1 Kujtohu për krijuesin tënd
në ditët e rinisë sate,
ende pa ardhur ditët e liga,
vitet për të cilat do të thuash:
«Nuk më japin asnjë kënaqësi!»,
2 pa u errur dielli, drita, hëna e yjet,
pa u kthyer retë pas shiut,
3 kur të dridhen rojat e shtëpisë,
kur të përkulen trimat e të ndalen bluajtësit,
ngaqë janë pakësuar,
kur të ngrysen ata që vështrojnë nga dritaret,
4 kur të mbyllen dyert në rrugë,
pasi të shuhet zhurma e bluarjes,
zogjtë e ulin zërin
dhe këngëtaret tulaten.
5 Edhe nga lartësitë do të kenë frikë
e tmerr nëpër rrugë.
Do të lulëzojë bajamja,
do të zvarritet karkaleci,
do të dështojë kopri,
se njeriu do të shkojë në banesën e amshuar,
ndërsa vajtuesit enden nëpër rrugë,
6 para se të këputet litari i argjendtë
e të thërrmohet kupa e artë,
para se të thyhet shtamba te burimi
e të copëtohet çikriku në sternë,
7 para se të kthehet pluhuri në tokë, siç kishte qenë,
e shpirti të kthehet te Perëndia që e kishte dhuruar.
8 Tymnajë e kaluar tymnajës, thotë kuvendari,
gjithçka është tymnajë.
9 Përveçse qe i urtë, kuvendari i mësoi popullit dijen. Ai dëgjoi, shqyrtoi e renditi shumë fjalë të urta.
10 Kuvendari u përpoq të gjente fjalë të hijshme e shkroi drejt fjalë të vërteta.
11 Fjalët e të urtëve janë si thumbues. Si gozhdë të ngulura mirë janë përmbledhjet e thënieve. Janë dhënë nga një bari i vetëm. 12 Përtej këtyre, biri im, ki kujdes. Nuk ka fund përgatitja e librave të shumtë. Hulumtimi i shumtë e mundon trupin.
13 Si përfundim, pasi u dëgjuan të gjitha, druaje Perëndinë e zbato urdhërimet e tij, se kjo është gjithçka për njeriun. 14 Se Perëndia do të gjykojë çdo vepër e çdo të fshehtë, të mirë apo të keqe.