Ka një kohë për çdo gjë
1 Për gjithçka ka një stinë,
ka një kohë për çdo gjë nën qiell:
2 një kohë për të lindur
e një kohë për të vdekur,
një kohë për të mbjellë
e një kohë për të shkulur të mbjellat,
3 një kohë për të vrarë
e një kohë për të shëruar,
një kohë për të shembur
e një kohë për të ndërtuar,
4 një kohë për të qarë
e një kohë për të qeshur,
një kohë për të vajtuar
e një kohë për të vallëzuar,
5 një kohë për të hedhur gurë
e një kohë për të mbledhur gurë,
një kohë për t’u përqafuar
e një kohë për të mos u përqafuar,
6 një kohë për të kërkuar
e një kohë për të humbur,
një kohë për të mbajtur
e një kohë për të lëshuar,
7 një kohë për të grisur
e një kohë për të qepur,
një kohë për të heshtur
e një kohë për të folur,
8 një kohë për të dashur
e një kohë për të urryer,
një kohë për luftë
e një kohë për paqe.
9 Ç’dobi ka punëtori nga mundi i vet? 10 Kam vërejtur detyrën që u ka dhënë Perëndia njerëzve, për ta kryer me mund. 11 Ai ka bërë bukur gjithçka në kohën e vet. U ka vënë në zemër edhe përjetësinë, megjithëse njerëzit nuk e pikasin dot veprën që Perëndia e ka kryer nga fillimi në fund. 12 E kam marrë vesh se për ta nuk ka më mirë sesa të dëfrehen e ta shijojnë jetën. 13 Për më tepër, Perëndia i ka bërë dhuratë çdo njeriu të hajë, të pijë e ta shijojë tërë mundin e vet. 14 E di se gjithçka bën Perëndia, mbetet përgjithmonë. Nuk i duhet shtuar asgjë e nuk i duhet hequr asgjë. Perëndia ka vepruar, që njerëzit të shohin e t’ia kenë frikën. 15 Ç’është tani, ka qenë tashmë. Ç’ka për të qenë, është që tani. Çfarë ka kaluar e shqyrton Perëndia.
16 Përsëri pashë nën diell se në vend të së drejtës ka paudhësi dhe në vend të drejtësisë ka paudhësi. 17 Atëherë thashë në zemrën time: «Perëndia gjykon të drejtin e të paudhin, se ka një kohë për çdo gjë e për çdo veprim». 18 Unë thashë në zemrën time: «Sa për njerëzit, Perëndia i vë në provë, që ta shohin se, në vetvete, ata janë kafshë». 19 Se fati i njerëzve e fati i kafshëve është i njëjtë: siç vdesin këta, vdesin edhe ata. Të gjithë kanë të njëjtën frymë dhe njerëzit nuk kanë asnjë epërsi ndaj kafshëve, se gjithçka është tymnajë. 20 Gjithçka shkon në të njëjtin vend. Gjithçka vjen nga pluhuri e në pluhur kthehet gjithçka. 21 Kush e di në ngjitet lart shpirti i njerëzve e në zbret nën tokë shpirti i kafshëve? 22 Kështu, vërejta se për njeriun nuk ka më mirë sesa të dëfrehet me mundin e vet, se kjo i takon. Kush vallë e bën të shohë se çfarë do të ndodhë pas tij?