1 Këngë. Psalm i Davidit.
2 Zemra ime është e fortë, o Perëndi.
Do të këndoj e do të thur himne
me gjithë shpirtin tim.
3 Zgjohu, ti o harpë dhe lirë,
se dua të zgjoj agimin.
4 Do të të përlëvdoj mes popujve, o Zot,
do të këndoj për ty mes kombeve.
5 Se mirësia jote lartohet deri në qiej,
e besnikëria jote deri ndër retë.
6 Lartësohu përmbi qiejt, o Perëndi,
le të shndritë lavdia jote mbi tokën mbarë!
7 Shpëtona me të djathtën tënde e dëgjona,
që ta fitojnë lirinë ata që të duan.
8 Perëndia foli në shenjtëroren e tij:
«Do të ngadhënjej e do ta ndaj Shekemin,
luginën e Sukotit do ta mat.
9 Imi është Gileadi, imi Manaseu,
Efraimi është përkrenarja ime, Juda skeptri im,
10 Moabi legeni ku lahem,
në Edom i hedh sandalet,
mbi Filistinë do të brohoras».
11 Kush do të më çojë deri në fortesë?
Kush do të më prijë deri në Edom?
12 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke hedhur poshtë,
ti, që me ushtritë tona nuk marshon më?
13 Dërgona ndihmën tënde kundër armikut,
se ndihma e njeriut është e kotë.
14 Me Perëndinë do të bëhemi të fortë,
ai do t’i shtypë armiqtë tanë.