1 Ankimi që Davidi i këndoi Zotit për fjalët e Kushit nga fisi i Benjaminit.
2 O Zot, Perëndia im, te ti kërkoj strehë,
shpëtomë e çliromë prej të gjithë përndjekësve të mi.
3 Në mos, si luani do të ma shqyejnë shpirtin
e do të më copëtojnë pa më ardhur kush në ndihmë.
4 O Zot, Perëndia im, po të kem bërë gjë
e po të kem bërë padrejtësi me duart e mia,
5 nëse ia kam kthyer me të keqe dashamirësit tim
apo e kam plaçkitur armikun pa shkake,
6 më ndjektë armiku e më kaptë,
jetën time e nëpërkëmbtë
e nderin pluhur ma bëftë. selah
7 Çohu, o Zot, me zemërim,
ngrihu mbi tërbimin e armiqve të mi,
qëndro krah meje, ti që ke vendosur drejtësi.
8 Le të të rrethojnë kombet,
por ti sundoji nga vendi yt i lartë.
9 O Zot që gjykon popujt,
gjykomë ti, o Zot, se jam i drejtë e pa faj.
10 Ligësia e të paudhëve marrtë fund,
por të drejtin forcoje, o Perëndi i drejtë,
ti që shqyrton mendjet e zemratë.
11 Mburoja ime është Perëndia,
ai i shpëton zemërdrejtët.
12 Perëndia është gjykatës i drejtë,
Perëndia është përherë i rreptë.
13 Nëse dikush nuk pendohet,
Perëndia e mpreh shpatën,
e nden harkun dhe e mban gati.
14 I ka bërë gati armët e vdekjes
dhe i ka ndezur shigjetat.
15 Ja, i ligu ngjiz paudhësi,
mbart ligësi e pjell mashtrim.
16 Hapi një gropë, gërmoi thellë,
por në gropën që bëri ra brenda vetë.
17 Ligësia që bëri do t’i kthehet kokës
e dhuna e vet do t’i bjerë ballit.
18 Unë do të falënderoj Zotin për drejtësinë e tij
e do t’i këndoj himne emrit të Zotit, të Tejlartit.