1 Mjeshtrit të korit. Himn që Davidi, shërbëtori i Zotit, i drejtoi Zotit ditën që Zoti e shpëtoi nga dora e armiqve dhe nga dora e Saulit. 2 Davidi tha këto fjalë:
Të dua, o Zot, fuqia ime.
3 Zoti është shkëmbi im,
fortesa ime dhe çliruesi im,
është Perëndia im,
është shkrepi ku gjej strehë.
Zoti është mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim,
ai është kështjella ime.
4 Lavdi pastë Zoti!
I thirra e nga armiqtë shpëtova.
5 Litarët e vdekjes më mbërthyen,
përrenj shkatërrimio më tmerruan.
6 Leqet e skëterrës më rrethuan,
më zunë pritë grackat e vdekjes.
7 Kur u gjenda ngushtë, i thirra Zotit,
i klitha për ndihmë Perëndisë tim.
Nga tempulli i tij e dëgjoi zërin tim,
klithma ime arriti te veshët e tij.
8 Ndaj toka u drodh e u trand,
themelet e maleve u shkundën e luajtën vendit,
prej zjarrit të zemërimit të tij.
9 Tym doli nga flegrat e hundës së tij
e nga goja e tij zjarr shkrumbues.
Thëngjij përvëlues prej tij flakëruan.
10 Qiejt i uli dhe zbriti poshtë,
me një re të errët nën këmbë.
11 Hipur mbi një kerub fluturoi,
flatroi mbi krahët e erës.
12 Errësirën e hodhi rreth vetes si rrobë,
tendë iu bënë retë e dendura si ujërat e errëta.
13 Prej shkëlqimit të tij dilnin
re, breshër e prush i zjarrtë.
14 Zoti bëri të gjëmojnë qiejt,
i Tejlarti bëri t’i dëgjohet zëri,
breshër e thëngjij zjarri.
15 Shigjetat e tij dërgoi e i shpërndau,
me rrufe i gjuajti e i shpartalloi.
16 Burimet e ujërave u dukën,
themelet e tokës u zbuluan,
prej qortimit tënd, o Zot,
prej shfryrjes së flegrave të tua.
17 Dorën shtriu nga lart e më kapi,
më nxori prej ujërave të shumtë.
18 Më shpëtoi nga armiq të fuqishëm,
nga ata që më urrenin,
që ishin më të fortë se unë.
19 M’u vërsulën ditën e fatkeqësisë sime,
por Zoti u bë përkrahësi im.
20 Më nxori në vend të hapur,
më shpëtoi se më kishte për zemër.
21 Kështu bëri Zoti me mua,
se jam i drejtë,
kështu më shpërbleu,
se të pastra duart i kam.
22 Udhët e Zotit kam ndjekur
e nuk jam larguar nga Perëndia im me ligësi.
23 Gjithë vendimet e tij i mbaj parasysh,
nga rregullat e tij nuk shmangem.
24 Kam qenë i ndershëm me të
dhe veten nga paudhësia e kam ruajtur.
25 Zoti më shpërbleu, se jam i drejtë,
se e pa që duart i kam të pastra.
26 Njeriut besnik ti i qëndron besnik,
me të ndershmin i ndershëm tregohesh.
27 Me njeriun e pastër tregohesh i pastër,
por me të mbrapshtin tregohesh dinak.
28 Popullin e përvuajtur e shpëton,
por sytë e krenarëve i ul poshtë.
29 O Zot, ti i jep dritë llambës sime,
Perëndia im ma ndriçon errësirën.
30 Me ty do t’i sulmoj çetat plaçkitëse,
me Perëndinë tim do t’i kapërcej muret.
31 Udha e Perëndisë është e përsosur,
fjala e Zotit e sprovuar në zjarr,
ai është mburojë i të gjithë atyre
që kërkojnë strehë tek ai.
32 Kush tjetër është Perëndi veç Zotit?
Kush tjetër është shkëmb veç Perëndisë tonë?
33 Perëndia që më dha forcë
e ma bëri udhën të përsosur.
34 Këmbët m’i bëri të shpejta si të drerit,
në vende të larta më vuri të qëndroj.
35 Duart m’i mësoi për betejë,
që krahët e mi të ndejnë hark bronzi.
36 Më dhe mburojën e shpëtimit tënd,
e djathta jote m’u bë krah,
mirësia jote më madhëroi.
37 E shtrove udhën para hapave të mi
e këmbët nuk më rrëshqitën.
38 I ndoqa pas armiqtë e i zura,
nuk do të kthehem pa i shkatërruar.
39 I qëllova e më nuk ngrihen,
ranë para këmbëve të mia.
40 Më dhe forcë për të luftuar
e ata që m’u ngritën kundër
nën këmbë m’i përkule.
41 I bëre armiqtë e mi të më kthejnë kurrizin,
ata që më urrenin i zhbiva.
42 Klithën me të madhe,
por s’kishte kush t’i shpëtonte,
i thirrën edhe Zotit,
por nuk iu përgjigj.
43 I thërrmova si pluhurin që e merr era,
i flaka jashtë si baltën e rrugës.
44 Më çlirove nga grindjet e popullit,
në krye të kombeve më vure,
një popull që nuk më njihte më shërbeu.
45 Me të dëgjuar për mua u bindën,
bijtë e të huajve u përkulën para meje.
46 U zbehën, u drodhën,
e nga fortesat e tyre dolën.
47 Zoti është i gjallë!
Bekuar qoftë shkëmbi im!
Perëndia i shpëtimit tim u madhëroftë!
48 Ai merr shpagim për mua,
popujt nën këmbë m’i nënshtron
49 dhe nga armiqtë e mi më çliron.
Ti më ngre mbi kundërshtarët e mi,
prej njeriut të dhunshëm më shpëton.
50 Ndaj të përlëvdoj mes kombeve, o Zot,
dhe emrin tënd përhimnoj.
51 Zoti ia shton fitoret mbretit të tij,
tregon mirësi përjetë ndaj të vajosurit të vet,
Davidit e gjithë pasardhësve të tij.