1 Psalm i Davidit, kur ishte në shkretëtirën e Judës.
2 O Perëndi, Perëndia im, ty të kërkoj.
Për ty ka etje shpirti im,
ty të dëshiron trupi im
në këtë tokë të thatë, të shkretë e pa ujë.
3 Në shenjtërore erdha e të sodita,
pashë fuqinë e lavdinë tënde.
4 Mirësia jote është më e mirë se jeta,
buzët e mia do të të lavdërojnë.
5 Do të të bekoj gjithë jetën time,
duart do t’i ngre në emrin tënd.
6 Do të ngihem me gjithë të mirat,
goja ime do të të lavdërojë me buzë të hareshme.
7 Edhe në shtrat ty të kujtoj,
të kam ndër mend në çdo orë të natës,
8 se ti më je bërë ndihmë,
nën hijen e krahëve të tu brohoras.
9 Te ti kapet fort shpirti im,
e djathta jote më mban.
10 Rënçin në thellësi të tokës
ata që duan të më rrënojnë.
11 Rënçin nga tehu i shpatës,
pre u bëfshin për çakejtë.
12 Por mbreti do të gëzohet me Perëndinë.
Kush betohet në emrin e Perëndisë do të fitojë lavdi
dhe goja e gënjeshtarëve do të mbyllet.