Romakëve 14

Mos e gjyko tjetrin

Pranojeni atë që është i dobët në besim dhe mos e gjykoni për mendimet e tij. Dikush beson se mund të hajë çdo gjë, ndërsa një tjetër, që është i dobët, ha vetëm perime. Ai që ha çdo gjë, të mos e përbuzë atë që nuk ha, dhe ai që nuk ha çdo gjë, të mos e gjykojë atë që ha, sepse Perëndia e ka pranuar edhe atë. Kush je ti që të gjykosh shërbëtorin e tjetrit? Vetëm i zoti mund të gjykojë nëse shërbëtori i tij qëndron i fortë në detyrë ose jo. Por ai do të qëndrojë i fortë, sepse Zoti ka pushtetin ta bëjë këtë.

Dikush e vlerëson një ditë më shumë se një ditë tjetër, ndërsa dikush tjetër i vlerëson të gjitha ditët njëlloj. Secili të jetë plotësisht i bindur për atë që bën. Ai që e vlerëson një ditë si të veçantë, e vlerëson për Zotingj. Ai që ha nga çdo gjë, ha për Zotin, sepse falënderon Perëndinë. Po ashtu, edhe ai që nuk ha çdo gjë, nuk ha për Zotin dhe falënderon Perëndinë.

Asnjëri nga ne nuk jeton për vete dhe nuk vdes për vete. Nëse jetojmë, jetojmë për Zotin dhe nëse vdesim, vdesim për Zotin. Prandaj, edhe nëse jetojmë, edhe nëse vdesim, ne i përkasim Zotit. Për këtë arsye Krishti vdiq e u ngjall, për të qenë Zot i të gjallëve dhe i të vdekurve. 10 Pse e gjykon vëllanë tënd? Pse e përbuz vëllanë tënd? Ne të gjithë do të qëndrojmë para gjyqit të Perëndisë. 11 Është shkruar:

pasha jetën time, thotë Zoti,

çdo gju

do të përkulet para meje

dhe çdo gjuhë

do të përlëvdojë Perëndinë.

12 Kështu pra, çdonjëri prej nesh do të përgjigjet para Perëndisë për veten e vet.

Mos u bëj pengesë për vëllanë

13 Prandaj të mos gjykojmë më njëri-tjetrin, por më mirë të kemi kujdes për të mos i vënë vëllait as lak, as pengesë. 14 Unë e di dhe jam i bindur prej Zotit Jezu se asgjë nuk është e papastër vetvetiu. Por nëse dikush e vlerëson diçka si të papastër, atëherë ajo është e papastër për të.

15 Nëse vëllai yt lëndohet për shkak të ushqimit tënd, atëherë ti nuk po sillesh më me dashuri ndaj tij. Për shkak të ushqimit mos e ço drejt humbjes vëllanë tënd, për të cilin vdiq Krishti. 16 Mos bëni që të shahet çka është e mirë për ju. 17 Sepse mbretëria e Perëndisë nuk është të ngrënët e të pirët, por drejtësi, paqe e gëzim në Shpirtin e shenjtë. 18 Kush i shërben kështu Krishtit, i pëlqen Perëndisë dhe miratohet prej njerëzve. 19 Prandaj, të kërkojmë gjërat që sjellin paqen dhe rritjen shpirtërore të të gjithëve.

20 Mos e shkatërro veprën e Perëndisë për shkak të ushqimit. Të gjitha ushqimet janë të pastra, por bën keq ai që, me ushqimin e tij, bëhet gur pengese për tjetrin. 21 Është mirë të mos hash mish, të mos pish verë e as të mos bësh ndonjë gjë tjetër që do të bëhej gur pengese për vëllanë tëndh22 Besimin që ke, mbaje për vete para Perëndisë. Lum ai që nuk e dënon ndërgjegjja për ushqimet që zgjedh të hajë. 23 Por kush është me dy mendje për sa i përket ushqimit, e megjithatë ha, ai është i dënuar, se nuk vepron sipas asaj që beson. Gjithçka që nuk vjen prej besimit, është mëkat.


 gj14.6 dorëshk. të tjera edhe: Ai që nuk e vlerëson një ditë si të veçantë, nuk e vlerëson për Zotin

 h14.21 dorëshk. të tjera edhe: apo që do t’i bëhej pengesë, apo do ta dobësonte