Psalmet 69

Mjeshtrit të korit. Në «Melodinë e Zambakut». I Davidit.

Shpëtomë, o Perëndi,

se më arriti uji gjer në fyt.

Jam zhytur thellë në baltë

e s’kam ku të mbështetem,

kam rënë në ujëra të thella

e po më rrëmben rrjedha.

U këputa nga britmat

e gryka më është tharë,

m’u errësuan sytë

Perëndinë tim duke pritur.

Më të shumtë se qimet e kokës

janë bërë ata që më urrejnë kot.

Ata që duan të më shkatërrojnë,

armiqtë e mi mashtrues, janë bërë të fortë.

E unë u dashka të kthej

atë që nuk kam vjedhur!

O Perëndi, ti e njeh marrëzinë time,

fajet e mia nuk janë të fshehura prej teje.

Mos u turpërofshin me mua ata që shpresojnë në ty,

o Zot, Zot i ushtrive,

mos u poshtërofshin prej meje ata që të kërkojnë ty,

o Perëndi i Izraelit.

Për ty durova poshtërime

dhe fytyrën turpi ma mbuloi.

I huaj u bëra për vëllezërit e mi,

i panjohur për bijtë e nënës sime.

10 Zelli për shtëpinë tënde më përpiu,

poshtërimet e atyre që të përbuzin ranë mbi mua.

11 Qava e agjërova,

por edhe kjo më solli poshtërim.

12 Grathore vesha si rrobë

e u bëra gazi i tyre.

13 Më përgojuan ata që rrinë portave,

pijanecët më bënë këngë.

14 Por unë lutjen time ta drejtoj ty, o Zot,

në kohën e duhur,

në mirësinë tënde të madhe,

përgjigjmu, o Perëndi,

e më jep shpëtimin tënd të vërtetë.

15 Nxirrmë nga balta, që të mos fundosem,

çliromë prej atyre që më urrejnë

e prej ujërave të thella.

16 Mos më rrëmbeftë rrjedha e ujërave,

thellësia e humnerës mos më përpiftë

e gryka e pusit mos u mbylltë mbi mua.

17 Përgjigjmu, o Zot,

se e mirë është besnikëria jote,

kthehu drejt meje,

sipas dhembshurisë sate të madhe.

18 Mos e fshih fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd,

përgjigjmu sa më shpejt, se jam ngushtë.

19 Afrohu tek unë e shpëtomë,

prej armiqve të mi çliromë.

20 Ti e njeh poshtërimin tim,

turpin dhe çnderimin tim,

armiqtë e mi janë të gjithë para teje.

21 Poshtërimi ma theu zemrën e fuqitë më lanë,

prita ndonjë që t’i vinte keq për mua, por më kot,

ndonjë që të më ngushëllonte, por nuk gjeta.

22 Më hodhën helm në ushqim

e, për të më shuar etjen,

më dhanë të pi uthull.

23 Lak u bëftë për ta tryeza e tyre

e për miqtëe e tyre grackë.

24 Iu errshin sytë e më mos pafshin,

ijët e tyre përgjithmonë u dridhshin.

25 Derdh mbi ta zemërimin tënd,

flaka e zemërimit tënd i përpiftë.

26 Fushimi i tyre u shkretoftë,

në tendat e tyre mos banoftë njeri,

27 se mundojnë atë që qortove ti

e përgojojnë dhimbjet e atij që plagose ti.

28 Shtoji paudhësi paudhësisë së tyre,

që të mos kenë pjesë në drejtësinë tënde.

29 U fshifshin nga libri i të gjallëve

e mos u shkrofshin me të drejtët.

30 Por unë jam i mjerë e plot dhimbje,

shpëtimi yt, o Perëndi, më mbroftë.

31 Do ta lavdëroj emrin e Perëndisë me këngë,

do ta madhëroj me falënderime.

32 Kjo i pëlqen Zotit më tepër se demi,

më tepër se kau me brirë e thundra.

33 Le të shohin të mjerët e le të gëzojnë.

Juve që kërkoni Perëndinë, ju përtëriftë zemra,

34 se Zoti i dëgjon të mjerët

e të robëruarit e tij nuk i përçmon.

35 Le ta lavdërojnë qiejt e toka,

detet e gjithçka që lëviz në to.

36 Se Perëndia do ta shpëtojë Sionin

e qytetet e Judës do t’i rindërtojë.

Aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

37 Pasardhësit e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojnë,

ata që duan emrin e tij aty do të banojnë.


 e69.23 të tjerë: begatia