1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit, kur mori arratinë prej Saulit e u fsheh në shpellë.
2 Mëshiromë, o Perëndi, mëshiromë,
se te ti gjen strehë shpirti im,
nën hijen e krahëve të tu gjej strehë,
derisa të kalojë kërcënimi.
3 Do t’i thërras Perëndisë, të Tejlartit,
Perëndisë, që bën mirësi për mua.
4 Prej qiellit do ta dërgojë ndihmën
e do të më shpëtojë,
atë që më përndjek do ta turpërojë. selah
Perëndia do të dërgojë mirësinë
dhe besnikërinë e tij.
5 Shpirti im banon mes luanësh,
gati të përpijnë bijtë e njeriut.
Dhëmbët e tyre janë si heshta e shigjeta,
gjuha e tyre si shpata e mprehtë.
6 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,
le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!
7 U vunë lakun këmbëve të mia
e shpirti m’u drobit,
hapën një gropë para meje,
por ranë vetë brenda. selah
8 Zemra ime është e fortë, o Perëndi,
e fortë është zemra ime.
Do të këndoj e himne do të thur.
9 Zgjohu, o lavdia ime!
Zgjohu ti, o harpë dhe lirë,
se dua të zgjoj agimin.
10 Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot,
do të këndoj për ty mes kombeve.
11 Se mirësia jote lartohet deri në qiell,
besnikëria jote deri ndër re.
12 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,
lavdia jote mbuloftë tokën mbarë!