Thirrje për pendesë
1 «Ejani të kthehemi te Zoti,
se ai na copëtoi, por edhe do të na shërojë,
na goditi, por edhe do të na mjekojë.
2 Pas dy ditëve do të na ngjallë,
ditën e tretë do të na ngrejë,
që para tij të jetojmë.
3 Ta njohim e ta gjurmojmë Zotin,
se ardhja e tij është e sigurt porsi agimi.
Do të vijë te ne porsi shiu,
porsi rrebeshi që tokën ujit.
4 Ç’të të bëj, o Efraim?
Ç’të të bëj, o Judë?
Besnikëria juaj si re mëngjesi,
porsi vesa që herët kalon.
5 Ndaj i copëtova me anë të profetëve,
i vrava me fjalët e gojës sime
e gjyqi im si drita agon.
6 Dëshiroj mëshirën e jo flijimin,
dijen e Perëndisë më shumë se flinë e shkrumbimit.
7 Si Adami e shkelën besëlidhjen,
të pabesë u treguan atje.
8 Gileadi është qytet keqbërës,
i njollosur me gjak.
9 Mblidhen bashkë priftërinjtë,
si kusarët që presin në pritë,
vrasin rrugës për në Shekem
e kryejnë prapësi.
10 Një gjë të tmerrshme pashë në shtëpinë e Izraelit,
atje kurvërohet Efraimi
e përdhoset Izraeli.
11 Edhe për ty, o Judë,
koha e korrjes është caktuar.
Sa herë e përtërij popullin tim».