1 Psalm i Davidit. Si kujtesë.
2 Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3 Më janë ngulur shigjetat e tua,
dora jote më ka goditur.
4 Nuk ka më shëndet në trupin tim,
për shkak të zemërimit tënd,
nuk gjejnë më prehje kockat e mia,
për shkak të mëkatit tim.
5 Paudhësitë m’i kanë mbuluar kryet,
si barrë e rëndë peshojnë mbi mua.
6 Qelben e kalben plagët e mia,
për shkak të marrëzisë sime.
7 Jam kërrusur e gërmuqur krejt,
gjithë ditën endem e vajtoj.
8 Ijët më therin nga dhimbja,
nuk ka më shëndet në trupin tim.
9 Jam mekur e këputur krejt,
ulërij me zemër të pikëlluar.
10 O Zot, gjithë dëshirat e mia janë para teje
e nuk ta kam fshehur rënkimin tim.
11 Zemra më rreh fort, fuqia po më lë,
edhe drita e syve po më shuhet.
12 Miq e shokë stepen para krusmës sime,
të afërmit më qëndrojnë larg.
13 Ata që kërkojnë të ma marrin jetën
më kanë ngritur kurth,
ata që ma duan të keqen flasin për shfarosje,
gjithë ditën bluajnë dredhi.
14 E unë, si të isha shurdh, nuk dëgjoj,
si të isha memec, gojë nuk hap.
15 Jam bërë si i shurdhër,
që nuk nxjerr asnjë përgjigje nga goja.
16 Te ti kam shpresë, o Zot,
ti do të më përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.
17 E thashë: «Mos i lër të dëfrejnë me mua
e as të krenohen kundër meje, kur të më rrëshqasë këmba».
18 Gati u rrëzova,
e dhimbja s’më hiqet sysh.
19 E rrëfej paudhësinë time
dhe brengosem për mëkatin tim.
20 Por armiqtë e mi rrojnë e janë të fortë,
ata që më urrejnë pa shkak janë shumuar.
21 Ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqe
ngrihen kundër meje, se unë ndjek të mirën.
22 Mos më braktis, o Zot, Perëndia im,
mos më rri larg.
23 Nxito të më ndihmosh, o Zot, shpëtimtari im.