1 Psalm. Këngë për të shtunën.
2 Është mirë të përlëvdosh Zotin
e t’i këndosh emrit tënd, o i Tejlartë,
3 mirësinë tënde të shpallësh në mëngjes
e besnikërinë tënde gjatë natës,
4 me qeste dhjetëkordëshe e me harpë,
me këngë shoqëruar me lirë.
5 Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
ngazëllohem me punët e duarve të tua.
6 Sa madhështore janë veprat e tua, o Zot,
sa të thella janë mendimet e tua!
7 Njeriu i pamend nuk e di
e i marri nuk e kupton dot,
8 se, të pabesët, edhe pse mbijnë si bari,
edhe pse lulëzojnë ata që bëjnë paudhësi,
kanë për t’u shkatërruar përgjithmonë.
9 Por ti, o Zot,
je përjetë madhështor!
10 Ja, armiqtë e tu, o Zot,
ja, armiqtë e tu do të zhbihen
e ata që bëjnë paudhësi do të hapërdahen.
11 Ti më bëre të fortë si buallin,
më vajose me vaj të ri.
12 Syri im do të shohë
rënien e kundërshtarëve të mi,
veshët e mi do të dëgjojnë
poshtërimin e atyre që më bëjnë keq.
13 I drejti do të lulëzojë si palma,
do të rritet si cedri i Libanit.
14 Do të mbillet në shtëpinë e Zotit,
do të lulëzojë në oborret e Perëndisë tonë.
15 Do të japë fryte edhe në pleqëri,
do të jetë i shëndetshëm e plot freski,
16 për të shpallur se Zoti është i drejtë.
Ai është shkëmbi im e tek ai nuk ka padrejtësi.