1 Hidhe bukën tënde mbi ujëra,
se pas shumë ditëve do ta gjesh.
2 Ndaje në shtatë pjesë, apo tetë,
se nuk e di ç’zezonë do të ndodhë mbi tokë.
3 Nëse retë ngopen, shiun e derdhin mbi tokë,
nëse një pemë bie në jug apo në veri,
ku të bjerë, aty mbetet.
4 Kush vëren erën, nuk mbjell,
kush shikon retë, nuk korr.
5 Sikurse nuk ke dijeni se nga u vjen fryma kockave në barkun e nënës, ashtu nuk e di as veprën e Perëndisë që bën gjithçka.
6 Në mëngjes mbille farën tënde e deri në mbrëmje mos i ndal duart, se nuk e di cila është më e mirë, kjo apo ajo, apo të dyja janë të mira.
7 Drita është e ëmbël dhe syve u bën mirë ta shohin diellin.
8 Edhe nëse njeriu jeton shumë vite, le t’i gëzojë të gjitha, por të kujtojë vitet e errëta, që do të jenë të shumta, se gjithçka ndodh është tymnajë.
9 Shijoje rininë, o djalosh, e le të të ngazëllejë zemra në ditët e rinisë sate. Ndiq udhën që të do zemra e vegimin që të shohin sytë, por dije se për të gjitha këto Perëndia do të të bëjë gjyq.
10 Shporre prej zemrës ngasjen, dëboje ligësinë nga mishi, se djalëria e çapkënëria janë veçse tymnajë.