1 Psalm i Davidit.
Alef
Te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim,
Bet
2 te ti kam besim, o Perëndia im.
Mos lejo të turpërohem,
armiqtë e mi mos ngazëllefshin mbi mua.
Gimel
3 Mos u turpërofshin
gjithë sa shpresojnë te ti,
por turpi mbuloftë
ata që më kot bëjnë paudhësi.
Dalet
4 O Zot, dëftemë udhët e tua,
shtigjet e tua m’i mëso.
He
5 Udhëhiqmë në të vërtetën tënde
e më mëso,
Vau
se ti je Perëndia i shpëtimit tim,
te ti shpresoj tërë ditën.
Zain
6 Kujto, o Zot, përdëllimet e tua
dhe mirësitë e tua,
se janë prej amshimit.
Het
7 Mëkatet e rinisë sime mos i kujto,
e as shkeljet e mia,
por kujtomë me dashamirësi,
për hir të mirësisë sate, o Zot.
Tet
8 I mirë e i drejtë është Zoti,
prandaj u tregon udhën mëkatarëve.
Jod
9 Të përulurve u prin në drejtësi,
të përulurve ua mëson udhët e tij.
Kaf
10 Tërë udhët e Zotit
janë mirësi e besnikëri
për ata që ruajnë besëlidhjen
dhe dëshmitë e tij.
Lamed
11 Për hir të emrit tënd, o Zot,
fale fajin tim,
se i rëndë është.
Mem
12 Kush është njeriu që druan Zotin?
Atij do t’i mësojë
cilën udhë të zgjedhë.
Nun
13 Shpirti i tij do të jetojë mes të mirash,
pasardhësit e tij do të trashëgojnë dheun.
Samek
14 Zoti i këshillon ata që e druajnë,
ua bën të ditur besëlidhjen e tij.
Ain
15 Sytë i kam përherë drejt Zotit,
ai do të m’i çlirojë këmbët prej lakut.
Pe
16 Kthehu nga unë e mëshiromë,
se i vetmuar jam e i mjerë.
Cade
17 Hidhërimet e zemrës më janë shtuar,
nga fatkeqësitë e mia çliromë.
Kof
18 Shih vuajtjen dhe mundimin tim
e m’i fal të gjitha mëkatet.
Resh
19 Këqyri armiqtë e mi!
Sa shumë janë shtuar,
plot tërbim e mëri më urrejnë.
Sin
20 Ruaje shpirtin tim e më shpëto,
mos u turpërofsha, se te ti kërkova strehë.
Tau
21 Ndershmëria e drejtësia më mbrojtshin,
se te ti e kam varur shpresën.
22 Çliroje Izraelin, o Perëndi,
prej të gjitha pikëllimeve.