1 Lutje e Davidit.
Dëgjo, o Zot, çështjen e drejtë!
Vëri re klithmës sime,
dëgjoje lutjen time,
që nuk del nga buzë dredharake.
2 Prej teje gjetsha drejtësi,
sytë e tu dallofshin të drejtën.
3 Shqyrtoje zemrën time natën,
vëmë në provë, por gjë s’do të gjesh.
Kam menduar gjëra në mendjen time,
por goja ime nuk ka nxjerrë ligësi.
4 Sa për veprat e njerëzve,
përmes fjalëve të buzëve të tua
e kam ruajtur veten nga udhët e dhunës.
5 Hapat e mi kanë qëndruar në shtigjet e tua,
këmbët e mia nuk janë dridhur.
6 Ty po të thërras,
përgjigjmu, o Perëndi!
Ktheje veshin nga unë
e dëgjoji fjalët e mia!
7 Tregomë mirësinë tënde madhështore,
ti që prej kundërshtarëve shpëton
ata që tek e djathta jote shpresojnë.
8 Ruajmë si beben e syrit,
mbulomë nën hijen e krahëve të tu,
9 larg të paudhëve që më përndjekin,
armiqve gjakatarë që më kanë rrethuar.
10 Janë trashur nga dhjami,
goja e tyre flet tërë mburrje.
11 Më gjurmuan e më kanë rrethuar,
m’i kanë ngulur sytë për të më hedhur përtokë.
12 Janë si luani, të etur për të gjuajtur,
si këlyshi i luanit, që fshihet e zë pusi.
13 Ngrihu, o Zot, dili përpara, mposhte,
shpëtoma jetën prej të paudhit me shpatën tënde.
14 Shpëtomë prej vdekatarëve,
me dorën tënde, o Zot,
prej vdekatarëve të kësaj bote.
Mbushua barkun me çfarë ke ruajtur për ta,
që bijtë e tyre të ngopen
e t’u lënë me tepri fëmijëve të tyre.
15 E unë, falë drejtësisë sate, do të shoh fytyrën tënde,
do të zgjohem e do të kënaqem me praninë tënde.