Kushtrimi
1 «Bjeri borisë!
Si shqiponja vërtitet mbi shtëpinë e Zotit,
se e thyen besëlidhjen time,
e shkelën ligjin tim.
2 Izraeli më thërret:
“Perëndia im, ne të njohim!”.
3 Por, Izraeli e përbuzi të mirën,
armiku do ta ndjekë pas.
4 Kurorëzuan mbretër
që nuk vinin prej meje.
Caktuan prijës
që unë nuk i njihja.
Bënë idhuj me arin e argjendin e tyre
për shfarosjen e vet.
5 I pështirë është viçi yt, o Samari.
Zemërimi im u ndez kundër tyre.
E pafajshme a do të jesh ndonjëherë?
6 Një mjeshtër prej Izraelit e bëri,
ai nuk është Perëndi.
Copë e çikë do të bëhet viçi i Samarisë.
7 Mbjellin erë e korrin stuhi.
Gruri i tyre kallinj nuk lidh
e miell nuk prodhon.
E në prodhoftë,
të huajt do ta përlajnë.
8 Izraeli u përpi,
u bë ndër kombe
një enë pa vlerë.
9 U ngjitën në Asiri
porsi gomari që i vetëm endet.
Ujdi bën Efraimi me dashnorët e vet.
10 Ndonëse bëjnë ujdi me kombet,
unë tani do t’i mbledh tok.
Do të treten pak nga pak,
nën peshën e mbretit të princave.
11 Sa herë Efraimi shton altarët për mëkatet,
ato i kthehen në altarë të mëkatshme.
12 Për të i shkrova
ligjet e mia të shumta,
por të huaja i duken ato.
13 Më kushtojnë flijime
e mishin e tyre hanë,
por Zotit nuk i pëlqejnë.
Do t’i kujtojë ai fajet e tyre,
mëkatet e tyre do t’i ndëshkojë
e në Egjipt ata do të kthehen.
14 E harroi Izraeli krijuesin e vet,
pallate mbretërore ai ndërtoi
e Juda qytetet e fortifikuara i shtoi.
Zjarr do të dërgoj në qytetet e tij,
fortesat e tij do t’i përpijë».