1 Mjeshtrit të korit. Këngë. Psalm.
Brohoritni për Perëndinë
gjithë ju banorët e tokës!
2 Këndojini emrit të tij të lavdishëm,
bëjeni të madhërishëm përlëvdimin e tij!
3 Thuajini Perëndisë: «Të mrekullueshme janë veprat e tua!
Aq e madhërishme është fuqia jote,
sa armiqtë të bëjnë lajka.
4 Gjithë banorët e tokës përkulen para teje
e të këndojnë himne,
i këndojnë himne emrit tënd». selah
5 Ejani e shihni ç’ka bërë Perëndia,
sa i mrekullueshëm është
kur vepron për njerëzit.
6 Detin e shndërroi në tokë të thatë,
lumin e kaluan në këmbë,
prandaj le të gëzojmë në të.
7 Ai sundon në amshim me fuqinë e tij,
sytë e tij vëzhgojnë kombet,
kryeneçët të mos krenohen. selah
8 Bekoni, o popuj, Perëndinë tonë
dhe le të dëgjohet zëri i përlëvdimit.
9 Ai na jep jetë,
e nuk lejon të na rrëshqasin këmbët.
10 Ti na vure në provë, o Perëndi,
na sprovove si argjendin në zjarr.
11 Na bëre të biem në kurth,
barrë të rëndë na ngarkove.
12 I le njerëzit të na hipin në qafë,
përmes zjarrit dhe ujit kaluam,
por ti na nxore në vend të begatë.
13 Me fli shkrumbimi do të hyj në shtëpinë tënde,
betimet e bëra do t’i mbaj,
14 betimet që shqiptuan buzët e mia,
që goja ime tha kur isha ngushtë.
15 Do të të kushtoj fli të majme shkrumbimi,
bashkë me aromën e deshve që digjen,
qe e cjep do të të flijoj. selah
16 Ejani e dëgjoni të gjithë ju që Perëndinë druani,
do t’ju tregoj ç’bëri për mua.
17 Atij i thirra me gojën time,
me gjuhën time e madhërova.
18 Po të kisha ligësi në zemrën time,
Zoti nuk do të më dëgjonte.
19 Por Perëndia më dëgjoi
dhe e mbajti vesh lutjen time.
20 Bekuar qoftë Perëndia,
që nuk e hodhi poshtë lutjen time
e as nga mirësia e tij nuk hoqi dorë.