1 Ejani t’i këndojmë Zotit,
të brohorasim për shkëmbin e shpëtimit tonë.
2 Le të dalim para tij me falënderim,
le të brohorasim për të me këngë.
3 Se Perëndi madhështor është Zoti,
mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në dorën e tij janë thellësitë e tokës,
të tijat janë majat e maleve.
5 I tij është edhe deti, ai e krijoi,
duart e tij i dhanë trajtë dheut.
6 Ejani të adhurojmë e të biem në gjunjë,
le të gjunjëzohemi para Zotit, krijuesit tonë!
7 Se ai është Perëndia ynë
e ne populli i kullotës së tij,
tufa, që ai e ruan me dorën e vet.
Dëgjojeni, pra, sot zërin e tij:
8 «Mos e ngurtësoni zemrën si në Meribë,
si në ditën e Masës, në shkretëtirë,
9 kur etërit tuaj më vunë në provë,
më tunduan edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet m’u neverit ajo brezni, e thashë:
“Ky popull e ka zemrën tërë dredhi
e udhët e mia nuk i njeh”.
11 Prandaj u përbetova në zemërimin tim:
“Nuk kanë për të hyrë në prehjen time!”».