njihni zgjuarsinë,

se unë ju jap udhëzime të mira;

mos e shpërfillni ligjin tim.

Kur për tim atë isha fëmijë

e për time më i butë e i dashur,

ai më mësonte e më thoshte:

«Mblidhi fjalët e mia në zemrën tënde,

mbaj urdhërimet e mia e do të jetosh.

Rrok urtinë, kap zgjuarsinë,

mos harro fjalët e gojës sime e mos i shmang.

Mos e lër urtinë e ajo të ruan,

duaje e ajo të mbron.

Fillimi i urtisë: rrok urtinë!

Jep çka ke arritur e kap zgjuarsinë.

Vlerësoje e ajo të lartëson,

përqafoje e ajo të nderon.

Do të të vërë në kokë një rreth hijeshie,

me kurorë bukurie do të të stolisë».

10 Dëgjo, biri im, e nxëri fjalët e mia,

që të shumohen vitet e jetës sate.

11 Po të tregoj udhën e urtisë,

po të prij shtigjeve të drejtësisë.

12 Nuk do të të ngatërrohen hapat kur të ecësh

e, po të vraposh, nuk do të pengohesh.

13 Ndiq rregullin e mos e lër,

zbatoje, se është jeta jote.

14 Mos i hyr udhës së të paudhëve

e mos ec rrugës së të prapëve.

15 Shmange e mos kalo andej,

dredho e ik tutje,

16 se ata s’flenë pa bërë të keqen,

u ikën gjumi po s’dëmtuan kënd,

17 se ata hanë bukën e prapësisë

dhe pinë verën e dhunës.

18 Udha e të drejtëve është si drita e agimit

që shkon duke shndritur gjer në mesditë.

19 Por udha e të prapëve është si terri i natës,

ata s’e dinë ku venë e pengohen.

20 Biri im, ki mendjen te fjalët e mia,

merr vesh çfarë të kam thënë:

21 mos i hiq sysh,

por ruaji mu në zemër,

22 se janë jetë për kë i gjen

e shërim për tërë trupin e tij.

23 Ruaj zemrën tënde mbi gjithçka,

se jeta prej saj buron.

24 Mos u bëj gojëçartur

e as buzëprapë.

25 Sytë e tu të shohin përballë,

drejt përpara ta kesh shikimin.

26 Kujdesu për udhën ku vë këmbën

e do të jenë të sigurta shtigjet e tua.

27 Mos u luhat as djathtas, as majtas,

shmangu nga e keqja.

Fjalët e urta 3

Si fitohet urtia

Biri im, mos i harro udhëzimet e mia

e mbaj në zemër urdhërimet e mia,

se ditë të shumta, vite jete

e paqe do të të japin.

Mos të lëntë mirësia, as besnikëria,

ndaj vari rreth qafës

e shkruaji mbi rrasën e zemrës sate,

se do të gjesh përkrahje e pëlqim

para Perëndisë e para njerëzve.

Beso në Zotin me gjithë zemër

e mos u mbështet në zgjuarsinë tënde.

Mendo për të në të gjitha udhët e tua

e ai do të t’i drejtojë shtigjet.

Mos të të duket vetja i urtë,

por druaj Zotin e largohu nga e keqja.

Kjo do të jetë shërim për trupin tënd

e freskim për eshtrat e tua.

Ndero Zotin me tërë begatinë tënde,

me frytet e para të çdo të vjele,

10 se drithnikët e tu do të mbushen plot

e vozat e tua do të pëlcasin nga vera.

11 Biri im, mos e shpërfill mësimin e Zotit

e mos u bezdis nga qortimi i tij,

12 se Zoti e ndreq atë që e do,

porsi një atë birin e dashur.

Gëzimet e të urtit

13 Lum njeriu që e ka gjetur urtinë,

lum ai që ka kapur arsyen,

14 është më e vlefshme se argjendi,

më e dobishme se ari,

15 më e çmueshme se margaritarët,

e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi.

16 Në të djathtë mban jetëgjatësinë,

në të majtë pasurinë e nderin.

17 Udhët e saj janë të këndshme,

tërë shtigjet e saj të paqme.

18 Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës;

lum ai që kapet pas saj.

19 Zoti e themeloi tokën me urti

e me mençuri i nguliti qiejt.

20 Me dijen e tij shpërthyen humnerat

e retë pikuan vesën.

21 Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra,

ruaj mençurinë e maturinë,

22 se do të jenë jetë për ty,

stoli rreth qafës sate.

23 Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate

e këmba jote nuk do të pengohet.

24 Kur të biesh në shtrat, s’do të trembesh,

do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël.

25 Mos ki frikë nga tmerri i beftë

a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë,

26 se Zotin pranë do ta kesh

e do të ta ruajë këmbën nga leqet.

27 Po të jetë në dorën tënde,

mos ia moho të mirën atij që i takon.

28 Po të kesh,

mos i thuaj të afërtit: «Shko e eja nesër, se do të t’jap».

29 Mos kurdis të keqen kundër të afërtit tënd

që me ty banon i qetë.

30 Mos u grind kot me asnjeri

nëse nuk të ka bërë keq.

31 Mos e lakmo njeriun e dhunshëm

e mos ndiq udhët e tij,

32 se Zoti ka neveri për dinakun,

por me të drejtin është i dashur.

33 Në shtëpinë e të paudhit rëndon mallkimi i Zotit,

por ai bekon banesën e të drejtit.

34 Me tallësit ai tallet,

por të përulurit i përkrah.

35 Të urtët do të trashëgojnë nderin,

kurse të marrët turpin.

Fjalët e urta 2

Kundër shoqërive të këqija

«Biri im, nëse i mirëpret fjalët e mia

dhe ruan brenda teje urdhërimet e mia,

duke i vënë vesh urtisë

e duke e prirë zemrën drejt mençurisë,

nëse do t’i thërrasësh mendjes

e do t’i bësh zë mençurisë,

nëse e kërkon atë si argjendin

dhe e gjurmon si thesarin,

atëherë do të kuptosh drojën e Zotit

e do të gjesh dijen e Perëndisë,

se Zoti dhuron urtinë

e prej gojës së tij del dija e mençuria.

Ai i jep mbrothësi të drejtit,

është mburojë për të ndershmin,

mbron shtigjet e drejtësisë

e bën rojë mbi udhën e besëtarëve të vet.

Atëherë do të kuptosh drejtësinë e gjykimin,

çiltërsinë e çdo udhë të mbarë.

10 Do të të hyjë në zemër dija

e njohja do të ta kënaqë shpirtin.

11 Përsiatja do të të ruajë

e mençuria do të të mbrojë,

12 për të të shpëtuar nga udha e keqe,

nga njerëzit që flasin prapësi,

13 nga ata që lënë shtigjet e drejta

për të ecur udhëve të errëta,

14 që kënaqen me të keqen

e ngazëllehen me prapësi të liga.

15 Shtigjet e tyre janë të shtrembra,

udhët e tyre me dredha.

16 Kështu do të shpëtosh nga gruaja e huaj,

nga e panjohurab që të flet ëmbël,

17 që braktis të dashurin e rinisë

dhe harron besëlidhjen me Perëndinë e saj.

18 Shtëpia e saj shpie drejt vdekjes

e udhët e saj drejt hijeve.

19 Ata që shkojnë me të as nuk kthehen më,

as nuk gjejnë më shtegun e jetës.

20 Prandaj, ti ec udhës së mbarë

e mbaj shtigjet e të drejtëve,

21 se të drejtët do ta banojnë tokën

e të përsosurit do të mbeten në të.

22 Të paudhët do të zhbihen nga faqja e dheut

e të pabesët do të çrrënjosen».


 b2.16 të tjerë: kurorëshkelësja

Fjalët e urta 1

Fjalët e urta të Solomonit, birit të Davidit, mbretit të Izraelit:

për të njohur urtinë e rregullin,

për të nxënë fjalët e mençura,

për të pranuar qortimet e mprehta,

drejtësinë, gjykimin e çiltërsinë,

për t’u dhënë thjeshtakëve zgjuarsinë,

të rinjve njohjen e shestimin.

Le të dëgjojë i urti e t’i shtohet dija,

ndërsa i kuptueshmi le të marrë udhëzime,

për të kuptuar fjalët e urta dhe enigmat,

thëniet e të diturve e gjëegjëzat e tyre.

Droja e Zotit është fillimi i njohjes,

por të marrët e përçmojnë dijen e rregullin.

I urti ikën nga shoqëria e keqe

Dëgjo, biri im, qortimin e atit tënd

e mos lër pas dore udhëzimet e nënës sate,

se si kurorë e hijshme mbi kokë do të të rrinë

e porsi varëse rreth qafës tënde.

10 Biri im, nëse mëkatarët të ngucin,

mos u vër vesh.

11 Po të thonë: «Eja me ne!

Të zëmë pritë për gjak,

t’i ngremë kurth të pafajshmit, më kot;

12 t’i përpijmë të gjallë, si skëterra,

njëcopësh, si ata që zbresin në varr,

13 të përlajmë çdo gjë të çmueshme

e t’i mbushim shtëpitë me plaçkë;

14 hidh short me ne

e do të mbajmë një qese për ne të gjithë»,

15 ti, biri im, mos shko udhës së tyre,

të mos shkelë këmba jote në atë shteg,

16 se këmbët e tyre turren drejt së keqes

e nxitojnë për të derdhur gjak.

17 Para syve të shpendëve

më kot hidhet rrjeta,

18 por këta zënë pritë kundër gjakut të vet,

ngrenë kurth kundër vetes.

19 I tillë është fati i zhvatësit:

i merr jetën të zotit të vet.

Thirrja e urtisë

20 Urtia thërret udhëve,

ngre zërin shesheve,

21 njofton në krye të rrugëve të zhurmshme

e në dyert e qyteteve jep kumte:

22 «Deri kur, o thjeshtakë, do ta doni papjekurinë?

Deri kur tallësit do të kënaqen së talluri

e të marrët do të urrejnë njohjen?

23 Kthehuni e vëruni vesh qortimeve të mia!

Ja, po hap zemrëna para jush

e po ju bëj të ditura fjalët e mia:

24 ju thirra e ju më përzutë,

ju shtriva dorën e askush s’më vuri re.

25 I shpërfillët tërë këshillat e mia

e nuk i deshët qortimet e mia.

26 Edhe unë do të qeshem me kobet tuaja,

do të tallem kur t’ju zërë frika,

27 kur tmerri të përplaset mbi ju si stuhi

e kobi si thëllim,

kur të jeni në ngushticë e në ankth.

28 Atëherë ata do të më thërrasin, por unë nuk do të përgjigjem,

do të më kërkojnë me ngulm, por nuk do të më gjejnë.

29 Ngaqë ata e urryen njohjen

e nuk zgjodhën drojën e Zotit,

30 nuk ndoqën as këshillën time

dhe i përçmuan të gjitha qortimet e mia,

31 ata do të hanë frytet e sjelljes së tyre

e do të ngopen me këshillat e veta.

32 Bjerrja e thjeshtakëve do t’i rrënojë

e mendjelehtësia e të marrëve do t’i shkatërrojë,

33 por kush më dëgjon mua do të jetojë i qetë

e do të prehet pa frikë nga e keqja».


 a1.23 ose: derdh shpirtin

Bibla.al App