1 O Zot, Perëndi shpagues,
o Perëndi shpagues, shkëlqe!
2 Ngrihu, o gjykatës i tokës,
jepu shpagimin krenarëve.
3 Deri kur të paudhët, o Zot,
deri kur do të ngadhënjejnë të paudhët?
4 Shpotitin e flasin me përbuzje,
mburren tërë ata që bëjnë paudhësi.
5 Popullin tënd po e shtypin, o Zot,
trashëgiminë tënde po e mundojnë.
6 Vrasin vejushën e të ardhurin,
jetimit i marrin jetën.
7 E thonë: «Nuk sheh Zoti,
Perëndia i Jakobit nuk kupton».
8 Merrni vesh, o tutkunët e popullit.
Ju, o të pamend, kur do të kuptoni?
9 Ai që përftoi veshin nuk dëgjuaka?
Ai që krijoi syrin nuk shikuaka?
10 Ai që qorton popujt nuk ndëshkuaka,
ai që dijen i mëson njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut,
të kota janë ato.
12 Lum njeriu që e qorton ti, o Zot,
e me ligjin tënd e mëson,
13 për t’i dhënë prehje në ditë fatkeqësie,
derisa të paudhit t’i jetë hapur gropa.
14 Se Zoti nuk e braktis popullin e vet,
trashëgiminë e vet nuk e hedh poshtë,
15 derisa gjykimi të shpallet sërish me drejtësi,
dhe tërë zemërdrejtët ta ndjekin.
16 Kush do të ngrihet për mua kundër të këqijve?
Kush do të dalë për mua kundër të paudhëve?
17 Po të mos më kishte ndihmuar Zoti,
për pak do të banoja në vendin e heshtjes.
18 Kur thashë: «Po më rrëshqet këmba!»,
më mbajti mirësia jote, o Zot.
19 Kur përbrenda më mbytin shqetësimet,
ma gëzojnë shpirtin ngushëllimet e tua.
20 A ka lidhje me ty froni i paudhësisë,
i cili sajon rregulla të marra me mashtrim?
21 Vërsulen kundër jetës së të drejtit
dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Zoti u bë streha ime,
Perëndia im, shkëmbi ku gjej strehim.
23 Ai do t’i shpaguajë sipas paudhësisë së tyre,
me vetë të keqen e tyre do t’i shfarosë,
Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.