1 Psalm i Davidit.
E Zotit është toka
dhe gjithçka gjendet në të,
bota me gjithë banorët e saj.
2 Themelet e saj mbi dete i vuri,
mbi lumenj e ngriti.
3 Kush do të ngjitet në malin e Zotit?
Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që ka duar të pafajshme
e zemër të pastër,
që nuk jepet me shpirt pas kotësive
e nuk bën betim të rremë.
5 Ai do të marrë bekim prej Zotit,
drejtësi prej Perëndisë, shpëtimtarit të tij.
6 E tillë është breznia e atyre që e kërkojnë,
që kërkojnë fytyrën e Perëndisë së Jakobit. selah
7 Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
8 Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Është Zoti i fortë e i fuqishëm,
është Zoti i fuqishëm në betejë!
9 Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
10 Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Zoti i ushtrive, ai është mbreti i Lavdisë! selah