Psalmet 68

Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Këngë.

U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij,

ata që e urrejnë ikshin prej tij.

I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi,

siç shkrin dylli prej zjarrit,

ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë.

Por të drejtët gëzojnë,

para Perëndisë ngazëllejnë

e plot hare brohorasin.

Këndojini Perëndisë,

këndojini himne emrit të tij,

hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirëc,

Zot është emri i tij,

ngazëlleni para tij.

Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave

është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.

Perëndia strehon të vetmuarit,

çliron të robëruarit,

por kryeneçët banojnë në djerrinë.

O Perëndi, kur i prive popullit tënd,

kur marshove në shkretëtirë, selah

toka u drodh e qiejt u zbrazën

para teje, Perëndisë së Sinait,

para Perëndisë së Izraelit.

10 Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi,

trashëgiminë tënde të drobitur përtërite.

11 Aty banoi grigja jote, o Perëndi,

ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin.

12 Zoti tha një fjalë,

të shumta janë lajmëtaret:

13 «Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin,

gratë e shtëpive ndajnë prenë.

14 Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar,

krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi,

pendët e saj praruar janë nga ari.

15 Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit,

mali i Calmonit zbardhi nga dëbora».

16 Mal madhështorç është mali i Bashanit,

mal me thepa mali i Bashanit.

17 Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni

malin që Perëndia për banesë zgjodhi?

Atje do të banojë përgjithmonë Zoti.

18 Karrocat e Perëndisë janë me mijëra,

me mijëra e dhjetëra mijëra,

mes tyre qëndron Zoti,

ashtu si në Sina, tërë shenjtërid.

19 U ngjite në lartësi, zure robër,

dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more,

që atje të banosh, o Zot Perëndi.

20 Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti,

Perëndia që kujdeset për ne,

ai që na shpëton. selah

21 Perëndia ynë është Perëndi që shpëton,

prej Zotit Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja.

22 Perëndia do t’ua copëtojë kryet armiqve,

kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie.

23 Zoti tha: «Do t’i kthej nga Bashani,

nga thellësia e detit do t’i kthej,

24 që këmbët t’i zhytësh në gjakun e armiqve,

që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet».

25 E panë shpurën tënde, o Perëndi,

shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim,

tek hynte në shenjtërore.

26 Para ecnin këngëtarët,

pas u vinin muzikantët,

mes vashave që u binin dajreve.

27 Bekoni Perëndinë nëpër kuvende,

bekoni Zotin, ju prej gurrës së Izraelit.

28 Atje u prin Benjamini, më i vogli,

pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre,

prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut.

29 Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi,

fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne.

30 Për hir të tempullit tënd në Jerusalem,

dhurata do të të sjellin mbretërit.

31 Kanosi egërsirat e kallamishteve,

tufën e demave bashkë me viçat e popujve,

që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellindh.

Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen.

32 Dërgata do të vijnë nga Egjipti,

Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia.

33 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë,

këndojini himne Zotit, selah

34 atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë,

atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm.

35 Shpallni fuqinë e Perëndisë,

madhëria e tij qëndron mbi Izraelin,

fuqia e tij më lart se retë.

36 I mrekullueshëm je, o Perëndi,

në shenjtëroren tënde!

Perëndia i Izraelit i jep fuqi

e forcë popullit të vet.

Bekuar qoftë Perëndia!


 c68.5 ose: në re

 ç68.16 ose: Perëndie

 d68.18 të tjerë: Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore

 dh68.31 ose: që përkulen para shufrave të argjendit