1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Lum ai që kujtohet për të varfrin,
në ditë fatkeqësie Zoti do ta shpëtojë.
3 Zoti do ta ruajë e do ta mbajë gjallë,
do ta bëjë të lum mbi tokë
e s’do ta lërë në duart e armiqve.
4 Zoti do ta ndihmojë kur të dergjet në shtrat,
në kohë sëmundjesh do t’ia lehtësojë dhimbjen.
5 E unë thashë: «Mëshiromë, o Zot!
Shëroje shpirtin tim, se kam mëkatuar ndaj teje».
6 Armiqtë e mi flasin keq për mua e thonë:
«Kur do të vdesë e t’i shuhet emri?».
7 Kur dikush vjen të më shohë, flet rrena
e në zemër mbledh paudhësi.
Mandej del jashtë e më përflet.
8 Të gjithë ata që më urrejnë
përshpëritin për mua me njëri-tjetrin
e ligësi kurdisin kundër meje:
9 «E ka zënë gjëma e tmerrshme,
ka zënë shtratin e më s’ngrihet».
10 Edhe miku im i ngushtë, tek i cili kisha besim
e që hante bukën time, u ngrit kundër meje.
11 Por ti, o Zot, mëshiromë,
ngrimë që t’ua shpaguaj.
12 Kështu do ta di se ti më do:
nëse armiku im nuk ngadhënjen mbi mua.
13 Ti më ke përkrahur në pafajësinë time
e më ke vënë përherë në praninë tënde.
14 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,
prej amshimit në amshim. Amen! Amen!