1 Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
O Zot, ti ke qenë streha jonë
brez pas brezi.
2 Para se të lindnin malet,
para se të krijoje tokën e botën,
prej amshimit në amshim, ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur,
e thua: «Kthehuni, o bijtë e njeriut!».
4 Se një mijë vjet në sytë e tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi orët e rojës së natës.
5 Në gjumë, si përmbytja i përlan,
si bari që mugullon në mëngjes janë.
6 Në mëngjes lulëzon e mugullon,
në mbrëmje vyshket e thahet.
7 Prej zemërimit tënd morëm fund,
prej furisë sate u tmerruam.
8 Paudhësitë tona i ke vënë para vetes,
të fshehtat tona në dritën e fytyrës sate.
9 Tërë ditët tona fashiten prej mërisë sate,
vitet tona marrin fund si një ofshamë.
10 Vitet e jetës sonë janë shtatëdhjetë,
ja, tetëdhjetë për më të fortët;
vitet më të mira janë mundim e dhimbje,
teren shpejt e ne kalojmë.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd?
Si droja ndaj teje ashtu është furia jote.
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur?
Ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14 Na ngij në mëngjes me mirësinë tënde,
që të ngazëllejmë e të gëzojmë në të gjitha ditët tona.
15 Bëna të gëzojmë për aq ditë sa na mundove,
për aq vite sa kaluam në fatkeqësi.
16 Le të shfaqet vepra jote te shërbëtorët e tu,
te bijtë e tyre madhështia jote.
17 Ardhtë mbi ne mirësia e Zotit, Perëndisë tonë,
bëje të shkojë mbarë veprën e duarve tona,
përparoftë vepra e duarve tona!