Psalmet 115

Jo neve, o Zot, jo neve,

por emrit tënd jepi lavdi,

për hir të mirësisë sate,

për hir të besnikërisë sate.

Përse të thonë kombet:

«Ku është Perëndia i tyre?».

Perëndia ynë është në qiell

e bën gjithçka dëshiron.

Idhujt e tyre janë argjend e ar,

vepra të duarve të njeriut.

Kanë gojë e nuk flasin,

sy e nuk shohin,

veshë e nuk dëgjojnë,

hundë e nuk nuhasin,

duar e nuk prekin,

këmbë e nuk ecin,

prej fytit zë nuk nxjerrin.

Ashtu qofshin edhe ata që i bëjnë,

të gjithë sa në to besojnë.

Beso në Zotin, o Izrael!

Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.

10 Beso në Zotin, o shtëpi e Aronit!

Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.

11 Besoni në Zotin, o ju që Zotin druani!

Ai është ndihma dhe mburoja e tyre.

12 Zoti u kujtua për ne

e do të na bekojë.

Do ta bekojë shtëpinë e Izraelit,

do ta bekojë shtëpinë e Aronit.

13 Do të bekojë ata që Zotin druajnë,

të vegjël e të mëdhenj.

14 Zoti ju shtoftë,

ju dhe bijtë tuaj!

15 Qofshi të bekuar prej Zotit,

që bëri qiellin e tokën.

16 Qiejt janë qiejt e Zotit,

tokën ua ka dhënë bijve të njeriut.

17 Zotin nuk do ta lavdërojnë të vdekurit,

as ata që zbresin në vendin e heshtjes,

18 por Zotin do ta bekojmë ne,

që tani e deri në amshim!

Aleluja!