1 Disa miza të ngordhura e fëlliqin vajin erëmirë,
pak marrëzi peshon më shumë se urtia e nderi.
2 Zemra e të drejtit priret djathtas,
ndërsa zemra e të marrit priret majtas.
3 I marri, edhe kur ecën udhës, s’ka mend.
U thotë të gjithëve se është i marrë.
4 Nëse sundimtari shfryn kundër teje, mos luaj vendit,
se qetësia zhbën mëkatet e rënda.
5 Është një ligësi, që e kam parë nën diell, si gabim që bëhet nga sundimtari: 6 marrëzisë i jepen shumë vende të larta, ndërsa të pasurit ulen në vende të ulëta. 7 Kam parë skllevër mbi kuaj e princa duke ecur në këmbë si skllevër.
8 Kush hap gropë, bie vetë brenda,
atë që çan murin e ha gjarpri.
9 Kush thyen gurë, prej tyre lëndohet,
kush çan dru, rrezikohet pre tyre.
10 Nëse hekuri topitet e askush s’ia mpreh tehun,
duhet shtuar forca,
është e dobishme të përparojë urtia.
11 Nëse gjarpri kafshon para se të magjepset,
magjistari nuk ka dobi.
12 Fjalët e gojës së të urtit janë të hijshme,
por të marrin e përpijnë buzët e veta.
13 Fillimi i fjalëve të gojës së tij është marrëzi,
fundi i gojëtarisë së tij është çmenduri e ligë.
14 I marri i shumon fjalët.
Askush s’e di ç’do të ndodhë,
ndaj kush do t’i tregojë ç’do të ndodhë pas tij?
15 Të marrët i kapit mundi,
se nuk dinë as të shkojnë në qytet.
16 E mjera ti, o tokë, që e ke mbretin riosh
e princat e tu bëjnë gosti në mëngjes.
17 E lumja ti, o tokë, që e ke mbretin bir fisniku
e princat e tu bëjnë gosti kur duhet,
për t’u mëkëmbur e jo për t’u pirë.
18 Nga përtacia shembet pullazi,
duarngratit i pikon shtëpia.
19 Bukën e shtrojnë për t’u gëzuar,
vera e bën jetën të hareshme,
paraja i përgjigjet çdo gjëje.
20 Mos e shaj mbretin as me mend
dhe në dhomën e gjumit mos e shaj të pasurin,
se zogu i qiellit do ta mbartë zërin
e fluturaku do ta tregojë fjalën.