1 Psalm i Davidit.
Ty të thërras, o Zot,
shkëmbi im, mos hesht ndaj meje.
Po heshte ndaj meje,
do të bëhem si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjoje zërin e përgjërimit tim,
kur të thërras për ndihmë,
kur duart i ngre drejt shenjtërores sate të shenjtë.
3 Mos më hiq zvarrë edhe mua si të paudhët,
si ata që të keqen bëjnë,
që për paqe flasin me të afërtit,
por në zemër bluajnë ligësi.
4 Shpërbleji sipas veprave të tyre,
sipas veprimeve të tyre të liga.
Shpërbleji sipas veprave të duarve të tyre,
jepu shpagimin që meritojnë,
5 se i shpërfillin veprat e Zotit
dhe punët e duarve të tij.
Ai i rrënoftë e më mos i ngrittë!
6 Bekuar qoftë Zoti,
se e dëgjoi zërin e përgjërimit tim!
7 Zoti është fuqia dhe mburoja ime,
në të shpreson zemra ime,
tek ai gjeta ndihmë.
Ndaj ngazëllen zemra ime,
me këngë e falënderoj.
8 Zoti është fuqia e popullit të tij,
strehë shpëtimi për të vajosurin e vet.
9 Shpëtoje popullin tënd,
bekoje trashëgimin tënd!
Ji bariu i tyre
e lartësoji deri në amshim!