1 Psalm i Asafit.
Perëndia u ngrit në kuvendin hyjnor
e në mes të perëndive shpall gjykim:
2 «Deri kur do të gjykoni padrejtësisht
e anën e të paudhëve do të mbani? selah
3 Jepini të drejtën të mjerit e jetimit,
bëjini drejtësi të vuajturit e skamnorit.
4 Çlirojeni të mjerin e nevojtarin,
prej dorës së të paudhëve shpëtojini.
5 As dinë e as kuptojnë, nëpër terr enden;
tranden gjithë themelet e tokës».
6 E unë thashë: «Jeni perëndi,
të gjithë jeni bij të të Tejlartit.
7 Por do të vdisni si çdo njeri,
si çdo prijës do të bini».
8 Ngrihu, o Perëndi, gjyko tokën,
se ti do të trashëgosh tërë kombet.