1 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2 Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit,
ata që prej dorës së armikut i shpengoi
3 e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja,
prej lindjes e prej perëndimit,
prej veriut e prej anës së detit.
4 Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë,
pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar.
5 Kishin uri, kishin etje,
po u këputej shpirti.
6 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
7 U priu në një udhë të drejtë,
që në një qytet të banuar të shkonin.
8 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
9 Se ai e ngiu shpirtin e të eturit,
me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit.
10 Banonin në errësirë e në terr,
të robëruar në mjerim e në pranga.
11 Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë,
kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit.
12 Prandaj ua përuli zemrën me mundime,
u rrëzuan e s’kish kush t’i ndihmonte.
13 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
14 Prej errësirës e prej territ i nxori,
vargonjtë e tyre i këputi.
15 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
16 Ai i copëtoi portat prej bronzi,
shulat prej hekuri i theu.
17 Ishin marrosur prej jetës së shthurur,
ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre.
18 Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi,
kishin mbërritur te portat e vdekjes.
19 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
20 Fjalën e vet dërgoi e i shëroi,
prej gropës së varrit i shpëtoi.
21 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
22 Le t’i kushtojnë fli falënderimi,
le të shpallin veprat e tij me ngazëllim.
23 Ata që lundrojnë në det me anije,
që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti,
24 ata i kanë parë veprat e Zotit
dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi.
25 Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme,
dallgët e detit lart u ngritën.
26 Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë,
shpirti u këputet prej rrezikut.
27 Lëkunden e dridhen si të dehur,
tërë mjeshtëria u është sosur.
28 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i nxori prej mjerimeve.
29 Stuhinë e bëri bunacë,
u qetësuan valët e detit.
30 Prej qetësimit të valëve u gëzuan,
në limanin e dëshiruar ai u priu.
31 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
32 Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit,
le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve.
33 Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë,
burimet e ujërave në vend të thatë.
34 Tokën pjellore e ktheu në kripore,
për shkak të ligësisë së banorëve të saj.
35 Shkretëtirën e shndërroi në liqen,
tokën e thatë në burime ujërash.
36 Atje i strehoi të uriturit,
atje ngritën qytete për të banuar.
37 Mbollën ara, mbëltuan vreshta,
që dhanë prodhim të mbarë.
38 I bekoi e fort u shumuan,
bagëtinë nuk ua pakësoi.
39 Por mandej u mpakën e u poshtëruan
prej mundimit të mjerimit e dhimbjes.
40 Përçmim hodhi mbi prijësit,
i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
41 Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi,
familjet ua shtoi porsi bagëtitë.
42 Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë,
çdo paudhësi gojën do të mbyllë.
43 Kush është i urtë le t’i ruajë këto
e mirësinë e Zotit le ta kuptojë.