1 Himn i Davidit. Lutje që bëri kur ishte në shpellë.
2 Me zërin tim i thërras Zotit,
me zërin tim i përgjërohem Zotit.
3 Para tij do ta nxjerr rënkimin tim,
hidhërimin tim para tij do ta rrëfej.
4 Kur më meket shpirti,
ti e njeh mirë udhën time.
Udhës ku po kaloj,
më kanë ngritur kurth.
5 Hedh sytë djathtas e vështroj,
nuk ka asnjë të njohur,
nuk ka asnjë strehim për mua,
askush nuk kujdeset për jetën time.
6 Atëherë të thirra ty, o Zot, e thashë:
«Ti je strehimi im,
ti je trashëgimia ime në tokën e të gjallëve».
7 Dëgjoje mirë kujën time,
se shumë jam poshtëruar,
shpëtomë prej atyre që më përndjekin,
se janë më të fortë se unë.
8 Nxirrmë prej burgut,
që ta përlëvdoj emrin tënd.
Të drejtët do të mblidhen rreth meje,
se ti do të më mbushësh me të mira.