1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Zambakët». Dëshmi. Psalm i Asafit.
2 Ti, o bari i Izraelit, mba vesh,
ti që si grigjës i prin Jozefit,
ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe.
3 Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut
ngrije peshë fuqinë tënde
e eja të na ndihmosh.
4 O Perëndi, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.
5 O Zot, Perëndi i ushtrive,
deri kur do të jesh i zemëruar
ndaj lutjes së popullit tënd?
6 I ke ushqyer me bukë lotësh,
u ke dhënë të pinë kaq shumë lot.
7 Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët,
armiqtë tanë tallen me ne.
8 O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.
9 Një hardhi prej Egjiptit shkule,
dëbove kombe dhe e mbolle.
10 Tokën për të gati e bëre,
rrënjë hodhi e dheun mbushi.
11 Hija e saj mbuloi malet,
degët e saj cedrat e Perëndisë.
12 Filizat e saj i shtriu deri në det,
pinjollët e saj deri në lumë.
13 Gardhin përse ia shthure,
që të vjelë prej saj çdo kalimtar?
14 E shkretoi derri i egër,
aty kullotin egërsirat e fushës.
15 Kthehu, o Perëndi i ushtrive,
hidh sytë prej qiellit,
vështroje e kujdesu për këtë hardhi,
16 për atë që mbolli dora jote e djathtë,
për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde.
17 E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë;
marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate.
18 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate,
mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten.
19 E ne nuk do të largohemi më prej teje,
jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd.
20 O Zot, Perëndi i ushtrive, na kthe sërish,
bëje fytyrën tënde të shkëlqejë,
që të shpëtojmë.