1 Mjeshtrit të korit. Himn i bijve të Korahut.
2 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tanë,
etërit tanë na e kanë treguar,
veprën që bëre në ditët e tyre,
në ditët e kahershme.
3 Me dorën tënde kombe shfarose
e etërit tanë aty i mbolle,
vend atyre u bëre
e fatkeqësi popujve u solle.
4 Tokën nuk e morën me shpatën e tyre,
e s’ishte krahu i tyre që i shpëtoi,
por e djathta jote dhe krahu yt,
drita e fytyrës sate, se i kishe për zemër.
5 Ti, o Perëndi, je mbreti im,
ti e vendos shpëtimin e Jakobit.
6 Me ndihmën tënde i shpartalluam armiqtë,
me emrin tënd i shtypëm kundërshtarët tanë.
7 Shpresën nuk e vura te harku im
e shpëtimin nuk ma solli shpata ime.
8 Por, ishe ti që na shpëtove nga armiqtë,
ishe ti që i turpërove ata që na urrenin.
9 Me ty, o Perëndi, krenoheshim tërë ditën,
emrin tënd përlëvdonim përherë. selah
10 Por tani na ke hedhur poshtë e na ke turpëruar,
me ushtritë tona ti më nuk del.
11 Na bëre t’ia mbathim para armiqve tanë,
na kanë plaçkitur ata që na urrejnë.
12 Na ke dorëzuar si dele për t’u therur,
na ke shkapërdarë nëpër kombe.
13 E shite popullin tënd pa fitim
e nuk përfitove nga çmimi i tij.
14 Na bëre tallje për fqinjët tanë,
përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë.
15 Na bëre përrallë për kombet,
për ne popujt tundin kokën.
16 Poshtërimin e kam tërë ditën para syve
e turpi më ka mbuluar fytyrën,
17 prej zërit të atij që më përqesh e më shan,
prej armikut e hakmarrësit.
18 Të gjitha këto na kanë zënë,
por ne nuk të kemi harruar
e besëlidhjen tënde s’e kemi shkelur.
19 Zemra jonë nuk u kthye pas,
e hapat tanë nuk dolën nga udha jote,
20 edhe kur na shtype në strofullën e çakejve
e na mbulove me hije të errët.
21 Po ta kishim harruar emrin e Perëndisë tonë
e duart t’i kishin ngritur drejt një perëndie të huaj,
22 a s’do ta kishte marrë vesh këtë Perëndia,
ai që njeh të fshehtat e zemrës?
23 Për ty po na vrasin tërë ditën
e na trajtojnë si dele për t’u therur.
24 Zgjohu! Përse po fle, o Zot?
Ngrihu e mos na hidh poshtë përgjithmonë!
25 Përse e fsheh fytyrën tënde?
Përse e harron vuajtjen dhe shtypjen tonë?
26 Shpirti ynë ka rënë përdhe
e trupi ynë hiqet zvarrë përtokë.
27 Ngrihu të na ndihmosh
e shpengona për hir të mirësisë sate!