Psalmet 73

Psalm i Asafit.

Sa i mirë është Perëndia për Izraelin,

për ata që e kanë zemrën të pastër!

E mua gati m’u morën këmbët,

për pak m’u ngatërruan hapat.

Lakmi i pata për mburravecët,

kur pashë mirëqenien e të paudhëve.

Nuk kanë dhimbje deri në vdekjeg,

barkun e kanë tërë dhjamë.

Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë,

nuk mundohen si njerëzit e tjerë.

Krenaria stolis qafat e tyre,

dhuna i mbulon si petk.

U pëlcasin sytë prej dhjamit,

prej zemrave u burojnë dëshirime.

Përqeshin e flasin me ligësi,

nga lart kërcënojnë me shtypje.

E hapin gojën edhe kundër qiellit,

gjuha e tyre përshkon tokën.

10 Prandaj populli im kthehet drejt tyre

dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë.

11 «E si e ditka Perëndia», thonë,

«Nga e marrka vesh i Tejlarti?».

12 Ja, këta janë të paudhët!

Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri.

13 Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër,

më kot i kam larë duart në pafajësi!

14 Tërë ditën kam pësuar fshikullima

e jam munduar deri në mëngjes.

15 Po të kisha thënë: «Do të flas si ata»,

do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu.

16 U përpoqa ta kuptoj këtë,

por m’u errën sytë.

17 Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë,

vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre.

18 Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm,

i plandose në rrënim.

19 Si u shkatërruan kështu përnjëherë!

U sosën e morën fund me tmerr!

20 Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot,

ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre.

21 Kur më hidhërohej zemra,

e veshkat më thernin,

22 isha i marrë e nuk kuptoja,

para teje isha si kafshë.

23 Por ja, unë jam gjithmonë me ty,

ti më mban dorën e djathtë.

24 Ti më udhëheq me këshillat e tua,

e pastaj do të më marrësh me lavdi.

25 Kë tjetër kam unë në qiell?

Veç teje, mbi tokë, s’dua tjetër.

26 Më janë ligështuar trupi e zemra,

por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime

është Perëndia në amshim.

27 Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen,

ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.

28 Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë,

të kërkoj strehë te Zoti, Zoti im,

për t’i shpallur të gjitha veprat e tij.


 g73.4 ose: Vdesin pa dhimbje