1 Mjeshtrit të korit, këngë në melodinë e virgjëreshave. E bijve të Korahut.
2 Perëndia është streha dhe fuqia jonë,
ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë.
3 Prandaj s’do të trembemi po të lëkundet toka
e malet të tranden në zemër të detit.
4 Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë,
malet le të dridhen kur të fryhet deti. selah
5 Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë,
vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon.
6 Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet,
ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi.
7 Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën,
Zoti gjëmoi e toka u tret.
8 Me ne është Zoti i ushtrive,
streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah
9 Ejani e shihni veprat e Zotit,
ai urdhëroi mjerime mbi tokë.
10 Ai i pushon luftrat anekënd tokës,
ai i thyen harqet e copëton ushtat,
e qerret me zjarr i djeg.
11 Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi.
I lartë përmbi kombe,
i lartë përmbi tokë.
12 Me ne është Zoti i ushtrive,
streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah