1 Psalm i Davidit.
Kundërshtoji, o Zot, kundërshtarët e mi,
lufto kundër atyre që më luftojnë.
2 Rrok shqytin dhe mburojën
e ngrihu të më ndihmosh.
3 Vringëlloje shtizën dhe heshtën
kundër atyre që më përndjekin,
thuaji shpirtit tim:
«Unë jam shpëtimi yt».
4 U turpërofshin e u poshtërofshin
ata që kërkojnë të më marrin jetën,
u kthefshin pas të turpëruar
ata që kurdisin ligësi kundër meje.
5 U bëfshin si byku që e merr era,
i ndjektë pas engjëlli i Zotit.
6 U bëftë e errët dhe shkarëse udha e tyre,
kur t’u jetë vënë pas engjëlli i Zotit.
7 Se pa shkak më kanë ngritur kurth,
pa shkak ia kanë hapur gropën shpirtit tim.
8 U ardhtë papritur shkatërrimi,
rënçin në rrjetën që vetë e ngritën,
u plandosshin e u shkatërrofshin.
9 E shpirti im do të gëzojë me Zotin,
do të ngazëllejë për shpëtimin e tij.
10 Tërë kockat e mia do të thonë:
«Kush është si ti, o Zot?
Ti e shpëton të mjerin prej më të fortit,
të vobektin e skamnorin prej plaçkitësit».
11 Kundër meje dolën dëshmitarë të ligj,
më pyesin për gjëra që nuk i di.
12 Ma shpërblyen të mirën me të keqe,
shpirtin ma shkretuan.
13 E unë, kur ata dergjeshin të sëmurë,
me grathore u vesha,
veten me agjërim e mundova,
u luta me kokën përkulur mbi kraharort.
14 Shkoja e vija si shok e vëlla,
kërrusesha në zi si ai që vajton për të ëmën.
15 Por, kur u rrëzova unë,
gëzuan e bashkë u mblodhën.
U mblodhën kundër meje të poshtër papandehur,
pa pushim po më shqyejnë.
16 Me ngërdheshje tallëse e shpotitëseth
kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të rrish duke vështruar?
Çliroje shpirtin tim prej sulmeve të tyre,
jetën time të çmuar prej pjellës së luanëve.
18 Do të të falënderoj në kuvendin e madh,
mes popullit të shumtë do të të përlëvdoj.
19 Mos u gëzofshin për mua
ata që më kot janë armiqtë e mi,
ata që më urrejnë pa shkak
mos e shkelshin syrin.
20 Nuk flasin për paqe, por dredhi kurdisin
kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Hapin gojën kundër meje e thonë:
«Ah, ah, e pamë vetë me sytë tanë».
22 Por ti, o Zot, e ke parë vetë,
ndaj mos hesht e mos rri larg meje.
23 Zgjohu e ngrihu për të më bërë drejtësi,
O Zot, Perëndia im, mbroje çështjen time.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im,
e mos i lejo të gëzojnë për mua.
25 Të mos thonë në zemrat e tyre:
«Ah, sa na u gëzua shpirti!»,
apo: «E përpimë».
26 U turpërofshin e u poshtërofshin
të gjithë ata që gëzojnë me fatkeqësinë time,
turpi e poshtërimi i mbuloftë
ata që ngrihen kundër meje.
27 Ngazëllefshin e dëfrefshin
ata që duan drejtësinë time,
thënçin përherë: «U madhëroftë Zoti,
që paqen e shërbëtorit të tij dëshiron».
28 Gjuha ime do të shpallë drejtësinë tënde,
përlëvdimin tënd, tërë ditën.