Kuvendari 7

Më mirë një emër i mirë, se vaji erëkëndshëm,

dita e vdekjes, se dita e lindjes.

Më mirë të shkosh në shtëpinë që mban zi,

se në shtëpinë që bën festë,

se po ai fund pret çdo njeri.

Ta mbajë mend i gjalli!

Më i mirë është pikëllimi, se buzagazi,

se pas një fytyre të ngrysur ka një zemër të mirë.

Zemra e të urtit është në shtëpinë që mban zi,

por zemra e të marrit, në shtëpinë që bën festë.

Më mirë të dëgjosh qortimin e të urtit,

se të dëgjosh këngën e të marrit.

Se porsi krikëllima e ferrave nën kusi,

ashtu është e qeshura e të marrit.

Edhe kjo është tymnajë.

Mujshia e bën të marrë të urtin

dhe mita e prish zemrën.

Më mirë fundi i një gjëje, se fillimi,

më mirë shpirti i durueshëm, se shpirti i krekosur.

Mos u ngut të zemërohesh,

se në gjirin e të marrit zë vend zemërimi.

10 Mos thuaj: «Pse kohët e dikurshme

ishin më të mira se këto?»,

se këtë pyetje nuk e bën nga urtia.

11 E mirë është urtia bashkë me trashëgiminë,

dobi për atë që sheh dritën e diellit.

12 Nën hijen e urtisë është si nën hijen e parasë,

por dobinë e ka dija.

Urtia e mban gjallë të zotin.

13 Shiko veprën e Perëndisë:

kush mund të drejtojë

çfarë ka shtrembëruar ai?

14 Në ditë të mbarë bëhu i mbarë dhe, në ditë të ligë, vërej: edhe këtë, edhe atë i ka bërë Perëndia, që njeriu të mos e marrë vesh çdo të ndodhë pas tij.

15 Kam parë gjithçka në ditët e tymnajës sime. Ka të drejtë që marrin fund në drejtësinë e vet e ka të paudhë që jetojnë gjatë në paudhësinë e vet. 16 Mos u bëj shumë i drejtë e as tepër i urtë. Pse të rrënohesh? 17 Mos u bëj shumë i paudhë e mos u bëj i marrë. Pse të vdesësh para kohe? 18 Është mirë të kapësh një gjë, por pa e lëshuar tjetrën, se kush druan Perëndinë ia del me të gjitha.

19 Urtia i jep forcë të urtit më shumë se dhjetë sundues në qytet. 20 Nuk ka mbi tokë asnjeri që bën mirë e nuk mëkaton. 21 Mos ua vër mendjen as të gjitha fjalëve që thonë, që të mos e dëgjosh shërbëtorin duke të të sharë. 22 Zemra jote e di se edhe ti i ke sharë të tjerët.

23 Të gjitha këto i sprovova me urti e thashë: «Do të bëhem i urtë», por nuk ia arrita. 24 Çfarë ndodh, mbetet larg e shumë thellë! Kush mund ta pikasë? 25 E prira zemrën për të marrë vesh, për të hulumtuar, për të kërkuar urtinë e shpjegimin dhe për të marrë vesh se ligësia është marrëzi e marrëzia është çmenduri. 26 Më duket se gruaja është më e hidhur se vdekja, se ajo është kurth, zemra e saj është rrjetë e krahët e saj janë pranga.b Kush i pëlqen Perëndisë, ikën prej saj, por mëkatari zihet prej saj. 27 Shiko, këtë gjë e kam zbuluar, thotë kuvendari, për të gjetur një shpjegim të hollësishëm. 28 Ajo që ende e kërkoj me shpirt, por nuk e gjej, është kjo: një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua ndër të gjitha nuk e gjeta. 29 Veçse, vëreje këtë: më duket se Perëndia e krijoi njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë sendërgjime.


 b7.26 ose: Gruaja që është kurth, zemra e së cilës është rrjetë dhe krahët e së cilës janë pranga, është më e hidhur se vdekja