Psalmet 106

Aleluja!

Përlëvdoni Zotin se është i mirë,

se mirësia e tij mbetet përjetë.

Kush mund t’i kumtojë bëmat e Zotit,

t’u japë jehonë tërë lavdërimeve të tij?

Lum ata që zbatojnë të drejtën,

që veprojnë me drejtësi në çdo kohë.

Kujtomë, o Zot, sipas mirëdashjes

që tregon ndaj popullit tënd,

eja tek unë me shpëtimin tënd,

që të shoh të mirat e të zgjedhurve të tu,

që të gëzoj edhe unë bashkë me kombin tënd,

e të krenohem me trashëgiminë tënde.

Kemi mëkatuar ashtu si etërit tanë,

kemi kryer paudhësi, të keqen kemi bërë.

Etërit tanë në Egjipt mrekullitë e tua nuk i kuptuan,

mirësitë e tua të shumta nuk i kujtuan,

krye ngritën pranë detit, pranë detit të Kuq.

Por Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij,

për të bërë të njohur fuqinë e tij.

E kërcënoi detin e Kuq e ai u ter,

përmes thellësisë u priu si nëpër shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente,

i shpengoi prej dorës së armikut.

11 Ujërat i mbuluan kundërshtarët,

asnjë prej tyre nuk shpëtoi.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij

dhe lavdërime atij i kënduan.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij

e më nuk pritën për shestimin e tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë,

Perëndinë e tunduan në vend të shkretë.

15 Kërkesën atyre ua plotësoi,

por u dërgoi edhe sëmundje vdekjeprurëse.

16 Smirë e patën Moisiun në fushim

dhe Aronin, të shenjtin e Zotit.

17 U hap toka dhe Datanin e përpiu,

turmën e Abiramit e groposi.

18 Zjarri e përpiu grumbullin e tyre,

flaka i dogji të paudhët.

19 Një viç punuan në Horeb,

një idhull të metaltë adhuruan.

20 Në vend të atij, që ishte lavdia e tyre, vunë

shëmbëllimin e një kau, që ushqehet me bar.

21 Perëndinë, shpëtimtarin e tyre, e harruan,

atë që në Egjipt vepra madhështore bëri,

22 mrekulli në tokën e Kamit,

gjëra të tmerrshme në detin e Kuq.

23 Mendoi, atëherë, t’i shfaroste,

por Moisiu, i zgjedhuri i tij,

mes çarjes, para tij qëndroi,

që zemërimin e tij ta përmbante

e të mos i shkatërronte.

24 Tokën e dëshiruar e përbuzën,

fjalës së tij nuk i besuan.

25 Nëpër tendat e tyre murmuritën,

zërin e Zotit nuk e dëgjonin.

26 Atëherë ngriti dorën e kundër tyre u betua,

që mu në shkretëtirë t’i plandoste,

27 që pasardhësit e tyre ndër kombe t’i degdiste,

nëpër vende të huaja t’i hapërdante.

28 I ishin kushtuar Baalpeorit,

kishin ngrënë flitë e të vdekurve.

29 Me veprimet e tyre ia ndezën zemërimin,

prandaj mes tyre shpërtheu gjëma.

30 U ngrit Finehasi dhe bëri drejtësi,

e atëherë gjëma u ndal.

31 Kjo iu numërua për drejtësi,

brez pas brezi, në amshim.

32 E zemëruan sërish tek ujërat e Meribës,

për shkak të tyre e pësoi edhe Moisiu.

33 Ia hidhëruan shpirtin,

ndaj foli pa mend me buzët e veta.

34 Ata nuk i shfarosën popujt,

sikurse u kishte urdhëruar Zoti.

35 Por u përzien mes kombeve,

veprat e tyre mësuan.

36 Idhujve të tyre u shërbyen,

që kurth për ta u bënë.

37 Djemtë e vajzat e veta,

djajve ua flijuan.

38 Derdhën gjak të pafajshëm,

gjakun e bijve dhe të bijave.

Ua flijuan idhujve të Kanaanit,

me gjakun e tyre toka u njollos.

39 U përlyen me veprat që bënë,

kryen tradhti me veprimet e tyre.

40 Flakë u ndez zemërimi i Zotit

kundër popullit të vet,

ndot i erdhi nga trashëgimia e tij.

41 Në duart e kombeve i lëshoi,

i sunduan ata që i urrenin.

42 Prej armiqve u shtypën,

nën zgjedhën e tyre u poshtëruan.

43 Herë pas here i çlironte,

por me synimet e tyre krye ngrinin

e thellë në paudhësi fundoseshin.

44 Ai e pa sërish mundimin e tyre

dhe përgjërimin e tyre e dëgjoi.

45 I ra ndër mend besëlidhja me ta,

prej mirësisë së tij të madhe u zbut.

46 I bëri të gjenin mëshirë

prej gjithë atyre që i kishin robëruar.

47 Shpëtona, o Zot, Perëndia ynë,

prej kombeve ku gjendemi bashkona,

që të lavdërojmë emrin tënd të shenjtë,

që të krenohemi me lavdinë tënde.

48 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit,

nga mot e përgjithmonë!

Mbarë populli le të thotë: «Amen!».

Aleluja!