1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
O Zot, ti më ke shqyrtuar e më njeh.
2 Ti e di kur ulem e kur ngrihem,
mendimet nga larg m’i kupton.
3 Më vëzhgon kur eci e kur pushoj,
gjithë udhët e mia mirë i njeh.
4 Pa folur goja ime,
ti, o Zot, di çdo gjë.
5 Para meje e mbrapa meje je ti,
dora jote qëndron mbi mua.
6 Mahnitëse është dija jote për mua,
tepër e lartë e unë s’e arrij.
7 Ku të shkoj larg shpirtit tënd?
Ku të iki larg pranisë tënde?
8 Po të ngjitem në qiell, atje je ti,
po të dergjem në skëterrë, ti je aty.
9 Po të merrja krahët e mëngjesit
e përtej detit të shkoja,
10 edhe atje do të më udhëhiqte dora jote,
do të më mbante e djathta jote.
11 Edhe po të thosha: «Më mbuloftë errësira
e drita përreth meje u errësoftë»,
12 errësira për ty nuk është errësirë
e nata ndriçon si dita;
për ty errësira dhe drita janë njëlloj.
13 Ti e krijove brendinër time,
më ende që në bark të nënës.
14 Të lavdëroj se mrekullisht më krijove,
të mahnitshme janë veprat e tua,
mirë e di shpirti im.
15 Kockat e mia nuk ishin të fshehta për ty,
kur krijohesha në fshehtësi,
kur merrja trajtë në thellësitë e tokës.
16 Kur isha pa trajtë, më panë sytë e tu.
Të gjitha ditët që caktove, në librin tënd ishin shkruar,
pa u krijuar asnjë prej tyre.
17 Sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!
Sa i madh është numri i tyre!
18 Po t’i numëroj, janë më shumë se rëra.
Zgjohem e jam ende me ty.
19 Sikur t’i zhbije të paudhët, o Perëndi!
Shporruni prej meje, o njerëz gjakatarë.
20 Ata flasin kundër teje me dredhi,
më kot ngrihen armiqtë e turr.
21 Si të mos i urrej ata që të urrejnë, o Zot,
si të mos i përbuz kundërshtarët e tu?
22 Ndiej vetëm urrejtje për ta,
i kam bërë armiq.
23 Shqyrtomë, o Perëndi, dhe njihe zemrën time,
vëmë në provë dhe njihi brengat e mia.
24 Shiko në shkoj udhës së ligë
dhe në udhën e përjetësisë më pri.