1 Këngë shtegtimesh. Psalm i Davidit.
U gëzova kur më thanë:
«Të shkojmë në shtëpinë e Zotit!».
2 Dhe, ja, këmbët tona u ndalën te portat e tua,
o Jerusalem!
3 Jerusalemi, ndërtuar si një qytet,
i bashkuar e i mbledhur tok.
4 Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas dëshmisë dhënë Izraelit,
për të përlëvduar emrin e Zotit.
5 Atje janë vënë fronet e gjykimit,
fronet e shtëpisë së Davidit.
6 Lutuni për paqen e Jerusalemit:
«Qofshin të begatë ata që të duan!
7 Pastë paqe brenda mureve të tua,
qetësi në fortesat e tua!».
8 Për hir të vëllezërve e të miqve të mi,
teksa do të them: «Paqja qoftë me ty!».
9 Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë,
do të kërkoj të mirën tënde.