Psalmet 34

Psalm i Davidit. Kur u shtir si i marrë para Abimelekut, i cili e dëboi dhe Davidi u largua.

Alef

E bekoj Zotin në çdo kohë,

lavdërimi i tij përherë në gojën time.

Bet

Në Zotin mburret shpirti im,

le të dëgjojnë skamnorët e le të gëzojnë.

Gimel

Madhërojeni Zotin bashkë me mua,

le ta lartësojmë së bashku emrin e tij.

Dalet

E kërkova Zotin e ai m’u përgjigj,

nga të gjitha tmerret më çliroi.

He

E panë e u ndriçuan,

fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Zain

Ja, ky skamnor thirri dhe Zoti e dëgjoi,

nga të gjitha fatkeqësitë e çliroi.

Het

Engjëlli i Zotit bën roje

rreth atyre që e druajnë dhe i shpëton.

Tet

Shijoni e shihni se i mirë është Zoti.

Lum ai njeri që gjen strehë tek ai!

Jod

10 Druajeni Zotin, o të shenjtët e tij,

se atyre që e druajnë, nuk u mungon asgjë.

Kaf

11 Luanët mbeten të pangopur e të uritur,

por atyre që kërkojnë Zotin,

nuk do t’u mungojë asnjë e mirë.

Lamed

12 Ejani, o bij, e dëgjomëni,

drojën e Zotit do t’ju mësoj.

Mem

13 Kush është ai njeri që e dëshiron jetën,

që dëshiron të shohë ditë të mira?

Nun

14 Ruaje, pra, gjuhën prej së keqes

e buzët prej fjalëve mashtruese.

Samek

15 Largohu nga e keqja e bëj të mirën,

kërko paqen e rend pas saj.

Ain

16 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët

veshët e tij e dëgjojnë klithmën e tyre.

Pe

17 Fytyra e Zotit u kundërvihet keqbërësve,

për ta fshirë prej dheut kujtimin e tyre.

Cade

18 Zoti i dëgjon ata që i përgjërohen,

prej të gjitha fatkeqësive i çliron.

Kof

19 Zoti është pranë zemërthyerve,

të dërrmuarit në shpirt i shpëton.

Resh

20 Të shumta janë mundimet e të drejtit,

por Zoti e çliron prej të gjithave.

Sin

21 Ai i ruan tërë kockat e tyre,

asnjë prej tyre nuk do të thyhet.

Tau

22 E keqja do ta vrasë të paudhin,

ata që urrejnë të drejtin do të ndëshkohen.

23 Zoti e shpengon shpirtin e shërbëtorëve të tij,

kush strehohet tek ai, nuk do të ndëshkohet.