Psalmet 116

E dua Zotin,

se ai e dëgjon zërin e përgjërimit tim.

Veshin drejt meje ai e ul,

prandaj do ta thërras çdo ditë.

Më kishin rrethuar litarët e vdekjes,

më kishin zënë tmerret e skëterrës,

fatkeqësia e dhimbja më kishin plandosur.

Atëherë thirra emrin e Zotit:

«O Zot, shpëtoje shpirtin tim!».

I mëshirshëm është Zoti dhe i drejtë,

Perëndia ynë është përdëllyes.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë;

poshtë kisha rënë e më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde,

se Zoti është treguar i mirë me ty.

Ti ma shpëtove jetën nga vdekja,

sytë nga lotët e këmbën nga rrëshqitja.

Do të eci në praninë e Zotit,

në tokën e të gjallëve.

10 Besoj, edhe kur them:

«Jam shumë i pikëlluar!».

11 Në pështjellimin tim thashë:

«Mashtrues është çdo njeri!».

12 Si do t’ia shpërblej Zotit

gjithë të mirat që më bëri?

13 Kupën e shpëtimit do të ngre

dhe emrin e Zotit do të thërras.

14 Premtimet që i bëra Zotit do t’i përmbush

para gjithë popullit të tij.

15 E çmuar është në sytë e Zotit

vdekja e besnikëve të tij.

16 Unë, o Zot, jam shërbëtori yt,

shërbëtori yt e biri i shërbëtores sate,

vargonjtë e mi ti i këpute.

17 Ty do të të kushtoj fli falënderimi

dhe emrin e Zotit do të thërras.

18 Premtimet që i bëra Zotit do t’i përmbush

para gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit,

në mesin tënd, o Jerusalem!

Aleluja!