1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Asafit. Këngë.
2 I njohur është Perëndia në Judë,
i madh është emri i tij në Izrael.
3 Në Salem është vendi i tij,
në Sion banesa e tij.
4 Atje harqet flakëruese ai theu,
shqytin, shpatën e betejën. selah
5 Tërë shkëlqim ti je,
më madhështor se malet e gjahut!
6 Trimat e paepur u plaçkitën,
gjumi i thellë i kishte kapur!
Askush prej burrave trima
nuk ngrinte dot as dorën.
7 Prej qortimit tënd, o Perëndi i Jakobit,
të shtangur mbetën qerre e kuaj.
8 Ti je vërtet i tmerrshëm!
Kush të bën dot ballë,
kur të ndizet zemërimi?
9 Prej qiellit e shpalle gjykimin,
toka u drodh nga frika dhe heshti,
10 kur u ngrit Perëndia për të bërë gjyq,
për të shpëtuar gjithë skamnorët e tokës. selah
11 Se ty edhe zemërimi i njerëzve të jep lavdi
e ç’të ketë mbetur ti e ngjesh ijëve.
12 Bëjini premtime Zotit, Perëndisë suaj,
e përmbushini ato.
Të gjithë ju që e rrethoni
sillini dhurata të Tmerrshmit.
13 Ai i lë pa frymë prijësit,
atë e druajnë të gjithë mbretërit e tokës.