1 Mjeshtrit të korit. Për Jedutunin. Psalm i Davidit.
2 Veç në Perëndinë prehet shpirti im,
prej tij më vjen shpëtimi.
3 Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im,
ai është streha ime e më nuk do të trandem.
4 Deri kur do të vërsuleni kundër një njeriu,
që ta hidhni përtokë të gjithë bashkë,
si murin e shtrembët, si gardhin e prishur?
5 Kërkojnë t’ia nëpërkëmbin nderin,
gjejnë kënaqësi në gënjeshtra.
Me gojë bekojnë,
por me zemër mallkojnë. selah
6 Veç në Perëndinë prehu, o shpirti im,
se tek ai kam shpresë.
7 Vetëm ai është shkëmbi e shpëtimi im,
ai është streha ime e nuk do të trandem.
8 Te Perëndia është shpëtimi e nderi im,
te Perëndia, kështjella e fortë dhe streha ime.
9 Ki besim tek ai në çdo kohë, o popull,
hape zemrën përpara tij,
Perëndia është streha jonë. selah
10 Bijtë e njeriut janë veç avull,
kotësi janë bijtë e çdonjërit;
vëri në peshore e do të shohësh
se janë më të lehtë se tymi.
11 Mos kini besim te dhuna,
mos e varni shpresën te grabitja,
edhe kur pasuritë t’ju shtohen,
zemrën mos ua kushtoni.
12 Një herë foli Perëndia,
dy herë unë e dëgjova,
se pushteti i përket Perëndisë;
13 mirësia është e jotja, o Zot,
ti e shpërblen njeriun sipas veprave të tij.