Psalmet 37

Psalm i Davidit.

Alef

Mos u zemëro nga keqbërësit,

ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.

Se ata do të thahen shpejt si bari,

do të vyshken si barishtja e njomë.

Bet

Beso në Zotin e bëj të mirën,

bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.

Gjeje kënaqësinë te Zoti

e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Gimel

Lëre udhën tënde në duart e Zotit,

ki besim tek ai e ai do të veprojë.

Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita,

të drejtën tënde porsi mesdita.

Dalet

Hesht para Zotit e prite me durim,

mos u zemëro me atë që i shkon mbarë,

me njeriun që thur dredhi.

He

Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit,

mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.

Se keqbërësit do të shfarosen,

por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën.

Vau

10 Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më.

Do të shohësh për nga vendi i tij

e nuk do të jetë më atje.

11 Skamnorët do të trashëgojnë tokën

e do të kënaqen me paqe të begatë.

Zain

12 I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit

e kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Por Zoti do të qeshë me të,

se e sheh që po i vjen dita.

Het

14 Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin,

për të plandosur të mjerin e nevojtarin,

për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.

15 Shpata do t’u hyjë në zemrën e vet,

harqet e tyre do të thyhen.

Tet

16 Më mirë ajo pak që ka i drejti,

sesa pasuria e shumë të paudhëve.

17 Krahët e të paudhëve do të thyhen,

ndërsa të drejtët i përkrah Zoti.

Jod

18 Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve,

trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.

19 Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie,

të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.

Kaf

20 Por të paudhët do të marrin fund,

armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës,

si tymi do të fashiten.

Lamed

21 I paudhi merr hua e nuk e kthen,

ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.

22 Të bekuarit do të trashëgojnë tokën,

të mallkuarit do të shfarosen.

Mem

23 Se Zoti i forcon hapat e njeriut,

kur i pëlqen udha e tij.

24 Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet,

se Zoti e mban për dore.

Nun

25 Kam qenë i ri e tashmë jam plakur

dhe s’e kam parë të drejtin të braktisur,

as pasardhësit e tij të lypin për bukë.

26 Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua,

pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.

Samek

27 Kthehu prej së keqes, bëj të mirën

dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

Ain

28 Se Zoti e do drejtësinë

dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë,

ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën

e në të do të banojnë përherë.

Pe

30 Goja e të drejtit ligjëron urti,

gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.

31 Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër,

hapat e tij nuk do të lëkunden.

Cade

32 I paudhi e përgjon të drejtin

dhe kërkon ta vrasë.

33 Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij

dhe, nëse e gjykojnë, s’do të lejojë ta dënojnë.

Kof

34 Prite Zotin e mbaj udhën e tij.

Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën,

dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.

Resh

35 E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm,

tek harlisej si pema tërë gjethe.

36 Por ja që u shua e më nuk është,

e kam kërkuar, por s’e kam gjetur dot.

Sin

37 Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin,

njeriut të paqes i përket e ardhmja.

38 Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen,

të paudhët nuk do të kenë të ardhme.

Tau

39 Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit,

ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.

40 Zoti i ndihmon e i çliron,

ai i çliron nga të paudhët e i shpëton,

se tek ai gjetën strehë.