1 Këngë. Psalm i bijve të Korahut.
2 I madh është Zoti
e fort i lavdërueshëm
në qytetin e Perëndisë tonë,
në malin e tij të shenjtë.
3 Lartësi e bukur,
gëzimi i mbarë tokës
është mali i Sionit në skajin verior,
qyteti i mbretit të madh.
4 Në fortesat e tij Perëndia u bë i njohur
si streha e pamposhtur.
5 Ja, mbretërit janë mbledhur
e bashkë kanë marshuar.
6 Por panë e u hutuan,
të tmerruar mbrapsht u kthyen.
7 Aty i kapën drithërimat,
dhimbjet si ato të lindjes.
8 Me erën e lindjes
anijet e Tarshishit shkatërrove.
9 Siç kishim dëgjuar, ashtu po shohim
në qytetin e Zotit të ushtrive,
në qytetin e Perëndisë tonë,
që Perëndia e themeloi për amshim. selah
10 Mirësinë tënde përsiatim, o Perëndi,
brenda në tempullin tënd.
11 Përlëvdimi yt, o Perëndi, është si emri yt,
arrin deri në skajet e tokës;
e djathta jote është plot drejtësi.
12 Le të gëzojë mali i Sionit,
le të ngazëllojnë qytetet e Judës,
falë gjykimeve të tua.
13 Ejani përqark Sionit e bjerini përreth,
numërojini të gjitha kullat e tij.
14 Soditni muret e tij,
vështroni fortesat e tij,
që brezit të ardhshëm t’ia tregoni,
15 se ky është Perëndia, Perëndia ynë në amshim,
ai do të na prijë deri në vdekje.